Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u ka thënë gazetarëve se takimi virtual mes liderëve evropianë ka zgjatur pak më tepër se dy orë të dielën dhe ai ka shtuar se plani është “të paraqesin një front të bashkuar” kur liderët takohen të hënën në Washington me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, transmeton “BBC”.
Macron ka thënë se lufta në Ukrainë po futet në “fazën vendimtare” dhe tha se do të shihet në takim se sa larg Trump do të jetë i gatshëm të shkojë me garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të hënën në Washington do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump. Zelensky do të jetë i shoqëruar nga liderët evropianë.
Të dielën emisari i SHBA-së, Steve Witkoff, ka thënë se Rusia ka bërë disa koncesione rreth pesë territoreve kyçe ukrainase që i pretendon. Ai ka shtuar edhe se presidenti rus Vladimir Putin është pajtuar që Evropa dhe SHBA-ja të ofrojnë garanci të forta të sigurisë për Ukrainën.
Presidenti francez Macron ka thënë se delegacioni evropian do t’i kërkojë Trumpit që t’i mbështesë planet e hartuara prej tyre për t’i forcuar forcat e armatosura të Ukrainës me më shumë trajnime dhe pajisje për ta siguruar paqen. Po ashtu, sipas draft-planit evropian, parashihet një forcë aleate të jetë prezente në Ukrainë larg vijave të frontit, por për të siguruar Kievin se paqja do të jetë e qëndrueshme dhe për ta dekurajuar një pushim tjetër rus, raporton agjencia "AP".
E presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë në një konferencë për media në Bruksel, se “mirëpresin gatishmërinë e presidentit Trump për të kontribuuar me garanci të sigurisë për Ukrainën të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s”.
-
Trump: Është Zelensky, jo Putini, ai që po e pengon paqen në Ukrainë
-
Liderët evropianë diskutojnë përpjekjet e SHBA-së për paqe, teksa rriten tensionet Rusi–Ukrainë
-
Trumpi thotë se lufta Rusi – Ukrainë mund të përfundojë “për pak javë”
-
Ukraina i kthen përgjigje SHBA-së për planin e paqes, liderët evropianë i kërkojnë Trumpit takim
-
Aleatët evropianë kërkojnë më tepër garanci sigurie për Ukrainën