Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

53 me 47

Kuvendi i Kosoves

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Të mërkurën pasdite ka përfunduar numërimi i votave me kusht dhe i atyre nga programi i votimit për persona me nevoja të veçanta. Me to është përmbyllur i gjithë procesi i numërimit. LVV-ja, si subjekti i parë, ka marrë 382 mijë e 865 vota ose 47.13 për qind të totalit, rezultat që ia ka siguruar asaj 53 ulëse në Kuvend, ndërsa bashkërisht PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja 47. E, te partitë opozitare është paralajmëruar reflektim. PDK-ja do t’i nisë zgjedhjet në shtator, e zgjedhje janë kërkuar edhe në LDK

Brenda dhjetë ditësh është përmbyllur numërimi i të gjitha votave të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit. Rezultati final është mësuar, pas numërimit edhe të votave me kusht dhe të atyre nga programi i votimit për persona me nevoja të veçanta.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si subjekti i parë, ka marrë 382 mijë e 865 vota ose 47.13 për qind të totalit, rezultat që ia ka siguruar asaj 53 ulëse në Kuvend. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Partia Demokratike (PDK) ka fituar 157 mijë e 893 vota ose 19.44 për qind dhe siguroi 22 mandate. 
Lidhja Demokratike (LDK) ka marrë 135 mijë e 559 vota apo 16.69 për qind, që përkthehen në 18 ulëse.

E, forcë e katërt ka dalë Aleanca, duke fituar 54 mijë e 731 ose 6.74 për qind që ia sigurojnë 7 ulëse në Kuvend.

Hapi i radhës në proces është auditimi, që nënkupton rinumërimin e 8 për qind të votave. 

Me këtë shpërndarje të mandateve, Lëvizja Vetëvendosje ka mundësinë ta formojë qeverinë pa pasur nevojë për koalicion me partitë e tjera shqiptare.

Por, për zgjedhjen e presidentit, çështje për të cilën vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme, nevojitet marrëveshje ndërmjet partive politike, në dy raundet e para të votimit kërkohet pjesëmarrja në sallë e së paku 80 deputetëve.

Me 53 deputetët e Vetëvendosjes dhe me 10 deputetët e komuniteteve, duke përjashtuar ata të Listës Serbe, një marrëveshje me PDK-në do të siguronte 86 vota në Kuvend. 

Ky numër përputhet me qëndrimin e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, i cili gjatë përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit në prill kishte deklaruar se një kuorum prej 85 ose 86 deputetësh ofron siguri për një proces të suksesshëm.

Një marrëveshje me LDK-në do të siguronte 82 vota, vetëm dy më shumë se minimumi kushtetues prej 80 deputetësh që nevojitet për të konsumuar raundin e parë dhe të dytë të votimit për president.

Më e vështirë është mundësia e formimit të qeverisë pa Vetëvendosjen.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja së bashku kanë 47 deputetë. 

Për të siguruar shumicën prej 61 votash, atyre do t’u duheshin edhe 14 deputetë të tjerë, çka nënkupton se, përveç komuniteteve, do të nevojiteshin edhe votat e Listës Serbe.

Pas sulmit terrorist në Banjskë në vitin 2023, partitë shqiptare nuk kanë bashkëpunuar me Listën Serbe, pasi ish-nënkryetari i saj, Milan Radoiçiq, mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Po ashtu, kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, para zgjedhjeve ka theksuar se Lista Serbe mbetet vijë e kuqe për bashkëpunim politik.

Por, gjuha mes eksponentëve të Vetëvendosjes dhe partive të tjera, është sforcuar, prej pas zgjedhjeve. E, përfaqësues të subjekteve politike nuk kanë folur për mundësinë e bashkëqeverisjes.

Ndërkaq, pakënaqësi me rezultatin janë shprehur brenda partive opozitare.

PDK-ja ka dhënë zotimin se do të reflektojë. Të mërkurën kjo parti ka mbajtur mbledhjen e rregullt të kryesisë, gjatë së cilës janë zhvilluar diskutime për përgatitjet për procesin e zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet e organizimit, nga nëndegët deri te pozita e kryetarit.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka theksuar rëndësinë e një procesi korrekt dhe transparent, “duke garantuar përmbajtje dhe standarde të larta demokratike në çdo hap të tij”.

“Në këtë kuadër, u vendos formimi i një grupi punues, i cili do të ketë përgjegjësi për përgatitjen teknike dhe ligjore të këtij procesi zgjedhor. Ky grup do të kujdeset për orientimin, mbarëvajtjen dhe strategjinë e përgjithshme, duke siguruar që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe të drejtë”, thuhet në njoftimin që PDK-ja e ka lëshuar pas mbledhjes së Kryesisë.

Në njoftim thuhet se afati i përcaktuar për fillimin e zgjedhjeve të brendshme është muaji shtator, “duke i dhënë kohë të mjaftueshme strukturave organizative për përgatitje të plotë dhe gjithëpërfshirëse”. 

Kryesia e PDK-së ka riafirmuar përkushtimin e saj për një proces demokratik, të drejtë dhe përfaqësues, në përputhje me standardet dhe traditën politike të kësaj partie.

Ndërkaq, ish-kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili ka siguruar mandatin e deputetit, ka thënë se rezultati i fundit zgjedhor duhet të shërbejë si thirrje për reflektim. 

“Ne nuk duhet ta pranojmë si normalitet një LDK në vendin e tretë. Një LDK me 16% nuk është LDK-ja që njohim, nuk është LDK-ja që ndërtoi shtetin dhe nuk është LDK-ja që i duhet Kosovës. Prandaj, krahas domosdoshmërisë që vendi të ketë sa më shpejt institucione të qëndrueshme dhe funksionale, ne kemi edhe një detyrë tjetër të madhe: të merremi me veten. Të merremi me LDK-në. Me LDK-në tuaj”, ka shkruar ai në rrjete sociale, pas përmbylljes së procesit të numërimit. “Është koha që LDK-ja të hapë një proces të ri zgjedhor të brendshëm, demokratik, transparent dhe gjithëpërfshirës. Një proces që bashkon, jo që përjashton. Që prodhon besim, jo ndarje. Që nxjerr në pah vlerat dhe energjinë më të mirë të partisë sonë”.

Ndonëse është përmbyllur numërimi, për t’u konstituuar Kuvendi duhet shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre. 

KQZ-ja kishte paraparë përfundimin e numërimit deri më 21 qershor, por procesi është mbyllur katër ditë më herët.

Nëse nuk paraqiten ankesa, shpallja e rezultateve përfundimtare mund të bëhet më 22 qershor, ndërsa certifikimi më 2 korrik.