Nga aventura e aktorit Brad Pittit në shkretëtirën e Alaskës, te vazhdimi i filmit kult “Practical Magic” me aktoret Nicole Kidman dhe Sandra Bullock, BBC ka shkruar për disa nga filmat më interesantë që ia vlen të shihen gjatë muajit shtator.
1. “Resident Evil”

Regjisori Zach Cregger, i njohur për filmin “Weapons”, rikthehet me një version të ri të “Resident Evil”. Filmi ndjek Bryan (Austin Abrams), një korrier mjekësor që duhet të dërgojë një organ në spitalin e Raccoon City, por qyteti është pushtuar nga “zombiet”.
Cregger e përshkruan personazhin si një njeri të zakonshëm që përfshihet në një mision të jashtëzakonshëm, duke e krahasuar me Frodon nga “The Lord of the Rings”.
2. “Primetime”
Edhe
“Practical Magic 2” rikthehet në ekran pas 28 vjetëve

Aktori Robert Pattinson luan gazetarin Chris Hansen në këtë dramë të bazuar në ngjarje reale, e cila tregon historinë e emisionit kontrovers “To Catch a Predator”.
Programi, i transmetuar nga viti 2004 deri më 2007, përdorte operacione të fshehta për të zbuluar burra që besonin se po takonin të mitur për qëllime seksuale. Pattinson tashmë po përmendet si kandidat i mundshëm për çmim “Oscar” për këtë rol.
3. “The Weight”

Aktori Ethan Hawke luan rolin e një babai të vetëm në Oregon gjatë Depresionit të Madh. Ai dërgohet padrejtësisht në një kamp pune dhe rrezikon të humbasë kujdestarinë e vajzës së tij.
Për t’u liruar, atij i duhet të transportojë ar të vjedhur së bashku me një grup të burgosurish. Kritiku Chase Hutchinson e cilësoi interpretimin e Hawke si “magjepsës”, duke vlerësuar veçanërisht mënyrën se si aktori e bën publikun të ndiejë çdo vështirësi të personazhit.
4. “Practical Magic 2”

Pas 28 vjetësh, Nicole Kidman dhe Sandra Bullock rikthehen si motrat shtriga Gillian dhe Sally në vazhdimin e filmit “Practical Magic”.
Filmi i parë, i publikuar në vitin 1998, nuk pati sukses të madh fillimisht, por me kalimin e viteve fitoi statusin e filmit kult. Në vazhdim rikthehen edhe Stockard Channing dhe Dianne Wiest, ndërsa Joey King dhe Maisie Williams luajnë vajzat e Sallyt.
Dy vajzat zbulojnë mallkimin e familjes: çdo burrë me të cilin bien në dashuri do të vdesë menjëherë pas kësaj.
5. “Forgotten Island”

Filmi i ri i animuar i gjigandit “DreamWorks” sjell një aventurë fantastike të frymëzuar nga folklori filipinas.
Historia ndjek dy vajza, Jo dhe Raissa, të cilat bëhen shoqe në Filipine gjatë viteve ’90. Kur Raissa përgatitet të shpërngulet në SHBA, të dyja përfundojnë në një botë magjike të mbushur me demonë, shtriga dhe përbindësha.
Regjisori Joel Crawford ka thënë se donte që vajzat filipinase “ta shohin veten në ekran, jo vetëm për sa i përket kulturës dhe prejardhjes, por edhe për atë se kush janë si njerëz”.
6. “Onslaught”

Aktorja Adria Arjona luan një nënë të vetme dhe ish-pjesëtare të ushtrisë që jeton me vajzën e saj në një zonë të izoluar. Jeta e tyre ndryshon kur tre ushtarë të modifikuar gjenetikisht arratisen nga një qendër sekrete kërkimore.
Edhe
Brad Pitt lufton për mbijetesë në filmin e ri
Në film shfaqet edhe Michael Biehn, i njohur nga “The Terminator” dhe “Aliens”. Ai e ka cilësuar Onslaught si “filmin më të mirë në të cilin kam luajtur që nga Aliens”, duke premtuar shumë aksion, horror dhe dhunë.
7. “Heart of the Beast”

Brad Pitt luan një veteran të forcave speciale që duhet të mbijetojë në një zonë të egër të Alaskës pas rrëzimit të avionit. Shoqëruesi i tij është qeni ushtarak Odin.
Regjisori David Ayer e ka vlerësuar interpretimin e Pittit si një nga më të mirët e karrierës së tij, por duket se edhe qeni ka fituar zemrat e ekipit.
“Mos u shqetësoni, qeni mbijeton”, ka zbuluar Ayer, duke shtuar se disa nga miqtë e tij “po qanin në fund të filmit”.
8. “Knife: The Attempted Murder of Salman Rushdie”

Dokumentari i Alex Gibney tregon historinë e sulmit ndaj shkrimtarit Salman Rushdie në vitin 2022, kur ai u godit me thikë 15 herë gjatë një aktiviteti në New York.
Filmi, i bazuar edhe në pamje personale të realizuara nga bashkëshortja e tij, tregon për sulmin, rikuperimin dhe jetën e Rushdies, përfshirë polemikat rreth romanit “The Satanic Verses”.
Kritikja Amber Wilkinson veçon në film “dashurinë mes Rushdies dhe Griffiths, qëndrueshmërinë e tyre përballë plagëve të rënda dhe humorin e tij të hollë, i cili ka mbetur i paprekur”.
9. “The Uprising”

Andrew Garfield luan një fermer të varfër që udhëheq një kryengritje kundër aristokracisë angleze në filmin e regjisorit Paul Greengrass.
Historia bazohet në Revoltën e Fshatarëve të vitit 1381, kur njerëzit e zakonshëm u ngritën kundër autoriteteve dhe aristokracisë.
Greengrass e përshkruan atë si një moment kur “njeriu dhe gruaja e zakonshme dolën në qendër të historisë” dhe kur zëri i njerëzve të thjeshtë nisi të kishte rëndësi.
10. “Hope”

Regjisori koreano-jugor Na Hong-jin sjell një përzierje të pazakontë të horrorit, aksionit, “westernit” dhe fantastiko-shkencores.
Edhe
Filmi “Scary Movie 6” kryeson arkat filmike, lë pas “Masters of the Universe”
Filmi zhvillohet në një qytet të vogël bregdetar në Korenë e Jugut, ku një polic përballet me një përbindësh gjigant që shkatërron gjithçka në rrugën e tij.
Kritiku John Bleasdale e përshkruan “Hope” si “një film aksion të fuqishëm, plot ndjekje mahnitëse me makina, kuaj, këmbësorë dhe përbindësha”.