Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Të punosh për të siguruar ushqim dhe zhvillim të qëndrueshëm karshi krizave dhe sfidave të mbivendosura

Dy vjetët e fundit kanë qenë një pikë kthese, duke transformuar thellësisht të gjitha sferat e jetës sonë. Për fat të mirë, shkenca na ndihmoi të kuptojmë dhe të përballojmë më mirë sfidat e shkaktuara nga COVID-19. Ndërkohë, kemi qenë dëshmitarë se si pandemia ndikoi në prodhim, tregti, logjistikë dhe konsum të mallrave, përfshirë ushqimin dhe produktet e tjera bujqësore.

Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e tyre kanë punuar shumë për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e njerëzve dhe planetit, duke nxitur qeveritë të gjejnë mënyra për t’u rimëkëmbur. Në veçanti, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) ka avokuar për sisteme të transformuara agroushqimore për t’i bërë ato më efikase, më gjithëpërfshirëse, më elastike dhe më të qëndrueshme, për të arritur katër aspirata, të njohura si Katër më të Mirat: prodhim më i mirë, ushqim më i mirë, një mjedis më i mirë dhe një jetë më e mirë për të gjithë, duke mos e lënë askënd prapa.

Kjo thirrje për transformimin e sistemeve tona agroushqimore ka bërë jehonë në mbarë botën.

Samiti i Kombeve të Bashkuara për Sistemet Ushqimore në shtator 2021 ishte një hap kyç në rrugën drejt këtij transformimi, duke nxitur të gjitha vendet të ndërhyjnë te sistemet aktuale për të siguruar qëndrueshmëri ndaj krizës klimatike, fatkeqësive natyrore dhe konflikteve.

Gjithashtu në vitin 2021, anëtarët e FAO-s u pajtuan për Kornizën Strategjike të FAO-s për periudhën 2022–31, e cila e bën të qartë vizionin e Organizatës për një botë të qëndrueshme dhe sigurim të ushqimit për të gjithë në kontekstin e Axhendës 2030 dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG).

Edhe OpEd Mënyra e duhur për të luftuar urinë globale

Ky dokument strategjik u bë edhe më i rëndësishëm në fillim të vitit 2022, kur sigurimi i ushqimit në botë u ndikua nga një krizë tjetër.

ditë që po kalon, lufta në Ukrainë po ndikon negativisht në sigurimin e ushqimit në nivel botëror. Ukraina dhe Federata Ruse janë shtyllat kryesore të tregjeve botërore. Ata janë furnizues të rëndësishëm të mallrave bujqësore (grurit, misrit, elbit dhe lulediellit) dhe produkteve të tjera kryesore, duke përfshirë plehrat. Së bashku, Federata Ruse dhe Ukraina përbëjnë rreth 30 për qind të eksporteve botërore të grurit dhe 20 për qind të eksporteve të misrit.

Mungesa me gjasë do të ketë edhe vitin e ardhshëm. Sipas vlerësimeve të FAO-s, të paktën 20 për qind e të korrave dimërore të Ukrainës - gruri, veçanërisht - mund të mos korret dhe fermerët në Ukrainë ka mundësi të humbasin sezonin e mbjelljes në maj. Kjo do të zvogëlojë më tej furnizimin botëror të ushqimit, me pasoja serioze për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore dhe më gjerë. Afër 50 vende me të ardhura të ulëta dhe me deficit ushqimor në Afrikë dhe Lindjen e afërt varen shumë nga furnizimet me drithëra ukrainase dhe ruse.

Çmimet e ushqimeve tashmë janë në rritje për shkak të kushteve të të korrave, mundësisë së sigurimit të eksporteve dhe inflacionit në energji, plehra dhe ushqim për bagëti. Ndërsa lufta në Ukrainë tronditi tregjet për drithërat bazë dhe vajrat bimore, çmimet e ushqimeve u rritën edhe më shumë, duke arritur një kulm historik në mars.

Nevojiten veprime të menjëhershme dhe mbi të gjitha të përbashkëta, të koordinuara dhe politika të përgjegjshme për të zbutur ndikimet e sfidave të vazhdueshme për të siguruar ushqim, dhe në këtë drejtim FAO ka një rol kritik.

Është thelbësore që rrjedha e ushqimit dhe plehrave të mos ketë ndërprerje. Prodhimi bujqësor dhe tregtia duhet të vazhdojnë të furnizojnë tregjet vendore dhe botërore, ndërsa zinxhirët e furnizimit duhet të mbrojnë të korrat aktuale, blegtorinë, infrastrukturën e përpunimit të ushqimit dhe sistemet logjistike.

Edhe OKB: Pushtimi i Ukrainës mund të shkaktojë krizë globale të ushqimit Botë OKB: Pushtimi i Ukrainës mund të shkaktojë krizë globale të ushqimit

FAO këshillon fuqimisht që Sistemi i Informacionit i Tregut Bujqësor (AMIS) të forcohet si një platformë ekzistuese për transparencën e tregut ushqimor dhe të ketë veprime të koordinuara të politikave në kohë pasigurie të tregut.

Për më tepër, vendet në Evropë dhe Azinë Qendrore - dhe në mbarë botën - duhet të përmirësojnë efikasitetin dhe produktivitetin e tyre në menaxhimin e burimeve natyrore, jo vetëm për të ulur kostot e prodhimit bujqësor, por edhe për të fuqizuar kapacitetet inovative. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për mallrat e eksportuara.

Menaxhimi më i mirë i burimeve natyrore është gur themeltar për zhvillim të qëndrueshëm. Për këtë qëllim, arritja e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, siç përshkruhet në Strategjitë e Organizatës për Ndryshimet Klimatike, dhe për Shkencën dhe Inovacionin, është në thelb të Kornizës Strategjike të FAO-s 2022-31. Për të mbështetur arritjen e këtyre qëllimeve dhe për t'iu përgjigjur sfidave të ndërlidhura, FAO ka iniciuar Platformën Teknike Rajonale për Bujqësinë e Gjelbër, e cila ofron një portë digjitale dhe miqësore për përdoruesit për shkëmbimin e informacionit mbi integrimin e agjendës së gjelbër. Një konferencë ndërkombëtare që do të mbahet më 6 maj në Baku, Azerbajxhan, do të fokusohet në këto tema.

Së fundi, ne duhet të rrisim qëndrueshmërinë e jetesës. Grupet e cenueshme varen nga bujqësia dhe burimet natyrore për jetesën e tyre dhe zakonisht ato janë më të ndikuarat nga goditjet dhe fatkeqësitë.

Duke punuar së bashku me qeveritë, partnerët dhe komunitetet - para, gjatë dhe pas fatkeqësive - FAO është në pozitë unike për të mbështetur anëtarët në ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe me ushqim të mjaftueshëm, duke lidhur parandalimin, gatishmërinë dhe rehabilitimin për zhvillim të qëndrueshëm dhe duke iu ndihmuar fermerëve dhe ekonomive rurale që të bëhen më të shkathëta, më efikase dhe më inovative. Pa humbur fokusin në qëllimet tona strategjike, FAO u përgjigjet në mënyrë aktive emergjencave për të lehtësuar efektin e konflikteve në jetët e njerëzve.

Edhe OpEd Çfarë nevojitet për paqe dhe prosperitet afatgjatë?

Bota nuk ka qenë kurrë më e ndërlidhur. Konfliktet në një rajon kanë jehonë në të gjitha anët e botës dhe pasojat e tyre janë të rënda për të siguruar ushqim dhe për të gjitha aspiratat e tjera zhvillimore.

(QU Dongyu është drejtor i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë - FAO)