Shtetet perëndimore duhet ta lejojnë Ukrainën që t’i sulmojë bazat ushtarake brenda Rusisë me armët e sofistikuara me rreze të gjatë me të cilat po furnizohet Kievi, ka deklaruar presidenti francez, Emmanuel Macron gjatë qëndrimit të tij në Gjermani.
Çështja e lejimit apo jo të Ukrainës për t’i sulmuar caqet në territorin rus me armë të furnizuara nga Perëndimi, ka qenë delikate që kur Moska zyrtare ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të tij, në shkurt të vitit 2022, raporton AP.
Shumica e liderëve evropianë janë zmbrapsur nga marrja e një hapi të tillë, me arsyetimin se kjo rrezikon provokimin e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili në mënyrë të vazhdueshme ka përsëritur se përfshirja e drejtpërdrejtë e Perëndimit mund ta vë botën në prag të një konflikti bërthamor.
Rusia së fundmi ka shfrytëzuar mungesën në municion dhe në trupa të Ukrainës për të intensifikuar sulmet në rajonin e Kharkivit.
Kievi po përballet me provën e tij më të vështirë të luftës dhe “zgjidhja e duarve” lidhur me përdorimin e armëve me rreze të gjatë mund të nxisë një kundërvajtje dhe të shqetësojë Kremlinin.
“Nëse u themi ukrainasve se nuk keni të drejtë të arrini pikën nga e cila lëshohen raketat, ne në fakt u themi atyre se ne po ju furnizojmë me armë por ju nuk mund ta mbroni veten”, ka thënë Macroni të martën vonë, gjatë qëndrimit të tij zyrtar në Gjermani.
Deklarata e tij vjen vetëm një ditë pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka kërkuar nga anëtarët e aleancës të heqin disa nga kufizimet për përdorimin e armëve perëndimore nga Ukraina.
“E drejta për vetëmbrojtje përfshin goditjen e caqeve legjitime jashtë Ukrainës”, ka thënë Stoltenbergu gjatë një takimi të NATO-s në Sofia të Bullgarisë të hënën.
LEXO EDHE: