Komuna e Prishtinës ka miratuar 161 milionë euro buxhet për kryeqytetin, për vitin 2027. Prej tyre, 58 milionë euro do të dedikohen për investime kapitale, ndërsa 22 milionë janë nga Ligji për kryeqytetin. Në buxhet janë ndarë edhe 7 milionë euro për vazhdimin e sheshit “Xhorxh Bush” deri te Posta
161 milionë euro është buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2027 i miratuar të premten në një seancë urgjente në Kuvendin Komunal.
Nga to, sipas kryetarit Përparim Rama, 58 milionë euro janë për investime kapitale.
“22 milionë i kemi nga ligji për kryeqytetin. Mjete të qytetarëve që i kthejmë në çerdhe, shkolla, sport, shëndetësi e kulturë dhe përgatitje për Prishtina 2030. Për buxhetin mund të ketë debat, por duhet të ketë vendim”, ka thënë Rama.
E pas fjalimit, kryetari Rama nuk ka qëndruar në sallë për diskutime për çka edhe është kritikuar nga opozita.
Vetëvendosje nuk e ka votuar buxhetin me arsyetimin se “është buxhet i interesave të grupeve të caktuara e jo i qytetarëve”.
“Për luksin administrativ, udhëtime, dreka e konsulenca e ekspertë ka rritje. Ku është kufiri te ju? Paratë e buxhetit nuk janë të pushtetit, por janë të qytetarëve/ Pse po dyfishohen udhëtimet zyrtare?”, ka thënë asamblistja e VV-së, Norë Kelmendi.
Shef i grupit të asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla, është shprehur se nga dita kur Rama është bërë kryetar, ka rritje të përkrahjes nga niveli qendror.
Po ashtu ai ka thënë se ky buxhet nuk është për qytetarët, por për partitë në koalicion në nivel të komunës.
“Në vitin e parë të qeverisjes në vitin 2022 ai i mori nga niveli qendror 60 milionë euro. Buxheti nuk është për qytetarin, por pak për LDK-në e pak për PDK-në. Buxhet që ju shërben grupeve të caktuara. Vetëvendosje nuk ka votë për një buxhet të tillë”, ka thënë ai.
Ndërsa asamblistët nga koalicioni qeverisës, LDK e PDK, kanë mbështetur buxhetin dhe mënyrën se si ai është planifikuar.
“E mbështesim investimin në shëndetësi e në arsim. Fëmijëve ju duhen hapësira të përshtatshme. Investimet në rrugë, kanalizimet e trotuaret e përmirësojnë jetën e qytetarëve. Për ne është e rëndësishme që puna të shtrihet në secilën pjesë të komunës, qytet e fshatra. Në veçanti përkrahim memorialin “Ibrahim Rugova” e “Adem Jashari” sepse kështu i nderojmë për kontributin e tyre”, ka thënë asamblisti i LDK-së, Egzon Pacolli.
Përkrahje buxhetit i kanë dhënë edhe nga PDK-ja.
“Mirë që një pjesë e buxhetit shkon në investime kapitale. Arsimi dhe shëndetësia janë dy mekanizmat tjerë të rëndësishëm të buxhetit. Vlerësojmë orientimin e mjeteve drejt transportit publik. Miratimi është hapi i parë e realizimi është sfida kryesore. Presim që punët të bëhen me kohë”, ka deklaruar asamblisti Plator Gërdovci.
Me 31 vota pro, 12 kundër dhe asnjë abstenim, asamblistët e Kuvendit Komunal kanë miratuar buxhetin për kryeqytetin për vitin e ardhshëm.
Pasi ka kaluar buxheti, kryetari Rama ka shkruar në rrjetet sociale ku i ka falënderuar asamblistët që kanë votuar pro tij. Ai ka thënë se ata kanë treguar përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe i kanë dhënë kryeqytetit mundësinë të planifikojë e të punojë.