Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Kush ia humbi Kurtit zgjedhjet?

Kush ia humbi Kurtit zgjedhjet? Njerëzit më të afërt të tij. Me përjashtime, kuptohet. Në këto zgjedhje Lëvizja VETËVENDOSJE, partia më e madhe në vend, që në zgjedhjet qendrore  pati më shumë se 50% të votave, më shumë se 400 mijë vota, tani doli e fundit me numrin e komunave që do të qeverisë, me 200 mijë vota më pak.

Le të llogarisim që 100 mijë vota do të kenë qenë të diasporës në zgjedhjet qendrore dhe se diaspora nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale në masën që merr pjesë në zgjedhjet qendrore. Si rrjedhojë na del se vota pa diasporë e LVV-së ishte diku 300 mijë. I ka humbur pra rreth 100 mijë apo 30% të votave që kishte brenda Kosovës apo 50% të totalit, bashkë me diasporën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Si mund të ndodhë kjo?

Në radhë të parë kjo tregon për një organizatë (parti) totalisht të paorganizuar, të pastrukturuar, e cila është e shqyer më keq sesa që ishte shqyer buxheti i Republikës para se të vinte Kurti kryeministër, i cili po e qep suksesshëm dhe po e bën një thes që mund të mbajë shumë më shumë para, në disa drejtime. Një organizate së cilës i ulen votuesit për 30% brenda 8 muajve pa pasur ndonjë ndryshim rrënjësor, siç e kishte për shembull PDK-ja, ku liderët e saj u hoqën nga skena politike brenda 24 orëve, asaj organizate i duhet bërë e qartë që faji është ekskluzivisht i saj. Natyrisht, ka plot faktorë të tjerë që mund të kenë ndikuar, por funksioni i organizatës është pikërisht ky, përmes organizimit dhe strukturës së ndërtuar, ta amortizojë çdo goditje nga jashtë. Organizata Lëvizja VETËVENDOSJE ka dështuar ta kryejë funksionin e saj.

Por si ka ndodhur kjo?

Rritja në 50% është një rritje kryekëput në saje të kryeministrit të sotëm Albin Kurti. Është  aura e tij e “shpëtimtarit” (kushtimisht thënë) të një shoqërie që lëngonte nga korrupsioni, nga pasiguria, nga nëpërkëmbja ndërkombëtare, nga padrejtësitë, ajo që ngjalli shpresë te shumica dhe arriti të bënte atë që nuk ka arritur ta bënte asnjëri më parë në Kosovë. Fitoi zgjedhjet demokratike me më shumë se 50%.

Me një organizatë që në vend se ta mbështeste e ta shtynte i shkonte prapa duke u munduar ta ndiqte hapin e tij të shpejtë. Dhe ashtu siç bëri kjo organizatë deri në ditën e fitores, vazhdoi të bënte edhe pas fitores. Organizata nuk po e shtyn Kurtin, nuk po e mbështet atë, por po e ndjek pas duke ia mbajtur dorën e duke ia ngadalësuar hapin.

Në ç’kuptim? Tash që ai ka fituar dhe ua ka hedhur për fytyre si fakt një fitore madhështore të gjithë atyre që thoshin se ky lloj i fitores ishte i pamundshëm për shkak të sistemit që ka Kosova; kur kemi parasysh ç’lloj lideri është, pra që i nënshtrohet idesë dhe jo interesave; kur e dimë historinë e tij të guximshme e gatishmërinë për sakrificë; kur na jep sigurinë për të cilën kemi lënguar karshi ngjarjeve ndërkombëtare; kur na jep shpresë për një mundësi që Kosova vërtet dikur të zhvillohet ekonomikisht – natyrisht, që një aurë madhështie e rrethon atë në çdo paraqitje të tij. Disa që bëhen kinse nuk dinë e quajnë arrogancë e disa autoritarizëm, por e vërteta nuk është ashtu. 

Më e keqja, nuk janë këta që bëhen se nuk dinë, por ata që vërtet nuk dinë. Fjala është për disa ministra e shumë aktivistë e vartës të tij, që mundohen ta kopjojnë madhështinë e tij, por ata në të vërtetë besojnë se kjo nuk është madhështi, por arrogancë dhe autoritarizëm, dhe krejt çka sjellin në publik, në emër të tij, është një sjellje arrogante, tipike e të mosditurit, që ngjall irritim dhe asgjë më. Që sjell humbje dhe asgjë më. Që lufton vetveten në tërësinë e saj.

Këta ia humbën zgjedhjet Kurtit.