Vetëvendosje ka dalë e para me rreth 43 për qind, sipas rezultateve preliminare, që i bie rënie prej më shumë se 6 për qind krahasuar me preliminaret e zgjedhjeve të kaluara. PDK-ja ka mbajtur vendin e dytë me rritje shumë të vogël 0.07 për qind, LDK-ja në vendin e tretë ka shënuar rritjen më të madhe me rreth 4 për qind e ngritje ka shënuar edhe AAK-ja me rreth 1.5 për qind. Rezultatet preliminare janë pa votat e diasporës, ato me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta
Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit nuk kanë ndryshuar renditjen e partive, mirëpo fuqinë e tyre, po.
Vetëvendosje sërish ka fituar bindshëm, por me rënie në përqindje krahasuar me rezultatet preliminare të 28 dhjetorit 2025 ku nuk llogariten votat nga diaspora, ato me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPartia në pushtet ka fituar 42.92 për qind kur janë numëruar 99.40 për qind të vendvotimeve, apo gati 6.5 për qind më pak se në procesin e kaluar elektoral.
E dyta ka dalë sërish Partia Demokratike e Kosovës. Ajo ka fituar 21.06 për qind apo vetëm 0.07 për qind më shumë se më 28 dhjetor.
E treta është LDK-ja me rritjen më të madhe ndër partitë deri tash në opozitë.
Kjo parti, që para zgjedhjeve ka kthyer në gjirin e saj edhe Vjosa Osmanin, që ishte edhe bartëse e listës, ka fituar 17.61 për qind apo rreth 4 për qind më shumë se në zgjedhjet e kaluara, gjithnjë duke u bazuar në rezultate preliminare.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që në zgjedhjet e kaluara kaloi për pak pragun elektoral, këtë herë e ka kaluar atë shumë më lehtë, duke marrë 7.18 për qind apo 1.5 për qind më shumë.
Partia Socialdemokrate, që në këto zgjedhje ka garuar me vetëm gjashtë kandidatë për deputetë, nuk e ka kaluar pragun.
Rezultati:
Bazuar në rezultatet preliminare ka fituar vetëm 0.27 për qind apo më pak se 2000 vota.
Në fakt, dalja në këto zgjedhje ishte shumë më e ulët se më 28 dhjetor 2025.
Më 7 qershor dalja ishte 36.38 për qind, derisa në zgjedhjet e kaluara 44.99 për qind, që i bie se tash kanë dalë rreth 200 mijë qytetarë më pak në zgjedhje.
Votat e diasporës, që për të gjitha mënyrat, janë regjistruar rreth 130 mijë persona, do të numërohen më vonë.
Kurti i gatshëm për bashkëpunim me partitë e tjera

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka shpallur fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit, derisa ka paralajmëruar se javët në vijim do të bashkëpunojë me partitë e tjera për të zgjidhur çështjen e presidentit.
Gjatë fjalimit në festën me simpatizantët e partisë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Kurti ka thënë se partia që udhëheq e ka mbi të gjitha interesin publik.
“Javët në vijim do të takojmë, do të bashkëpunojmë me të gjitha partitë sepse para së gjithash e mbi të gjitha interesin publik, vullnetin dhe Republikën sovrane të cilit i shërbejmë me devotshmëri. Llogaritni në ne jo vetëm në punën që bëjmë, por edhe në bashkëpunimin që bëjmë”, është shprehur Kurti.
Sipas tij, kjo dekadë do të jetë e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Për më pak se shtatë vjet, kjo është fitorja e pestë e LVV-së në zgjedhjet parlamentare. Që së paku kjo dekadë, e unë besoj edhe shumë më shumë, është e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje. Prandaj edhe në këto zgjedhjet e pesta, u dëshmua që të gjithë garojnë, shumica votojnë e ne fitojmë. Ne i bëjmë bashkë edhe punëtorët, edhe ndërmarrjet, edhe infrastrukturën, edhe bujqësinë, edhe kujdesin për nëna e fëmijë, burra e pleq, për djem e vajza. Faleminderit për këtë mbështetje të madhe. Nuk ka vështirësi që nuk e kemi kaluar, edhe atëherë kur është dukur e pamundur, e kemi realizuar. Sepse tash është shtet për krejt, e ne jemi krejt për shtet”, shtoi Kurti.
Kurti ka thënë po ashtu se institucionet ekzekutive të vendit janë funksionale, por sipas tij, mungon Kuvendi e për këtë ka bërë një porosi për të.
“Jemi të sigurt që te LVV-ja kemi garancinë e mirëqeverisjes dhe se shteti si Republikë është në duar të sigurta. Unë jam kryeministri juaj, herë kryeministër në detyrë e herë në detyrë si kryeministër. Kosova e ka edhe presidenten, u.d. e presidentes Albulena Haxhiu Haxhiu. Sado që festojmë sonte, nesër në orën 8:00 jemi të gjithë në punë. Ajo çka i mungon Kosovës nuk është qeveria, as presidenti, por Kuvendi. Blloku opozitar nuk shkon në punë. E ne jemi të interesuar që edhe blloku opozitar të shkojë në punë. Shpresojmë që në legjislaturën e 11-të...”, ka deklaruar ai.
PDK-ja akuzon Kurtin “për zhgënjimin e qytetarëve”

Daljen e parë publike pas shpalljes së rezultateve preliminare nga PDK-ja, e ka bërë Vlora Çitaku, nënkryetare e kësaj partie.
Ajo ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve është pasojë e zhgënjimit të qytetarëve me qeverisjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Çitaku ka thënë se qeveria e Kurtit ka prodhuar zhgënjim dhe kriza të vazhdueshme, duke shtuar se kjo është reflektuar në pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje.
“Qeveria e Albin Kurtit prodhoi zhgënjim te qytetarët dhe kriza të vazhdueshme. Kjo keqqeverisje rezultoi me këtë protestë zgjedhore. Mosdalja e rreth 200 mijë votuesve në zgjedhje është tregues i qartë i kësaj”, ka thënë ajo.
Çitaku ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për keqpërdorim të resurseve shtetërore dhe blerje të votës sipas saj, duke thënë se janë shpërndarë qindra miliona euro për përfitime elektorale.
“Sikur të mos kishte blerje masive të votës përmes qindra milionave eurove të shpërndara, premtime për punësim, kërcënime ndaj punonjësve shtetërorë, miliona euro për bileta për mërgimtarët dhe keqpërdorim të resurseve shtetërore, ky njeri do të pësonte fiasko edhe më të thellë politike”, është shpreh ajo.
Sipas saj, PDK-ja ka arritur ta rikonfirmojë pozicionin e saj politik, duke ruajtur përfaqësimin në përqindje dhe në numrin e deputetëve.
Ajo ka thënë po ashtu se pjesëmarrja e ulët në zgjedhje duhet të shërbejë si mesazh për të gjitha partitë politike.
“Do të presim përfundimin e numërimit dhe më pas do t’i publikojmë qëndrimet tona”, përfundoi Çitaku.
LDK-ja vë kusht për bisedime emrin e Osmanit për presidente
E kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se janë të vetëdijshëm se pas rezultatit zgjedhor diskutimi i parë do të jetë çështja e presidentit. Ai ka shtuar se LDK-ja e ka kandidaten, Vjosa Osmanin dhe ka paralajmëruar se ajo do të jetë pikënisja e çdo bisedimi.
“Jemi të interesuar për stabilitet institucional. Ne kemi qenë të gatshëm për bisedime me të gjitha partitë shqiptare, përveç Listës Serbe. Dhe jemi të vetëdijshëm se çështja e presidentit do të jetë çështja e parë që do të diskutohet. Ne kemi kandidaten tonë dhe ajo do të jetë pikënisja e çdo bisedimi”, ka deklaruar Abdixhiku.
Siç ka thënë ai, nuk do të ketë kompromis sa i përket çështjes së presidentit.
Ai e ka vlerësuar rezultatin e zgjedhjeve si dëshmi të pjekurisë demokratike të qytetarëve dhe si mbështetje për vizionin politik që, sipas tij, LDK-ja e ka ndërtuar së bashku me Vjosa Osmanin.
Në një konferencë për media pas publikimit të rezultateve preliminare, Abdixhiku ka thënë se rezultati është pasqyrim i një bashkimi të madh qytetar dhe politik rreth një fryme të re.
“Kosova foli qartë. Foli me votë dhe dëshmoi pjekuri demokratike. Rezultati i sotëm është reflektim i një bashkimi të madh njerëzor e politik, i një fryme të re që e kemi ndërtuar me Osmanin”, ka thënë ai. Sipas tij, LDK-ja në legjislaturën e ardhshme do të ketë 20 deputetë apo pesë më shumë.
Edhe Vjosa Osmani ka konfirmuar se çdo bisedim për çështjen e presidentit do të jetë i lidhur me emrin e saj. Sipas Osmanit, lideri i LVV-së, Albin Kurti nuk ka arsye për ta refuzuar emrin e saj për një mandat tjetër për presidente. Po ashtu, ka thënë se ngritja e LDK-së sapo ka filluar.
“Na jep shpresë se jemi në rrugë të drejtë. E më shumë punë në terren dhe afër qytetarëve besoj se LDK-ja do të vazhdojë të ringrihet në muajt dhe vitet në vijim”, ka thënë ajo. “Koha e ringritjes ka filluar. S’ka asgjë që e ndal”.
Gjini: Nisje e jashtëzakonshme
Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, që ishte edhe kandidat për kryeministër nga kjo parti, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë, duke e cilësuar rezultatin si “nisje të jashtëzakonshme” për subjektin që ai përfaqëson.
Në një konferencë për media pas shpalljes se rezultateve preliminare, Gjini ka thënë se qytetarët që kanë votuar për këtë parti nuk do të pendohen për zgjedhjen e tyre, duke premtuar angazhim të vazhdueshëm për respektimin e vullnetit të shprehur në kutitë e votimit.
“Si Aleancë dhe unë personalisht falënderoj të gjithë qytetarët që kanë votuar e posaçërisht ata që e kanë votuar Aleancën. Mund të ju them se kurrë nuk do të pendohen për votën e vet. Për ne kjo është një nisje e jashtëzakonshme dhe të gjithë ata që i kanë besuar asaj që kemi thënë gjatë fushatës, që besojnë në të ardhmen e Kosovës, që besojnë se një Kosovë duhet të bëhet e mirë për qytetarët e vet, nuk do të pendohen kurrë. Do të punojmë shumë që vota e tyre dhe vullneti i tyre të respektohet maksimalisht”, ka deklaruar ai.
Ai po ashtu ka kritikuar procesin zgjedhor, duke vlerësuar se fushata është zhvilluar në një terren jo të barabartë politik.
“Pavarësisht që kjo garë zgjedhore është mbajtur në një terren absolutisht jo fer politik, janë përdorur të gjitha mjetet e mundshme për ta kthyer rezultatin në favor të pushtetit, prapëseprapë qytetari i Kosovës ka treguar se e kupton ku jemi dhe e do vendin e vet”, ka thënë ai.
Ka reaguar edhe kryetari i deridjeshëm i kësaj partie, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se kur sovrani flet, të tjerët duhet të heshtin.
“Mirënjohës ndaj çdo angazhimi tuajin. Falënderues për besimin e dhënë. Ju që i besuat vizionit që patëm për një Kosovë të sigurt e të zhvilluar, ndryshimeve që bëmë, një rreshtimi të ri drejtues dhe sfidave për atdheun e përbashkët. Për ju që nuk ratë pre e propagandës dhe luftës hibride kundër nesh. Vota juaj këtë herë ishte më shumë sesa mbështetje për Aleancën. Ju na dhatë krahë që të vazhdojmë betejën e nisur për Kosovën që duam, të zhvilluar, sovrane e të pandashme, demokratike nga brenda dhe në partneritet të përjetshëm me aleatët, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook.
Vendi ka shkuar në zgjedhje, pasi Kuvendi nuk ka arritur ta zgjedhë presidentin.