Kohët e fundit, teknologjitë e reja digjitale kanë kontribuar në një transformim në tregjet ushqimore dhe bujqësore duke rritur produktivitetin dhe duke lehtësuar tregtinë ndërkufitare të mallrave dhe shërbimeve
Sivjet, qeveritë mund të sigurojnë që rregullat më të mira ndërkombëtare të na ndihmojnë të kthehemi në rrugën drejt një sistemi tregtar bujqësor më të drejtë dhe më të qëndrueshëm dhe t’i kapërcejmë pengesat e fundit në përpjekjet tona për të trajtuar urinë dhe kequshqyerjen. Samiti i Kombeve të Bashkuara për sistemet ushqimore që do të mbahet në muajin shtator, Konferenca e OKB-së për klimën (COP26) në nëntor dhe Konferenca ministrore e Organizatës Botërore të Tregtisë që fillon në fund të vitit, u japin politikëbërësve mundësi të mjaftueshme për të arritur qëllimin.
Pandemia COVID-19, rëniet ekonomike, ndryshimet klimatike dhe konflikti, kanë kontribuar të gjitha në rritjen e urisë dhe kequshqyerjes. Dhe, raporti i fundit nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike është i fundit në një seri paralajmërimesh që tregojnë pse qeveritë duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme të guximshme për t’i adresuar sfidat, me të cilat përballemi.
Në veçanti, qeveritë duhet të përqendrohen në korrigjimin dhe zvogëlimin e shtrembërimeve që rëndojnë aktualisht tregjet ushqimore dhe bujqësore. Nëse politikëbërësit mund të përmirësojnë mënyrën se si funksionojnë këto tregje, prodhuesit dhe konsumatorët e cenueshëm do të përfitojnë më shumë.
Është e qartë, biznesi si zakonisht nuk është një opsion. Sipas vlerësimeve të fundit nga agjencitë e OKB-së, 720 milionë deri në 811 milionë njerëz u përballën me uri në vitin 2020. Për më tepër, pasiguria e moderuar ose e rëndë ushqimore është rritur ngadalë gjatë gjashtë viteve të fundit, dhe tani prek gati një në tre persona në nivel global. Ne duhet të ndryshojmë drejtim nëse duam të arrijmë “Qëllimin e zhvillimit të qëndrueshëm” për t'i dhënë fund urisë dhe kequshqyerjes deri në fund të kësaj dekade.
Rritja e pritshme e popullsisë së botës në gati dhjetë miliardë deri në vitin 2050 shton një element urgjence të mëtejshme. Rregullat më të mira në lidhje me tregtinë dhe tregjet mund të ndihmojnë në përmirësimin e sigurisë ushqimore, duke mbështetur përpjekjet për krijimin e vendeve të punës, rritjen e të ardhurave dhe rritjen e produktivitetit bujqësor në mënyrë të qëndrueshme. Tregjet që funksionojnë më mirë do të forconin gjithashtu qëndrueshmërinë e sistemit ushqimor ndaj ngrohjes globale, pasi modelet e temperaturës dhe reshjeve ndryshojnë, dhe ngjarjet ekstreme të motit si thatësia, përmbytjet dhe stuhitë bëhen më të shpeshta dhe më të rrezikshme.
Në të njëjtën kohë, rritja e fundit në urinë dhe kequshqyerjen duhet parë në kontekstin e përparimit të rëndësishëm të arritur në çerekshekullin e fundit. Gjatë kësaj periudhe, dhjetëra miliona njerëz janë nxjerrë nga varfëria dhe pasiguria ushqimore pasi të ardhurat mesatare janë rritur dhe tregjet janë bërë më të integruara.
Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të OKB-së, tregtia me ushqim dhe bujqësi është dyfishuar në terma realë që nga viti 1995, me pjesën e tregtisë midis vendeve në zhvillim duke u rritur me shpejtësi. Kohët e fundit, teknologjitë e reja digjitale kanë kontribuar në një transformim në tregjet ushqimore dhe bujqësore duke rritur produktivitetin dhe duke lehtësuar tregtinë ndërkufitare të mallrave dhe shërbimeve.
Për më tepër, vendet kanë negociuar dhe nënshkruar një numër në rritje të marrëveshjeve të reja tregtare dypalëshe dhe rajonale, ndërsa kërkojnë të përmirësojnë qasjen e tyre në treg dhe të thellojnë integrimin me partnerët tregtarë – si në rajonet fqinje, ashtu edhe më larg. Por, përpjekjet për të përditësuar rregullat e tregtisë globale për ushqimin dhe bujqësinë kanë përparuar ngadalë.
Në një takim të vitit 2015 në Nairobi, ministrat e Tregtisë arritën një marrëveshje për t'u dhënë fund subvencioneve të eksportit bujqësor, duke përmbushur kështu një angazhim të qartë sipas SDG -ve. Dhe në Bali dy vjet më parë, vendet arritën një marrëveshje nën kujdesin e OBT-së për çështje të tjera ushqimore dhe bujqësore si pjesë e një pakoje më të gjerë tregtare. Por, shumë më tepër duhet bërë për t’i adresuar problemet e gjata në tregjet ushqimore dhe bujqësore, dhe për të siguruar që rregullat globale të jenë gjithashtu të përshtatshme në të ardhmen.
Në prag të Konferencës ministrore të OBT-së, unë jam duke kryesuar bisedimet ndërmjet negociatorëve mbi shtatë tema të tregtisë së fermave, përfshirë subvencionet për mallra të tilla si pambuku, kufizimet në eksportet e ushqimit dhe sfidën e përmirësimit të qasjes së fermerëve në tregje. Gjithashtu në rend dite janë rregullat që rregullojnë prokurimin e ushqimit për aksionet publike, garancitë për mallrat bujqësore dhe rregullat mbi masat që u ngjajnë subvencioneve të eksportit. Në të gjitha fushat, përmirësimi i transparencës duke e bërë më të lehtë informacionin është një shqetësim kritik për shumë vende.
Ministrat mund të bëjnë një hap të rëndësishëm përpara në konferencën e OBT-së duke rënë dakord për një rezultat mbi ushqimin dhe bujqësinë që ndihmon në rindërtimin e besimit, shtron një rrugë përpara dhe nxit angazhimin politik. Kjo do të na mundësonte të rivendosim besimin në aftësinë tonë kolektive për t’i adresuar sfidat me të cilat përballemi.
Sot, ne duhet të përpiqemi të kapërcejmë pandeminë, të ndërtojmë ekonomi më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme dhe të hedhim themelet për një të ardhme më të drejtë dhe më elastike. Një marrëveshje në OBT që përmirëson rregullat e tregtisë ushqimore dhe bujqësore do të ishte një fillim i mbarë.
(Gloria Abraham Peralta, ambasadore e Kosta Rikës në Organizatën Botërore të Tregtisë, është kryetare e Sesionit Special të Komitetit të OBT-së për bujqësinë. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).