Zgjedhjet 2025

Hasaj: Partitë po i kërkojnë votat e sektorit privat me premtim për rritje pagash në publik

Blend Hasaj

Drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Blendi Hasaj, ka thënë se tri partitë më të mëdha në Kosovë po kërkojnë votat e mbi 300 mijë të punësuarve në sektorin privat me premtimin se do t’i rrisin pagat në sektorin publik e se do ta thellojnë dallimin mes pagave në dy sektorët.

Në një shkrim në Facebook, Hasaj ka thënë se paga mesatare në sektorin publik është rreth 30 për qind më e lartë se në privat. Sipas tij, në sektorë të caktuar diferenca rritet deri në 80 për qind.

“Për ironi, tri partitë më të mëdha në vend janë duke e kërku votën e mbi 300 mijë punonjësve të sektorit privat me një nga premtimet e vetme që kanë zotësi ta realizojnë pa vonesa: një tjetër rritje të pagave në sektorin publik, në një formë apo tjetër, qysh në janar të vitit 2026 - duke e thellu kështu edhe mëtej këtë hëndek në paga. Qysh me e interpretu këtë sinjal një punonjës i sektorit privat i cili mbetet në disavantazh krahasuar me ata të sektorin publik jo vec në pagë, por edhe tek kushtet në vendin e punës, orarin e punës, kohëzgjatjen dhe zbatimin e kontratës së punës? A din kush me e shpjegu se cfarë është qëllimi fundor i një politike të tillë? Në cilën ekonomi normale tentohet që sektori publik me u bë më tërheqës se sektori më produktiv i ekonomisë? Shto këtu që asnjë Qeveri deri më tash nuk e ka pasë guximin të merret me problemin e mos-efikasitetin të administratës publike”, ka shkruar ai në Facebook.

Rritja e pagave në sektorin publik ka qenë një prej premtimeve bosht të partive në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Përderisa Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar pagën e 13-të, Partia Demokratike e Lidhja Demokratike kanë premtuar rritje në nivel 50 për qind ose në koeficient 150 euro nga 110 sa është. E Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka premtuar dyfishim të pagave.