Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Fustani i ‘hakmarrjes’ i princeshës Diana del në ankand, deri në 256 mijë euro vlera e parashikuar e tij

Princesha Diana veshur me fustanin e krijuar nga disejnatorja Christina Stambolian në vitin 1994.

Princesha Diana veshur me fustanin e krijuar nga disejnatorja Christina Stambolian në vitin 1994.

Fustani i zi, i ngushtë dhe me shpatulla të zbuluara që princesha e Uellsit, Diana, e veshi në vitin 1994 është bërë një nga veshjet më të famshme në historinë e modës. Tashmë, për herë të parë që nga viti 1997, ai do të dalë në ankand në Sotheby’s, me një vlerë të parashikuar prej 110 mijë deri në 220 mijë funte britanike (mbi 256 mijë euro), ka shkruar The Guardian.

Fustani i zi i princeshës Diana i krijuar nga disenjatorja Christian Stambolian

Diana e veshi fustanin në një mbrëmje kur bashkëshorti i saj, atëherë Princi Charles, do të fliste publikisht për tradhtinë e tij. Për këtë arsye, mediat e pagëzuan si “fustani i hakmarrjes”, ndërsa termi “revenge dressing” u bë më pas pjesë e kulturës së modës.

Fustani i zi i princeshës Diana i krijuar nga disenjatorja Christian Stambolian

Fustani, i krijuar nga stilistja Christina Stambolian, ishte shumë ndryshe nga pamja tradicionale me të cilën publiku ishte mësuar ta shihte Dianën. Ajo kishte planifikuar të vishte një fustan më klasik të Valentinos, por në fund zgjodhi modelin e zi dhe e kompletoi pamjen me manikyr të kuq.

Stambolian e ka krahasuar Dianën me personazhin Odile, mjellmën e zezë nga baleti i mirënjohur i kompozitorit të famshëm rus, Pyotr Ilyich Tchaikovski “Swan Lake (Liqeni i Mjellmave)”.

“Ajo zgjodhi të mos e luante skenën si Odette, e pafajshme dhe e veshur me të bardha. Ajo ishte qartësisht e zemëruar. E luajti si Odile, me të zeza. Po thoshte: ‘Le të jemi të këqija sonte’”, pati thënë Stambolian për revistën Harper’s Bazaar në vitin 2022.

Sipas Morgane Halimi, drejtueses globale të sektorit të modës dhe çantave në shtëpinë e ankadeve Sotheby’s, fustani është shumë më tepër se një veshje e famshme.

Fustani i zi i princeshës Diana i krijuar nga disenjatorja Christian Stambolian

“Ai zë një vend unik në historinë e modës, sepse përfaqëson ato momente shumë të rralla kur një veshje kapërcen modën dhe bëhet pjesë e historisë së kulturës”, ka thënë Halimi.

Ajo ka shtuar se Diana e përdori veshjen për të marrë kontrollin mbi mënyrën se si publiku e shihte situatën.

“Ajo krijoi një pamje që askush nuk e kishte parë më parë tek ajo. Kjo i lejoi të tregonte vendosmërinë për të qëndruar në këmbë dhe për të rimarrë kontrollin e historisë së saj”, ka thënë Halimi.

Diana e kishte shitur fustanin për një ankand bamirësie në vitin 1997, ku u ble për 39,098 funte britanike. Që atëherë, ai ka qenë në pronësi të së njëjtës familje.

Edhe pse u bë i famshëm para epokës së rrjeteve sociale, fustani shihet sot si një nga shembujt e parë të një “momenti viral” të modës. Për dekada, Diana ka vazhduar të jetë frymëzim për brezat e rinj dhe stilin e saj e kanë vlerësuar edhe figura si këngëtarja e mirënjohur, Rihanna, ka shkruar prestigjiozja Vogue.

“Njerëzit nuk frymëzohen thjesht nga ajo që veshi Diana, por nga ajo që përfaqësonin zgjedhjet e saj në modë”, ka thënë Halimi.

Fustani do të ekspozohet fillimisht në Londër, përpara se të udhëtojë në Hong Kong, Gjenevë dhe New York, ku do të zhvillohet ankandi në dhjetor.