Arbëri

Miratohet buxheti i Prishtinës për vitin 2026

pr

Foto: Driton Paçarada

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar buxhetin për vitin 2026. 

33 kanë votuar për e tetë kundër. Vetëvendosja deklaroi paraprakisht se nuk do ta votonte buxhetin 2026.

Buxheti i paraparë për këtë vit për Komunën e Prishtinës është mbi 151 milionë euro. 


Vetëvendosje thotë se nuk do ta votojë buxhetin e Prishtinës

Kuvendi Komunal i Prishtinës, në një seancë të jashtëzakonshme, pa kryetarin e saj, ka diskutuar miratimin e buxhetit për vitin fiskal 2026, ku drejtues të drejtorive komunale dhe përfaqësues të partive politike paraqitën qëndrimet e tyre për ndarjen e mjeteve financiare dhe prioritetet zhvillimore të kryeqytetit.

Drejtoresha për Financa, Valbona Makolli, ka prezantuar strukturën e buxhetit dhe ka kërkuar aprovimin e tij në tërësi, ndërsa LDK dhe PDK kanë shprehur mbështetje me theks në stabilitet dhe zhvillim, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk do ta votojë këtë buxhet, duke e cilësuar të papranueshëm dhe problematik në disa aspekte. 

“I gjithë buxheti është i ndarë në 5 kategori ekonomike. Kategoria e pagave dhe mëditjeve për vitin fiskal 2026 janë 48.3 milionë euro për këtë kategori. Kategoria e mallrave dhe shërbimeve kap vlerën prej 32 milionë. Shpenzimet e komunale 3 milionë e gjysmë. Subvencionet dhe transferet 6.8 milionë. Investimet kapitale 60 milionë e 800 mijë. Ky buxhet është i përcaktuar në vizion e transformimit të kryeqytetit. Këto projekte janë të ndara në secilën kategori dhe janë bazuar edhe në dëgjime buxhetore. Buxheti i investimeve kapitale është i bazuar në projekte të mëdha kapitale për secilën kategori. Përveç investimeve të mëdha janë edhe shpenzimet operative të cilat direkt janë të përfshira në jetën e qytetarëve. Kërkoj aprovimin e këtij buxheti në tërësi”, tha Makolli.

Gëzim Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se subjekti i tij politik nuk do ta votojë buxhetin, duke vlerësuar se Prishtina po ngec dhe se rritja e buxhetit po paraqitet gabimisht si sukses qeverisës komunal.

Ai kritikoi PDK-në duke thënë se ky buxhet më shumë i shërben PDK-së se sa vetë LDK-së.

“Po na kërkohet t’i votojmë 150 milionë euro pa pikë llogaridhënie... Sa i përket përmbajtjes së buxhetit, është alarmante se tri projekte kryesore janë projekte me probleme ligjore dhe që janë subjekt trajtimi nga organet e drejtësisë. Po flasim për Sheshin “Xhorxh Bush”, Lidhjen e Arbërisë me Qendrën dhe Tunelin në rrugën “Agim Ramadani”, tha ai.

Ky buxhet u tha se do të përkrahet edhe nga partia Lidhja e Prishtinës dhe Nisma./ Ekonomia Online

Gëzim Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje / Foto: Driton Paçarada

Kuvendi i Prishtinës mblidhet për buxhetin për vitin 2026

Kuvendi i Prishtinës është mbledhur që nga ora 10:00 për seancën e jashtëzakonshme për miratimin e buxhetit 2026.

Buxheti i paraparë për këtë vit për Komunën e Prishtinës është mbi 151 milionë euro. 

Seanca po mbahet derisa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ende nuk e ka prezantuar kabinetin e tij qeverisës për mandatin e dytë, mbi dy muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve lokale.

Kuvendi Komunal i Prishtinës / Foto: Driton Paçarada