Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Martha Stewart e emocionuar që Cate Blanchett do ta interpretojë në filmin biografik

Martha Stewart

Kuzhinierja amerikane Martha Stewart është shprehur e lumtur për përzgjedhjen e aktores fituese të “Oscarit”, Cate Blanchett, për ta interpretuar atë në filmin e ardhshëm biografik që do të tregojë një pjesë të jetës së saj.

85-vjeçarja ka zbuluar se kishte marrë një telefonatë nga Blanchett rreth dy javë më parë. Sipas saj, aktorja është duke punuar në skenarin e filmit, por ende nuk i ka treguar të gjitha detajet e projektit, ka shkruar Femalefirst.

“Cate do të më interpretojë mua. Mendoj se filmi do të përqendrohet te periudha deri në gjyqin tim dhe gjatë tij. Ajo është zgjedhja e përsosur për këtë rol”, ka thënë Stewart gjatë një bisede me Jay Leno.

Filmi pritet të trajtojë një periudhë të rëndësishme të jetës së saj, përfshirë edhe skandalin e tregtimit të brendshëm të aksioneve, për të cilin në vitin 2004 u dënua me pesë muaj burgim.

Ndërkohë, Stewart ka folur edhe për miqësinë e saj të pazakontë me reperin e njohur Snoop Dogg. Ajo ka treguar me humor se reperi e telefonon ndonjëherë me video në mes të natës, vetëm për t'u dëshmuar të tjerëve se janë vërtet miq.

“Snoop më telefonon në FaceTime në mes të natës. Dëshiron që të flas me dikë që ka pranë, ndoshta për t'i vërtetuar se jam shoqja e tij. Por unë refuzoj të dal në FaceTime. Është çmenduri!”, ka treguar ajo.

Stewart ka zbuluar gjithashtu se i pëlqen ta njohë Snoopin me artin, historinë dhe gastronominë. Madje, ajo e ka shoqëruar në disa muze dhe në Vatikan, ku reperi nuk kishte qenë më parë.

“Janë pikërisht këto gjëra që më pëlqen t'ia mësoj dhe t'ia prezantoj sa më shumë”, ka thënë ajo.