Dokumentari i ri “Sean Combs: The Reckoning” mund të mos qëndrojë gjatë në Netflix. Të hënën, avokatët e Combs i dërguan platformës një letër, duke kërkuar që seria të hiqet për shkak të disa pamjeve që, sipas tyre, shkelin të drejtat e autorit dhe përfshijnë “diskutime të strategjisë ligjore që nuk kanë qenë të destinuara për publikun”.
Sipas The Guardian kur e sheh serinë, e kupton pse Combs është kaq i shqetësuar. Rënia e tij nga fama vitin e kaluar ishte e befasishme dhe totale, por “Sean Combs: The Reckoning” duket si pikë pa kthim për të. Dokumentari paraqet dhe mbështet me prova aq shumë akuza të rënda, sa rruga e tij për t’u rikthyer në famën që kishte dikur, duket e mbyllur përgjithmonë.
Combs, i njohur ndër vite si Puffy, Puff Daddy, P Diddy, Diddy dhe Love AKA Brother Love, po vuan një dënim prej 50 muajsh burg për “transportim me qëllim prostitucioni”. Përveç kësaj, ai përballet me një numër të madh padish civile nga ish-partnere, ish-punonjës e bashkëpunëtorë, të cilët e akuzojnë për një listë të gjatë mizorish që përfshijnë, ndër të tjera, “përdhunim, trafikim seksual, ndalim të paligjshëm dhe dhunë fizike”.
Shumë prej këtyre akuzave trajtohen drejtpërdrejt në dokumentar. Kjo e bën serinë të vështirë për t’u parë, por njëkohësisht duket e domosdoshme. Në katër episode, regjisorja Alexandria Stapleton ndërton një model sjelljeje që fillon të duket i pashmangshëm dhe i frikshëm.
Dokumentari e ndjek Combsin nga vitet e para, si një i ri ambicioz, që punonte më gjatë dhe shtynte më fort për sukses. E sheh të ngrihet në një mogul të fuqishëm, pastaj të kthehet në reper, i veshur me gëzof, duke pirë shampanjë drejt e nga shishja, me Jennifer Lopezin pranë. E ndjek edhe në kalimin drejt famës në reality TV, pikërisht kur karriera muzikore nis të bjerë. Por paralelisht, shfaqet një histori e mbushur me errësirë.
Në dokumentar paraqitet:
-Ndeshja e basketbollit në vitin 1991, e organizuar pa planifikim dhe pa sigurime, ku vdiqën nëntë persona si pasojë e shtypjes nga masa e njerëzve.
-Pretendime se ai ka detyruar punonjës të dorëzojnë pjesën e tyre në biznes, madje duke mbajtur shkop bejsbolli mbi kokat e tyre.
-Të shtëna në vitin 1995, ku Combs, sipas akuzave, i ka ofruar shoferit 50 mijë dollarë që të merrte fajin për armën (ai e mohon këtë).
Pastaj vijnë akuzat e sulmeve seksuale:
-Joi Dickerson-Neal, e cila thotë se Combs e drogoi dhe e sulmoi seksualisht në vitin 1991, duke e filmuar aktin për ta treguar në festa.
-Këngëtarja Aubrey O’Day, e cila mësoi nga një deklaratë dëshmitari se ishte droguar dhe përdhunuar nga Combs.
-Producenti Rodney Jones, që pretendon se u drogua dhe u sulmua seksualisht në një shtëpi të mbushur me kamera të fshehta.
Një person që nuk shfaqet në dokumentar, por që e dominon atë, është Cassie Ventura. Pikërisht pamjet e kamerave të sigurisë ku Combs shihet duke e goditur, shtyrë dhe tërhequr Ventura në një korridor hoteli e rrënuan imazhin e tij në publik. Ventura e paditi Combs për përdhunim dhe dhunë në familje në vitin 2023, dhe thuhet se mori një marrëveshje prej 20 milionë dollarësh.
Por ajo që duket se e ka zemëruar më shumë Combsin lidhur me dokumentarin është diçka edhe më tronditëse: pamje të filmuara javën para arrestimit. Duke ditur se fundi po afrohej, ai punësoi një videograf për ta ndjekur, me shpresën për të ndërtuar imazhin e pafajësisë para publikut. Në një moment, ai dëgjohet duke folur me një avokat, duke thënë se narrativa në rrjetet sociale “po i ikën nga duart” dhe duke kërkuar “dikë që do të punojë me ne, që ka të bëjë me punët më të pista të mundshme”.
Fakti që “The Reckoning” ekziston sugjeron se edhe manipuluesi më i madh nganjëherë mund të tejkalohet. Edhe pse dokumentari nuk i mbulon të gjitha, “freak-off partyt” e famshme përmenden vetëm kalimthi dhe asnjë nga të ftuarit e tyre të famshëm nuk përmendet, seria bën gjënë që momentalisht është më e rëndësishmja: paraqet provat më të rënda kundër tij në mënyrë të qartë dhe të plotë.
Nëse Sean Combs arrin të “ri-ngrihet” përballë gjithë kësaj, sipas The Guaridan, do të ishte asgjë më pak se një mrekulli.