70 mijë euro vetëm për shpenzime të telefonisë fikse komunale, i ka ndarë Komuna e Prishtinës nga buxheti i saj 151 milionë eurosh për vitin 2026.
E vetëm për Drejtorinë e Administratës nga buxheti janë ndarë 35 mijë euro për shpenzime të telefonisë mobile dhe shërbimeve postare. E 10 mijë euro ekstra janë shpenzime për internet.
Në kategorinë shpenzime dhe mallra për këtë drejtori janë ndarë afro 4.5 milionë euro për këtë vit.
Nga to 120 mijë euro janë ndarë për karburant të automjeteve, përderisa 220 mijë për qira të veturave. 42 mijë të tjera për regjistrim dhe sigurim të automjeteve.
E për komunikime dhe marrëdhënie ndërkombëtare Komuna e Prishtinës e ka parë të nevojshme të ndajë 100 mijë euro.
Përderisa për dreka zyrtare brenda vendit janë ndarë 30 mijë euro, për udhëtimet zyrtare janë gjithsej 35 mijë.
E për nevojat e Kuvendit të kryeqytetit ku planifikohet vetëm nga një seancë e rregullt në muaj, pritet t’ia marrin totalit të buxhetit 25 mijë euro.
Për materiale shpenzuese për zyra janë planifikuar 120 mijë euro. Përderisa për furnizime me letër A4 dhe A3, 40 mijë euro.
Komuna e Prishtinës ka marrë masa preventive shëndetësore edhe për punonjësit e saj me një vlerë prej 30 mijë euro.
Në anën tjetër planifikohen 30 mijë euro për furnizim me tepihë, tepisonë dhe perde, si dhe montimi i tyre në objektet komunale.
Në një qytet ku qytetarët ankohen shumë për mospastërti e moslarje të rrugëve Komuna e Prishtinës ka ndarë 1.1 milionë euro për këtë vit vetëm për mirëmbajtjen e rrugëve për sezonin dimëror e atë veror, ku përfshihen këtu edhe mirëmbajtja e kanalizimeve.
E 1.5 milionë të tjera janë ndarë ekstra për mirëmbajtje të kryeqytetit pa e specifikuar se për çfarë lloj mirëmbajtjeje bëhet fjalë.
Megjithëse Komuna e Prishtinës tashmë ka kontraktuar edhe kompani private për këto punë e çdo herë ndanë shuma të mëdha për mirëmbajtje, kryeqyteti vazhdon të jetë në kaos nga mbeturinat e rrugët plot me pluhur.
E vetëm për mirëmbajtje të objekteve komunale janë ndarë gjysmë milionë euro.
Këto janë disa nga shpenzimet e planifikuara për Drejtorinë e Shërbimeve Publike, për të cilën janë ndarë mbi 12 milionë euro në tërësi në kategorinë për shpenzime dhe mallra.
Përveç këtyre shpenzimeve Komuna ka planifikuar edhe investime në rrugët e kryeqytetit në vlerë prej 30.5 milionë eurosh.
7 milionë euro për këtë vit i janë ndarë ndërtimit të sheshit “Xhorxh Bush”, punimet e të cilit janë lënë në gjysmë tash e disa muaj.
Për rrugën A ka ndarë 2 milionë euro duke përfshirë këtu ndërtimin e kolektorit dhe të rrugës. E 1 milion të tjera janë ndarë për depërtimin e rrugës “A”. Nuk është bërë e ditur ende nëse në këtë shumë përfshihet edhe planifikimi për nisjen e segmenteve të reja të rrugës “A”.
Megjithëse nuk kanë leje për fillimin e punimeve në tërësi, mjete buxhetore për ndërtimin e tunelit në rrugën “Agim Ramadani” janë ndarë edhe këtë, me një vlerë prej 1.6 milionë eurosh.
Megjithëse është zvarritur shumë ardhja e autobusëve të rinj të “Trafikut Urban”, për këtë vit janë ndarë 2 milionë euro nga buxheti i Prishtinës për blerjen e tyre.
Për të disatën herë me radhë buxhet vjetor ndahet edhe për ndërtimin e memorialit “Adem Jashari”, 200 mijë euro nga buxheti.