Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka rrëfyer përjetimet e tij nga 12 qershori 1999, dita kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme dhe më emocionuese të jetës së tij profesionale.
Palokaj ka treguar se ndodhej në Shkup dy ditë para hyrjes së forcave të NATO-s dhe se mëngjesin e 12 qershorit iu bashkua kolonës së parë të trupave britanike që u nisën drejt Kosovës.
“U nisa së bashku me ushtarët e NATO-s dhe në mbrëmje arritëm në një kodër afër Prishtinës. Pa e ditur se NATO-ja ende nuk kishte hyrë plotësisht, shkuam në qendër të qytetit. Ishte një moment i paharrueshëm”, ka kujtuar ai në një rrëfim në “Interaktiv” të KTV-së.
Sipas Palokajt, të nesërmen ushtarët britanikë hynë në qendër të Prishtinës me mjete të blinduara, ndërsa qytetarët që kishin mbetur në qytet i pritën me entuziazëm dhe emocion.
“Të nesërmen ushtarët britanikë hynë në qendër edhe me mjetet më të forta dhe ishte një eufori në mesin e atyre pak qytetarëve të Prishtinës që kishin mbetur”, vijoi ai.
Ai ka theksuar se në të njëjtën kohë trupat e NATO-s po hynin edhe nga Shqipëria në Prizren, duke filluar vendosjen graduale të misionit të KFOR, i cili vazhdon të jetë i pranishëm edhe sot.
Edhe
Palokaj: Aplikimi i Kosovës për në BE është lënë në harresë
Duke reflektuar pas 27 vjetësh, Palokaj u shpreh se ende e ka të vështirë ta besojë sa kohë ka kaluar nga ajo ditë, duke shtuar se Kosova sot është krejt ndryshe falë ndërhyrjes së NATO-s, luftës së UÇK-së dhe rolit që ka luajtur KFOR-i në ruajtjen e sigurisë në vend.
“Sikur nuk më besohet se kanë kaluar 27 vjet nga ajo ditë. Sot kemi një situatë krejt tjetër falë ndërhyrjes së NATO-s, luftës të UÇK-së dhe misionit të KFOR-it, mision që pak a shumë me sukses e ka kryer detyrën”, përfundoi Palokaj.
- Efikasiteti i NATO-s në Kosovë nuk varet nga numrat
-
Ulutash: KFOR-i mbetet i përkushtuar për mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët
-
SHBA-ja riafirmon angazhimin: Nderojmë qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës
-
NATO-ja planifikon zvogëlim të pranisë në Kosovë, pas konstatimit për përmirësim të situatës së sigurisë