Ne po përballemi me grumbullim të paprecedentë krizash që mund ta rrezikojnë rëndë të ardhmen tonë. Edhe një herë bota ka nevojë që G20 të rritet dhe të veprojë me vendosmëri
Edinburgh – Në mbledhjet e fundit të liderëve të G7, anëtarëve të NATO-s dhe ministrave të Jashtëm të G20-s, ishte e qartë për të gjithë se bota po përballet me një grumbull urgjencash, ndryshe nga çdo gjë që kemi parë në dekada. Tensionet ndërkombëtare janë rritur në lartësi alarmante për shkak të rritjes së pasigurisë ushqimore dhe energjetike, zhvlerësimit të valutave, krizave të borxhit të afërt, pandemisë së vazhdueshme COVID-19, efekteve në rritje të ndryshimeve klimatike dhe konflikteve të armatosura.
Më parë, një forum për trajtimin e problemeve financiare dhe ekonomike, G20, i kryesuar nga Indonezia këtë vit, po shtyhet në një terren jashtëzakonisht të ndjeshëm. Samiti i liderëve të grupit në mes të nëntorit do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm; por ne nuk mund të presim deri atëherë për t’i trajtuar krizat e ndërthurura të sotme. G20 duhet të nisë procesin virtual për ta filluar punën drejt një përgjigjeje të përbashkët dhe të koordinuar para samitit të nëntorit.
Sipas Programit Botëror të Ushqimit (WFP), më shumë se 800 milionë njerëz tani janë të uritur kronikë me afro 323 milionë të tjerë, të cilët përballen me perspektivën e urisë. Çmimet e energjisë janë rritur dhe COVID-19 vazhdon të tërbohet nëpër popullatat e nënvaksinuara në botë. Për më tepër, rreth 60% e vendeve me të ardhura të ulëta janë në vështirësi borxhi e vendet e tjera në mbarë botën po përjetojnë thatësirë, përmbytje, zjarre dhe simptoma të tjera të prishjes së klimës.
Në muajin prill sekretari i përgjithshëm, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se bashkimi i sotëm i krizave “mund të çojë deri në 1.7 miliardë njerëz – mbi një të pestën e njerëzimit – në varfëri, skamje dhe uri në një shkallë të paparë në dekada”. Mirëpo edhe pse situata është e rrezikshme, nuk jemi të pafuqishëm për ta ndryshuar atë. Disa nisma shumëpalëshe tashmë kanë filluar punën në trajtimin e borxhit, energjisë dhe pasigurisë ushqimore. Megjithatë, për të qenë efektive, këto përpjekje duhet të jenë të koordinuara dhe gjithëpërfshirëse. Problemet tona janë shumë të ndërlidhura për t’u adresuar pjesë-pjesë.
Prioriteti i menjëhershëm është të sigurohen çmime të drejta dhe furnizime të sigurta në tregjet e ushqimit dhe energjisë. Të paktën 10 miliardë dollarë nevojiten për ta kapërcyer mungesën e financimit të WFP-së këtë vit. Deri më tani institucionet ndërkombëtare dhe shumë qeveri i janë përgjigjur krizës ushqimore me nisma të tilla si Aleanca Globale për Sigurinë Ushqimore, e cila u lansua këtë pranverë për të koordinuar financimin humanitar dhe investimet në qëndrueshmërinë e sistemit ushqimor. Më shumë se 80 vende kanë miratuar një udhërrëfyes të udhëhequr nga SHBA-ja për thirrjen për veprim të sigurisë globale të ushqimit dhe ka pasur samite të rëndësishme të fokusuara në rajon, siç është Dialogu Ministror Mesdhetar mbi Krizën e Sigurisë Ushqimore dhe Konferenca Ministrore e Bashkimit për Sigurinë Ushqimore Globale.
Edhe
Mblidhen sot në Francë udhëheqësit e G7-s
Por edhe pse dihet mirë se tregtia e hapur është thelbësore për frenimin e pasigurisë ushqimore, më shumë se 20 vende kanë vendosur kufizime në eksportet e ushqimit. Vendet anëtare të Organizatës Botërore të Tregtisë së fundmi kanë rënë dakord t’i përjashtonin blerjet humanitare të WFP-së nga kufizimet e eksportit, mirëpo kjo nuk po mjafton. Ne duhet të përfitojmë plotësisht nga njohuritë e tona për mënyrën se si funksionon tregu global i ushqimit si në terma afatshkurtër ashtu edhe afatgjatë, si në aspektin e furnizimit ashtu edhe të rezervave.
Për këtë qëllim vendet kryesore që mbajnë rezerva drithërash duhet t’i lëshojnë ato në tregjet ndërkombëtare për ta frenuar rritjen e mëtejshme të çmimeve; dhe qeveritë duhet të forcojnë Sistemin e Informacionit të Tregut Bujqësor (AMIS) për ta përmirësuar transparencën, monitorimin, si dhe për t’i parandaluar spekulimet. Ne duhet të sigurohemi që më shumë vende të ndërtojnë vetëmjaftueshmëri nëpërmjet diversifikimit të importit bujqësor dhe prodhimit vendas më elastik.
Për energjinë, kryeministri italian Mario Draghi, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe të tjerë kanë diskutuar krijimin e një karteli të blerjes së naftës për të negociuar çmime më të mira; dhe ka shumë iniciativa të reja për ta përshpejtuar përdorimin e energjisë së rinovueshme, për të përmirësuar efikasitetin e energjisë dhe për të reduktuar varësinë nga lëndët djegëse fosile. Por ne duhet të rrisim ritmin në prag të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP27) të nëntorit në Egjipt.
Nga ana e tyre, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe bankat shumëpalëshe të zhvillimit mund dhe duhet të bëjnë më shumë për të ofruar lehtësim nga krizat e sotme të ushqimit, energjisë dhe borxhit. Vetëm një e katërta e bilancit trilionë dollarësh të FMN-së është aktualisht e angazhuar për të ofruar ndihmë financiare dhe lehtësim të shërbimit të borxhit për vendet në vështirësi. Po kështu, Banka Botërore mund të japë më shumë hua, duke negociuar një rimbushje kapitali me shtetet e saj anëtare dhe duke përdorur vlerësimin e saj të kredisë me trefishin A për të grumbulluar kapital privat me garanci kredie.
Për ta trajtuar krizën e afërt të borxhit, ne kemi nevojë për një ristrukturim të fuqishëm parandalues shumëpalësh dhe nismë lehtësimi për vendet në zhvillim me barrë borxhi të paqëndrueshëm. Pjesa e vendeve me të ardhura të ulëta në vështirësi borxhi, ose në rrezik të lartë prej tij, është dyfishuar nga 30% në 60% që nga viti 2015. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, shumë vende me të ardhura mesatare janë duke u ulur, që do të thotë se ata do të përballen me kosto më të larta të shërbimit të borxhit, veçanërisht tani që Rezerva Federale e SHBA-së dhe bankat e tjera të mëdha qendrore po shtrëngojnë politikat e tyre monetare.
Edhe
OKB: El Nino mund ta përkeqësojë krizën klimatike globale
Iniciativat e reja për ta lehtësuar shqetësimin e borxhit do të duhej të shkonin shumë më tej sesa kanë bërë përpjekjet e ngjashme të fundit. Iniciativa për pezullimin e shërbimit të borxhit (DSSI) që u lansua në fillim të pandemisë ka skaduar që atëherë, pasi ka ofruar vetëm 13 miliardë dollarë lehtësim të përkohshëm për 48 vende me të ardhura të ulëta. Për më tepër, ai mbulonte vetëm kreditorët zyrtarë dypalësh, duke përjashtuar kështu kreditorët privatë që mbajnë pjesën më të madhe të borxhit të vendeve në zhvillim.
Pas fillimit të DSSI-së, Korniza e Përbashkët për Trajtimet e Borxhit u krijua për të trajtuar paaftësinë paguese sovrane dhe problemet e zgjatura të likuiditetit në vendet e pranueshme për DSSI-në. Ai supozohet të sigurojë lehtësim borxhi dhe ristrukturim në përputhje me nevojat thelbësore të shpenzimeve të debitorit dhe aftësinë për të paguar; por, një vit e gjysmë pas fillimit të tij, vetëm tri vende janë nënshkruar (Çadi, Etiopia dhe Zambia) dhe asnjë nuk ka përfunduar me sukses një ristrukturim të borxhit.
Me pjesëmarrjen në Kornizën e Përbashkët aktualisht të kufizuar në 73 vendet më të varfra, kriteret e pranueshmërisë mund të kenë nevojë të rishikohen dhe zgjerohen, dhe të gjithë kreditorët – përfshirë Kinën dhe sektorin privat – do të duhet të përfshihen në proces. Transparenca më e madhe e borxhit është thelbësore për rinegocimin efektiv të borxhit sovran. Ndërsa sigurimi i pjesëmarrjes kineze mund të jetë i vështirë, pjesëmarrja e sektorit privat mund të kërkohet me rregullore, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, ku tashmë ekziston një precedent për këtë.
Së fundi, tarifat shtesë të FMN-së duhet të pezullohen menjëherë. Numri i vendeve që kanë kosto të tilla tashmë është rritur nga nëntë në 16 që nga fillimi i pandemisë dhe FMN-ja projekton që totali mund të rritet në 38 deri në vitin 2025.
Edhe Puna e prioriteteveNe po përballemi me grumbullim të paprecedentë krizash që mund ta rrezikojnë rëndë të ardhmen tonë. Edhe një herë, bota ka nevojë që G20 të rritet dhe të veprojë me vendosmëri.
(José Ramos-Horta, laureat i çmimit “Nobel” për paqe, është president i Timor-Leste. Danilo Türk është president i “Club de Madrid” dhe ish-president i Sllovenisë (2007-12). Laura Chinchilla është ish-presidente e Kosta Rikës (2010-14) dhe zëvendëspresidente e “Club de Madrid”. Han Seung-soo është ish-kryeministër i Koresë së Jugut (2008-09) dhe zëvendëspresident i “Club de Madrid”. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).