OpEd

Ndryshimi i ndryshimit, rasti i Vetëvendosjes

Për të ruajtur pozicionin fitues në një skenë politike të paprofilizuar, mediokre e të korruptuar, LVV-ja ndryshoi edhe vetveten: nga retorika dhe stili i qeverisjes, deri te praktikat e përditshme institucionale. Ky transformim reflektoi edhe evoluimin e lidershipit, nga një qasje kryesisht konfrontuese drejt një stili më pragmatik

Ardhja e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet në vitin 2020, dhjetë vjet pasi kishte kaluar nga “rruga” në institucione, u perceptua si një thyerje e praktikave politike në Kosovë. Rrotacioni në pushtet, nëpërmjet një subjekti të krijuar jashtë strukturave tradicionale, nuk përfaqësoi vetëm ndryshim formal, por u shoqërua edhe me diskurs të ri të qeverisjes.

Lëvizja Vetëvendosje për këto vite nuk ndryshoi vetëm sjelljen, por edhe mënyrën se si fitohet mbështetja politike. Ajo arriti të përshtatet relativisht shpejt nga një lëvizje opozitare “rrebeluese” në një forcë qeverisëse, duke riformuluar strategjitë e saj në përputhje me rrethanat institucionale. Ky tranzicion u lehtësua nga lidershipi i saj, i cili për një kohë të gjatë ishte identifikuar me opozitarizmin aktiv dhe kritikën ndaj elitave politike, duke krijuar një kapital të fortë që më pas u shndërrua në mbështetje elektorale.

Në këtë kuptim, suksesi i përsëritur i Vetëvendosjes në tri palë zgjedhje tjera nacionale mund të interpretohet si rezultat i ndryshimit të ritmit politik.

Ndryshe nga periudhat e mëparshme, kur pushtetet në Kosovë ishin produkt i koalicioneve dhe kompromiseve mes partive, kjo fazë u karakterizua edhe nga përpjekja e këtij subjekti që konsolidimin ta kërkonte nëpërmjet marrëdhënies së drejtpërdrejtë me qytetarin.

Vetëvendosje nuk e ndërtoi mbështetjen e saj përmes figurave tradicionale të establishmentit politik e as i bëri llogaritë tek “aleancat” me partitë tjera parlamentare, por u “shkri” brenda masës së qytetarëve të molisur dhe të zhgënjyer nga keqqeverisja gati njëzetvjeçare. Zëri kritik i qytetarëve u shndërrua në platformë politike, ndërsa diskursi i artikuluar nga lideri i saj funksionoi si kanal përmes të cilit kjo pakënaqësi u institucionalizua. Zërave dëshpërues që nuk ishin dëgjuar mjaftueshëm, Vetëvendosje u dha fuqi dhe legjitimitet.

Për të ruajtur pozicionin fitues në një skenë politike të paprofilizuar, mediokre e të korruptuar, LVV-ja ndryshoi edhe vetveten: nga retorika dhe stili i qeverisjes, deri te praktikat e përditshme institucionale. Ky transformim reflektoi edhe evoluimin e lidershipit, nga një qasje kryesisht konfrontuese drejt një stili më pragmatik.

****

Një rol vendimtar në rritjen e mbështetjes për LVV-në, nga 2010 e deri në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, luajti paaftësia organizative dhe pasojat e trashëgimisë së partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK. Këto parti u penalizuan nga keqqeverisja dydekadëshe, nepotizmi, korrupsioni dhe lidhjet me elemente të krimit të organizuar, ndërsa në perceptimin e fundit qytetar edhe për mungesë gatishmërie për t’u vënë në funksion të interesit shtetëror gjatë proceseve të vështira, e sidomos gjatë ngërçit të fundit institucional që zgjati gati një vit.

Diskursi i opozitës për pesë vjet mbeti kryesisht në funksion të kritikës mbi mënyrën se si po qeveris VV-ja, pa ofruar alternativë serioze.

Opozita nuk u ofroi mbështetje politike e institucionale veprimeve për shuarjen e strukturave ilegale serbe, nuk kundërshtoi masat ndëshkuese të BE-së që erdhën si përgjigje ndaj veprimeve në veri për vendosjen e rendit dhe ligjit, e nuk u bë hisedare edhe e iniciativave të tjera siç ishin marrëveshjet financiare ndërkombëtare. Këto që më shumë ishin të rëndësisë nacionale, nga padija e opozitës u shndërruan në favore për subjektin që drejtonte qeverinë.

Paradokset nuk kishin fund – ta zëmë, në vend se propozimi për kontrollin mbi rritjen e çmimeve të produkteve bazë të vinte nga opozita, ai propozim vinte nga Qeveria. Në vend se kërkesa për reformë në drejtësi të vinte nga opozita, ajo vinte nga Qeveria; në vend që opozita të kërkonte konfiskim të pasurisë së fituar jashtëligjshëm, atë e kërkonte pushteti; në vend që mbështetja për lehonat, studentët, pensionistët... të vinte nga opozita, nismat për to vinin nga Qeveria; edhe rritja e pagës minimale ishte vullnet i Qeverisë, edhe shtesat për fëmijë...

Kundërshtimi dhe “bllokimi” i tyre nëpërmjet formave të ndryshme, përfshirë edhe i kërkesës për interpretim në Kushtetuese, sado legjitim, në sytë e shumicës së publikut e nxori destruktive.

Ky diskurs çoi në dobësimin e kapitalit politik dhe besimit publik të partive opozitare, ndërsa krijoi hapësirë manovrimi shtesë për LVV-në dhe mundësinë që ajo të konfirmojë mbështetjen e madhe qytetare.  

***

Nga hyrja e saj si forcë protestuese deri te ngjitja në pushtet, LVV ka dëshmuar se politika moderne nuk është vetëm ushtrim i pushtetit, por edhe një proces i vazhdueshëm përshtatjeje dhe transformimi i vetvetes. Rasti i Lëvizjes Vetëvendosje po ashtu përbën një ilustrim të konceptit “ndryshimi i ndryshimit”. Dhe përballë konceptit “mosndryshim” të opozitës, me të drejtë disa thonë se Kurtin mund të rrëzojë vetëm Kurti.