Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Koha të sillemi në përputhje me vullnetin qytetar

kurti

Foto: Driton Paçarada

Një ditë pas përfundimit të numërimit të votave të zgjedhjeve të 7 qershorit, ka nisur rinumërimi i 185 kutive të votimit, proces që i paraprin shpalljes së rezultateve përfundimtare. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se partitë duhet të sillen në përputhje me rezultatin që e morën, tek ka folur për themelimin e institucioneve të reja

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, një ditë pasi u numëruan votat e zgjedhjeve të 7 qershorit, ka thënë se rezultati dëshmoi se zgjedhjet ishin të panevojshme.

Lëvizja Vetëvendosje, të cilën ai e drejton, doli e para dhe mori 53 mandate.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kurti, duke folur për konstituimin e institucioneve, tha se me zgjedhjet e 28 dhjetorit, dallimi është i vogël dhe se partitë duhet të sillen në përputhje me vullnetin qytetar.

“Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, tregoi që nuk kishim nevojë për zgjedhje të reja, sepse rezultati nuk ka ndryshuar aq nga zgjedhjet paraprake. Është koha të sillemi në përputhje me vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhje. Si Vetëvendosje, jemi rikonfirmuar si partia e parë, me 53 deputetë, dhe tash presim certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në mënyrë që të nisim punën në drejtim të formimit të institucioneve të reja, për të vazhduar punët e mira dhe projektet zhvillimore. Nga viti i kaluar kemi humbur shumë kohë dhe është jetike që sa më parë të kemi Kuvend të konstituar, qeveria me mandat të plotë dhe president të zgjedhur”, ka thënë Kurti, në një video të shpërndarë në Facebook.

Kosova mbajti zgjedhje të reja parlamentare më 7 qershor, më pak se gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, pasi partitë politike nuk arritën të gjenin marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

Presidenti i ardhshëm i Kosovës nuk duhet të jetë rezultat i imponimit nga asnjëra palë politike, ka vlerësuar publicisti Veton Surroi, duke bërë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje që respekton parimet demokratike dhe kërkon konsensus më të gjerë institucional.

Në një sugjerim për partitë politike pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, Surroi theksoi se zgjedhja e presidentit duhet të ndërtojë një baraspeshë ndërmjet dy parimeve themelore demokratike.

“Subjekti që ka fituar më së shumti përkrahje nuk e ka të drejtën ta imponojë zgjedhjen e Presidentit vetëm duke u mbështetur në mandatin që ka marrë për të qeverisur vendin. Subjektet që kanë fituar më pak përkrahje nuk e kanë të drejtën ta imponojnë zgjedhjen e Presidentit duke u mbështetur vetëm në kapacitetin e tyre bllokues, që buron nga kërkesa kushtetuese për pjesëmarrjen e dy të tretave të deputetëve”, ka shkruar Surroi në Facebook.

E, duke folur për nevojën që institucionet të themelohen sa më shpejt, kryeministri në detyrë Kurti, ka deklaruar se është jetike që sa më shpejt të formohen institucionet duke theksuar se vendin e presin shumë punë.

“Para nesh kemi shumë punë e projekte që vendit i sjellin zhvillim, shumë marrëveshje ndërkombëtare për ratifikim që i sjellin Kosovës shumë miliona investim e mbi të gjitha një stabilitet institucional që të gjithë qytetarëve u sjell siguri dhe normalitet”, ka thënë Kurti.

Një nga punët më emergjente që e presin qeverinë dhe kuvendin është miratimi i ligjeve që burojnë nga plani i rritjes e që kanë afat deri në fund të muajit.

Dy ligje për Energjinë, ai për Inovacion e Ndërmarrësi, nëse nuk miratohen deri më 30 qershor, Kosova humb 60 milionë nga plani i rritjes.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Melos Kolshi, thotë se ndonëse disa nga këto ligje janë miratuar në lexim të parë në legjislaturën e kaluar, ato duhet që sërish të ndjekin procedurat standarde për miratimin e ligjeve. E që sipas tij, përmbyllja e tyre deri më 30 qershor është e pamundur.

“Çdo projektligj, i cili ka kaluar për shembull fazat, mirëpo nuk është dërguar te presidentja për shpallje, atëherë secili prej këtyre projektligjeve konsiderohet si projektligj i pa parashtruar për legjislaturën vijuese dhe secili prej këtyre projektligjeve duhet të kthehet në pikën 0 dhe duhet të fillojë përsëri procedurat të cilat i ndjek një projektligj për të hyrë në fuqi”, ka thënë Kolshi.

Por, për t’i hapur rrugë formimit të institucioneve së pari duhet përmbyllur procesi zgjedhor.

Në mëngjes, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur rinumërimi që do i nënshtrohen 185 kuti nga vendvotimet e rregullta.

Sipas zëdhënësit të Komisionit të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, bazuar në gjetjet e këtij procesi, që KQZ-ja e ka vendosur si masë kontrolli, do të procedohet me hapat e tjerë.

“Në fund të procesit të rinumërimit do të përgatitet një raport për gjetjet eventuale nga rinumërimi i të gjitha vendvotimeve dhe i njëjti do t’u dërgohet anëtarëve të KQZ-së për shqyrtim dhe vendimmarrje. Mbi bazën e këtyre gjetjeve, anëtarët e KQZ-së do të marrin vendim për të proceduar më tej”, ka thënë Elezi.

Numërimi përfundoi të mërkurën në ora 18:30, e deri të premten në orën e njëjtë subjektet kanë afat për t’u ankuar lidhur me administrimin e procesit në QNR.

Në rast se nuk ka ankesa, e as rinumërimi nuk shpërfaqë manipulime, plotësohen kushtet për shpallje të rezultateve përfundimtare.

Artan Behrami, i cili ka siguruar votat e mjaftueshme për deputet nga radhët e Partisë Demokratike, ka kërkuar hetim mbi votat e diasporës. Ai ka theksuar se Prokuroria duhet të nisë hetimin menjëherë, por në një postim në Facebook, nuk ka treguar nëse do të ushtrohet ankesë në rezultat.

Sipas Behramit, gjatë procesit të numërimit ka pranuar “shumë ankesa” për zarfe të hapur, të dyshimtë dhe dyshime për manipulim të votave të diasporës.

“Prokuroria duhet të zhvillojë një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës për çdo mundësi të keqpërdorimit apo manipulimit të votave të diasporës. Po ashtu, ftoj të gjithë ata që kanë parë, verifikuar apo kanë informacione për parregullsi të tilla, që t’i raportojnë ato tek institucionet kompetente”, ka shkruar ai.

KQZ-ja në planin e veprimit të miratuar para zgjedhjeve, ka paraparë 10 ditë hapësirë mes shpalljes së rezultateve dhe certifikimit të zgjedhjeve. Por, kjo varet edhe nga ankesat e mundshme.