“Diana Unheard” është përshkruar si një serial që tregon historinë e princeshës së ndjerë “me zërin e saj, në një moment kyç të jetës së saj”.
Cineflix ka siguruar të drejtat për dokumentarin me tre pjesë nga kompania britanike Love Monday TV, e cila ka prodhuar programe për monarkinë britanike për ITV dhe Channel 5. Seriali do të përfshijë Dianën duke folur për jetën, dashurinë dhe familjen mbretërore.
“Producentët e ‘Diana Unheard’ kanë siguruar regjistrime të bëra fshehurazi të bisedave që princesha e ndjerë pati me mikun e saj James Colthurst në vitin 1991. Këto regjistrime u përdorën për librin e Andrew Morton, “Diana: Her True Story””, ka thënë Richard Life, zv.president i lartë për blerjet dhe bashkëprodhimet në Cineflix Rights.
Si Colthurst, ashtu edhe Morgan, i cili punoi me Love Monday për t’u siguruar atyre qasje në disa orë regjistrimesh, shfaqen në serial. Në regjistrime, Diana flet për princin e atëhershëm Charles dhe Camillën, si edhe për princin e atëhershëm Andrew.
Kerene Barefield, drejtoreshë kreative e Love Monday TV, shtoi: “Gjatë realizimit të ‘Diana Unheard’, donim të sfidonim narrativën që shumë shpesh e ka paraqitur Dianën, Princeshën e Uellsit, thjesht si një viktimë të rrethanave të saj.
“Kjo është Diana jo si një viktimë pasive e ngjarjeve, por si një grua që merr kontrollin e rrëfimit të saj dhe rrezikon gjithçka për ta bërë zërin e saj të dëgjohet.
“‘Diana Unheard’ i rikthen autorësinë e një prej jetëve më të vëzhguara të historisë moderne gruas që qëndron në qendër të saj.”
Seriali dokumentar do të prezantohet në MIPCOM në Kanë, ndërsa Cineflix Rights shprehet se është “e emocionuar” që po i jep këtij projekti një platformë gati tre dekada pasi Diana humbi jetën në një aksident automobilistik, në moshën 36-vjeçare, në gusht 1997.
“Tridhjetë vjet më vonë, Diana mbetet një ikonë globale dhe një figurë që vazhdon të ngjallë pafund interes te publiku. Jemi të emocionuar që përfaqësojmë këtë serial të nivelit të lartë nga Love Monday TV dhe mezi presim ta prezantojmë para blerësve tanë ndërkombëtarë në MIPCOM”, ka thënë Richard.
Dokumentari i ri është njoftuar pak kohë pasi Mbreti Charles reagoi ndaj Earl Spencer lidhur me pretendimet e bëra në librin e ri të ish-kunatit të tij për princeshën e ndjerë.
Buckingham Palace sugjeroi se dhimbja e kontit 62-vjeçar për humbjen e motrës së tij të dashur kishte “mjegulluar arsyetimin” dhe “ndikuar në gjykimin” e tij, pasi ai pretendoi në librin “Swan Song: Diana, My Sister” se monarku kishte thënë me përbuzje se Diana do të harrohej “shumë shpejt” gjatë një telefonate në ditët pas vdekjes së saj.
Në një deklaratë shumë të rrallë, një zëdhënës i mbretit tha: “Edhe pse, si parim, nuk komentojmë libra, Madhëria e Tij është i vetëdijshëm se dhimbja e pikëllimit për humbjen e një vëllai apo motre mund të mjegullojë arsyetimin, të ndikojë në gjykim dhe të ngjyrosë kujtesën në mënyra që të tjerët nuk i kuptojnë, edhe shumë vite pas një humbjeje të tillë.”
Në një pjesë të librit, të publikuar paraprakisht nga Daily Mail, konti shkroi: “Princi Charles vazhdoi të shprehte zemërimin e tij, pa e ndërprerë unë. Pastaj ndaloi. Mendova se heshtja ishte një përpjekje për të rifituar kontrollin mbi veten, por më pas ai shprehu në telefon atë që unë gjithmonë e kam konsideruar si përbuzjen e mbledhur prej kohësh ndaj Dianës dhe tmerrin e tij që bota ishte kaq e tronditur nga vdekja e saj. ‘Të jesh i sigurt’, pëshpëriti me zemërim, ‘do ta harrojmë shumë shpejt!’”
Një burim pranë mbretit i tha Telegraph se pretendimi për këtë deklaratë “thjesht nuk është në natyrën e tij dhe sigurisht nuk ishte në natyrën e tij në atë kohë, kur ai ishte një njeri i pushtuar plotësisht nga dhimbja e humbjes”.