Showbiz

Kristen Stewart: Ende ndiej sikur Princesha Diana më “përndjek”

Kristen Stewart

Aktorja, Kristen Stewart, ka pranuar se ndihet ende e “përndjekur” emocionalisht nga Princesha Diana, të cilën e portretizoi në filmin e vitit 2021, “Spencer”.

Sipas saj, mjafton vetëm të mendojë për Dianën që të shpërthejë në lot.

35-vjeçja, e cila luajti Princeshën e ndjerë të Uellsit, që ka vdekur në një aksident automobilistik në Paris në vitin 1997, në moshën 36-vjeçare, ka thënë se Diana vazhdon “ta ndjekë” emociaonalisht, sidomos kur ndodhet në Londër apo Paris.

“Ende jam. Nuk mund të vozis në këtë qytet, e as në Paris, pa menduar për të. E gjithë dashuria që buronte nga kjo grua… mund të qaj për të në çdo moment”, ka thënë Kristen për Daily Telegraph, raporton The Independent.

Stewart ka treguar se fillimisht mendonte se regjisori Pablo Larraín ishte “i çmendur” që e kishte zgjedhur atë për rolin e Dianës dhe madje i kishte kërkuar të gjente dikë tjetër.

“I thashë Pablos se ishte i çmendur dhe se ndoshta duhej të punësonte dikë tjetër, por ai refuzoi. Kishte dallime të mëdha mes meje dhe saj. Ishte ajo pamja e saj, ngjyra e syve, unë kam sy të gjelbër, ajo i kishte të kaltër, që përputheshin me unazën e saj”, ka treguar ajo.

Madje, Stewart ka bërë edhe shaka për këtë dallim.

“I thashë: ‘A duhet ta bëjmë unazën e fejesës të gjelbër, atëherë?’”, ka thënë ajo.

Megjithatë, regjisori këmbënguli se roli nuk kishte të bënte me pamjen, por me shpirtin e Dianës. Ai besonte se kishte ngjashmëri mes përvojës së saj dhe asaj të Stewartit me famën dhe vëmendjen e vazhdueshme të paparacëve.

“Ashtu si ajo, edhe unë u fotografova pa pushim. Ajo ishte kaq e re dhe e pambrojtur. Ajo u copëtua nga paparacët. Rebelizmi i saj ishte i dëshpëruar, i ri, i brishtë. Kjo të thithë shpirtin”, ka thënë Stewart.
Stewart ka treguar se në fund të xhirimeve ndihej “si një guaskë e zbrazët”, një ndjesi që mendon se e kishte përjetuar edhe vetë Diana.

“U ndjeva si një guaskë, dhe mendoj se edhe ajo ishte e tillë. Ky ishte qëllimi ... Më lejuan të hyja në hapësirën e saj fizike dhe ta krijoja figurën e saj, e burgosur në një kështjellë, por e veshur me veshje madhështore”, ka thënë ajo.

Aktorja ka folur edhe më herët për një lidhje shpirtërore që ndjeu gjatë xhirimeve të filmit, duke thënë se ndonjëherë “harroi” që Diana kishte vdekur.

“Ndjeva diçka të çuditshme, shpirtërore. Më dukej sikur mora një lloj miratimi. Diana ishte kaq e gjallë për mua gjatë xhirimeve, sa trupi dhe mendja ime harronin se ajo kishte vdekur. Ishte shkatërruese ta kujtoja që ajo nuk jeton më. Ishte e çuditshme. Dhe e jashtëzakonshme. Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë në jetën time”, pati thënë ajo për Los Angeles Times.