Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për ta konstituuar një Kuvend që s’mund të zgjedhë president

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se dështimi për zgjedhjen e presidentit të ri mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, por ka theksuar se një skenar i tillë është i panevojshëm.

Kurti ka thënë se Kuvendi aktual e ka mandatin dhe përgjegjësinë për të zgjedhur presidentin apo presidenten e re, duke nënvizuar se në Kosovë nuk zhvillohen zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale.

“Nëse nuk do të arrijmë të zgjedhim president të ri, do të shkojmë në zgjedhje. Zgjedhjet e reja janë të panevojshme. Kemi Kuvend dhe ky Kuvend mund t’i japë vendit president ose presidente. Duhet ta kuptojmë se në Kosovë nuk ka zgjedhje presidenciale. Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për ta konstituuar Kuvendin që s’mund të zgjedhë president”, ka thënë ai në një deklarim në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, raporton EO.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjidhet deri më së largu më 6 tetor.

Në njoftimin për vendim për kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, Kushtetuesja ka konstatuar se më 8 gusht ka nisur të rrjedhë afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit. Gjykata ka konstatuar se kalimi i afatit prej 30 ditësh për konstituim e ka për pasojë nisjen e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentin.