Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet në Kullë një person i kërkuar nga Interpoli, kërkohej nga autoritetet kroate

Arrestimi

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Kroacisë, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale që lidhen me kontrabandimin.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi është realizuar të shtunën, rreth orës 17:05, në pikën e kalimit kufitar në Kullë, nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitet e Policisë Kufitare.

I arrestuari është shtetasi kosovar me inicialet M. V., i cili kërkohej përmes Interpolit, bazuar në urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Kroacisë. Ai dyshohet për përfshirje në vepra penale që lidhen me kontrabandimin, të cilat janë të sanksionuara me legjislacionin penal kroat.

“Me urdhër të prokurorit kompetent, personit të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se procedurat e mëtejshme ligjore do të vazhdojnë në koordinim me institucionet kompetente.