Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

NATO rikonfirmon angazhimin e palëkundur për sigurinë në Kosovë

KFOR

Foto: Ilustrim

NATO ka rikonfirmuar angazhimin e palëkundur për sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal. Përmes një komunikate, NATO theksoi se Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për aleancën. 

Gjithashtu theksoi se mbështet tutje dialogun mes Kosovës e Serbisë. 

“Angazhimi i NATO-s për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal është i palëkundur. NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë fuqimisht Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, si kornizë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura duke marrë për bazë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, thuhet aty.

Komunikata u lëshua pas mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut të martën, ku prezentë ishin edhe partnerët që kontribuojnë me trupa në KFOR. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, aty ka folur mbi përpjekjet për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë në Kosovë.

Në informimin e tij të fundit për Këshillin, Ulutash gjithashtu ndau pikëpamjet e tij mbi përpjekjet e vazhdueshme për të optimizuar qëndrimin e KFOR-it, i cili rrjedh nga një përmirësim i vazhdueshëm i situatës së sigurisë në Kosovë.

Në komunikatën e NATO-s thuhet se, procesi i optimizimit bazohet në rrethana dhe se po zbatohet gradualisht dhe do të jetë plotësisht i kthyeshëm, nëse zhvillimet përkatëse të sigurisë e kërkojnë këtë. 

Edhe Ulutash: KFOR-i mbetet i përkushtuar për mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët Arbëri Ulutash: KFOR-i mbetet i përkushtuar për mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët

“KFOR-i do të mbetet i pajisur, i trajnuar dhe i organizuar në mënyrë të përshtatshme për të zbatuar mandatin e tij të gjatë të OKB-së, dhe do të ruajë aftësitë, gatishmërinë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për t'u përballur me një sërë skenarësh sigurie”, thuhet në komunikatë.

Gjeneralmajori Ulutash pritet ta përfundojë mandatin e tij të dytë në krye të KFOR-it në mesin e tetorit. Gjeneralmajori Roberto Vergori nga Italia do ta pasojë atë.