Komuna e Prishtinës e ka miratuar buxhetin 151 milionë euro për sivjet, e që është për 18 për qind më i lartë sesa ai paraprak. Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal u përcoll me kritika nga asamblistë të opozitës lidhur me mospërfshirjen në këtë buxhet të disa projekteve kapitale, për të cilat pushteti në kryeqytet pati akuzuar qeverisjen qendrore. Buxheti është miratuar me disa muaj vonesë
Me 33 vota për e 8 kundër, Kuvendi Komunal i Prishtinës e miratoi, pas shumë muajsh vonesë, buxhetin 151 milionë eurosh për këtë vit e që është për 18 për qind më i lartë sesa i shkuari.
Para hedhjes në votim të buxhetit në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për t’i arsyetuar ndarjet buxhetore, asamblistë të Vetëvendosjes thanë se nuk do ta mbështesin. Në këtë parti shprehën edhe kritikë rreth mospërfshirjes në buxhet të unazës së kryeqytetit, e për të cilën kryetari i Komunës, Përparim Rama, që mungoi në sallë shkaku i vizitës në Shtete të Bashkuara, javë më parë e pati kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. E për buxhetin me rritje thanë se është meritë e qeverisjes qendrore.
“Është jashtëzakonisht e papranueshme dhe tregon papërgjegjësi të madhe mungesa e kryetarit Rama në seancë. Rritja e buxhetit prej 18% vjen si pasojë e rritjes së përgjithshme që ndan qeveria për komuna dhe granti nga ligji për kryeqytetin. Nuk është meritë e qeverisjes lokale”, ka thënë Gëzim Sveçla, asamblist i LVV-së.
Lidhur me projektet e kryetarit Rama që janë përcjellë me telashe, përfshirë rrugën “Xhorxh Bush” e nënkalimin në atë “Agim Ramadani”, përfaqësues të LDK-së në Prishtinë thanë se do të finalizohen sivjet.
E drejtorja për Financa, Valbonë Makolli, tha se shuma e ndarë për investime kapitale arrin vlerën e 60 milionë e 800 mijë eurove.
“Vlen të theksohet se ndër projektet më të mëdha që do të vazhdohet është ai i ‘Xhorxh Bushit’, rruga ‘A’, projekti i nënkalimit, unaza e brendshme, ishulli urban. Projektet janë bazuar edhe në dëgjimet buxhetore”, ka theksuar Makolli.
Buxheti dhe planifikimet e qeverisjes në Prishtinë u mbështetën nga PDK-ja.
“Grupi i asamblistëve të PDK-së është i përkushtuar të kontribuojë në zhbllokimin e çdo situate që mund të rrezikojë miratimin e buxhetit. Në vazhdimësi kemi kërkuar më shumë transparencë, përfshirë të qytetarëve e dëgjime publike”, ka deklaruar Leutrim Ratkoceri, asamblist i PDK-së.
E pas kësaj, në akuza ndaj njëri-tjetrit u përfshinë asamblistë të PDK-së e të LVV-së.
Krahas unazës së Prishtinës, buxheti i 2026-s nuk e ka të përfshirë, si ndarje të veçantë, as atë që kryetari Rama e pati quajtur “tram” e të cilin e pati premtuar gjatë fushatës zgjedhore.