OpEd

Integrimi i Shqipërisë në BE hyn në fazën praktike

Me hapjen e klasterit të parë, ky proces hyn në fazën praktike. Suksesi do të varet nga kapacitetet për përmbushjen e kritereve, nga konsensusi i brendshëm në Shqipëri dhe nga gatishmëria e BE-së për të përshpejtuar procesin. Negociatat kanë të bëjnë më shumë me madhësinë e vrimës në rrjetat e peshkatarëve sesa me deklaratat e bukura politike. Ky proces bëhet për shtetin dhe qytetarët, jo për politikanët. Përvoja më e mirë se s’ka rëndësi se kush është në pushtet në momentin kur të arrihet një sukses është pikërisht Shqipëria

Shqipëria të martën, më 15 shtator, në Luksemburg, do të hapë negociatat për klasterin e parë në procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Në procesin historik të integrimit në BE, ka disa hapa historikë. Si marrja e statusit të kandidatit, nisja e negociatave, përfundimi i negociatave, nënshkrimi i Traktatit të anëtarësimit dhe anëtarësimi në BE. Hapja praktike e kapitullit të parë në këtë proces, vërtet ka një rëndësi historike. Ky hap shënon kalimin e procesit nga niveli politik në atë praktik. Sepse fundi i fundit, procesi ka të bëjë me hapjen dhe mbylljen e kapitujve, dhe nga kjo varet dhe matet edhe suksesi i procesit. Jo nga qëndrimet dhe deklaratat politike. Sepse sikur të vlerësohej në bazë të deklaratave politike, si nga Shqipëria ashtu edhe BE-ja, anëtarësimi do të kishte ndodhur dhe harruar qëmoti. Se “Shqipëria e ka vendin në BE” dhe se “rruga drejt BE-së është e pakthyeshme” kemi dëgjuar nga goja e liderëve politikë që nga viti 2000, kur në Zagreb u zhvillua Samiti i parë BE-Ballkani Perëndimor. Jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin kemi dëgjuar fjalë të mira për perspektivën e garantuar evropiane. Ndërkohë përparimi drejt anëtarësimit ka qenë shumë i ngadalshëm. Në fakt, krahasuar me periudhën kohore që ka kaluar ka qenë një dështim i plotë. Shpesh për shkaqe politike nuk ka pasur lëvizje. Nganjëherë për interesa politike janë bërë disa lëvizje. Por jo të mjaftueshme. Dhe tash më në fund po nis pjesa praktike e negociatave edhe për Shqipërinë. Nëse ekipi negociator, Qeveria, Kuvendi (përfshirë edhe opozitën) do të kryejnë me vullnet dhe me profesionalizëm punën e tyre, Shqipëria ka mundësi të zërë hapin me dy vendet e tjera të rajonit që janë shumë para saj, me Malin e Zi dhe Serbinë.  

Imazhi i mirë politik që ka pasur për vite Shqipëria në sytë e BE-së nuk është shndërruar në përfitime në procesin e integrimeve. Tash me hapjen e klasterit të parë ky proces hyn në fazën praktike. Suksesi, pra, do të varet nga kapacitetet për përmbushjen e kritereve, nga konsensusi i brendshëm në Shqipëri dhe gatishmëria e BE-së për të përshpejtuar procesin. Negociatat kanë të bëjnë më shumë me madhësinë e vrimës në rrjetat e peshkatarëve sesa më deklaratat e bukura politike. Ky proces bëhet për shtetin dhe qytetarët e jo për politikanët. Përvoja më e mirë se s’ka rëndësi se kush është në pushtet në cilin moment kur të arrihet një sukses është pikërisht Shqipëria. Sukseset më të mëdha, si hyrja në NATO dhe liberalizimi i vizave, ndodhën gjatë mandatit të Sali Berishës. Ish-kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, që anëtarësoi vendin në NATO dhe bëri punën më të madhe për integrim në BE, ndodhet në burg. Prandaj nuk duhet personalizuar procesin, i cili është interes strategjik kombëtar. 

Shqipëria ka pasur episode të shumta të dështimeve për shkak të grindjeve të brendshme politike. Në secilin vend ka garë mes shumicës qeverisëse dhe opozitës, dhe kjo është pjesë përbërëse e demokracisë. Por vështirë të gjendet një vend ku kultura konfliktuoze politike i ka kushtuar shtetit aq shumë sa Shqipërisë. Kur gjatë mandatit të PD-së Shqipëria u bë anëtare e NATO-s dhe kur u liberalizuan vizat, ka pasur pjesëtarë të PS-së që nëpër takime ndërkombëtare thoshin se Shqipëria nuk e ka merituar këtë, sepse është “vend i krimit dhe korrupsionit”. Pastaj gjatë qëndrimit në opozitë, njerëz nga PD-ja kanë lobuar tek “miqtë e tyre” evropianë që “të mos i ndihmojnë Qeverisë Rama duke hapur negociatat e anëtarësimit”. Në kohën kur raportet mes opozitës dhe pushtetit në Shqipëri janë pothuajse në nivel të armiqësisë, do të duhej të punohej në ndërtimin e konsensusit dhe një koalicioni për Evropën. Do të duhej të arrihej një pajtim mes Qeverisë dhe opozitës që, përderisa të mund të grinden rreth çështjeve të tjera, të punojnë së bashku për avancim në procesin e integrimeve në BE, sepse tash po bëhet vetëm hapi i parë, ndërsa anëtarësimi do të vijë pas disa vjetësh, dhe askush nuk mund ta dijë sot se kush do të jetë në pushtet në ditën kur Shqipëria do të bëhet vend anëtar.

Edhe shoqëria civile dhe mediat duhet të jenë më pro aktive në mbështetjen dhe përcjelljen e procesit integrues. Duhet ta shohin këtë proces si rrugën më të mirë për t’ua përmirësuar jetën qytetarëve e jo si garë se kush përfiton politikisht. Mënyra se si në Shqipëri mbulohet procesi i integrimeve evropiane është tepër sipërfaqësore. Aq sa fitohet përshtypja nga raportet e disa mediave se nisja e negociatave për një nga 35 kapituj është pothuajse hapi vendimtar në prag të anëtarësimit në BE. Procesi tash kur ka hyrë në fazën praktike do të ndihmojë shumë që Shqipëria të ndryshojë për të mirë. Sepse duke i përmbushur kërkesat strikte, shumë prej të cilave janë të panegociueshme, por duhet të zbatohen, Shqipëria do të rrisë standardet dhe do të bëhet më e mirë edhe për qytetarët e saj. Shihet kjo në rastin e Kroacisë, vendi i cili edhe pas 11 vjetësh prej kur ka hyrë në BE, vazhdon të jetë “anëtari më i ri”.

Dhe duhet pasur kujdes që në raportet me vendet e BE-së të arrihet një balancë e duhur. Që raportet e mira politike të ndiqen me përmbushjen e kritereve në shtëpi. Sepse në mungesë të suksesit në reforma, mbështetja politike nuk do të mund të ndihmojë. E në anën tjetër mungesa e mbështetjes politike do ta bllokojë procesin edhe atëherë kur të përmbushen të gjitha kushtet, edhe për këtë ka pasur përvojë Shqipëria në dhjetë vjetët e fundit.

Suksesi që shënohet të martën me hapjen e klasterit të parë është, po ashtu, pasojë e përputhjes së dy kushteve; në njërën anë vullnetit politik në BE e në anën tjetër përmbushja e kritereve nga Shqipëria. Vërtet Hungaria ka bërë pjesën e vet të punës si kryesuese e radhës, dhe këtë nuk duhet mohuar. Por në anën tjetër kjo hapje ndodh për shkak se Greqia e ka hequr bllokadën e saj e jo për shkak të lidershipit të kryeministrit hungarez  Viktor Orban, dhe kryeministri i Shqipërisë duhet të ketë pak më shumë kujdes dhe të mos bëjë gafa sikur ajo se Hungaria është shembull për Shqipërinë se si bëhen reformat. Sepse Hungaria, e cila deklarativisht mbështet të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Kosovës, nëse është shembull për diçka është se si nuk duhet të bëhen reformat. Ndërsa nuk janë të paktë ata në BE, që pikërisht për shkak të përvojës jo të mirë me Hungarinë, janë skeptikë ndaj procesit të zgjerimit. 

Gjithsesi rasti që po i jepet Shqipërisë tash nuk do të duhej humbur. Sepse përvoja dëshmon se kur humbet një rast tjetri nuk vjen shpejt.