SHBA-ja ka shpallur një shpërblim deri në 20 milionë dollarë për këdo që ofron informacione lidhur me programin bërthamor të Iranit.
Programi i Departamentit amerikan të Shtetit, “Shpërblime për Drejtësi” (Rewards for Justice), ka bërë të ditur se personit që siguron këto informacione mund t’i ofrohet edhe mundësia e zhvendosjes në një vend tjetër.
Presidenti Donald Trump pretendonte vitin e kaluar se objektet bërthamore të Iranit ishin shkatërruar plotësisht, pas një fushate bombardimesh të ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor dhe se nuk ka synim të zhvillojë armë bërthamore.
Ndërkohë, ushtria amerikane ka njoftuar se po krijon një task-forcë për të forcuar përpjekjet e Washingtonit për të kufizuar lëvizjen e armëve dhe materialeve që i nënshtrohen sanksioneve iraniane përtej kufijve të vendit.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) ka bërë të ditur se task-forca e quajtur “Iron Gate” (Porta e Hekurt) do të funksionojë nga Tampa, në Florida, dhe do të bashkëpunojë me agjenci të tjera të qeverisë amerikane.
Përveç lëvizjes së armëve, ajo do të përqendrohet edhe në kontrollin e materialeve me përdorim të dyfishtë dhe burimeve të paligjshme të të ardhurave.
Sipas vlerësimeve të CENTCOM-it, bllokada detare amerikane ndaj porteve të Iranit e ka penguar këtë të fundit të eksportojë naftë bruto në vlerë prej më shumë se 25 miliardë dollarësh.
Në një deklaratë lidhur me shpërblimin prej miliona dollarësh, Departamenti amerikan i Shtetitk ka thënë se po ofronte këtë shumë për informacione mbi programin iranin, përfshirë “objektet, pajisjet dhe personelin përkatëas”.
Sipas deklaratës, “mosrespektimi nga Irani i detyrimeve për masa mbrojtëse ndaj IAEA-s (Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike) ka bërë që kjo agjenci të humbasë vazhdimësinë e njohurive mbi prodhimin dhe inventarin e komponentëve kryesorë të Iranit, siç janë centrifugat bërthamore”.
Centrifugat janë të domosdoshme për prodhimin e uraniumit të pasuruar, i cili mund të përdoret për prodhimin e karburantit për reaktorët bërthamorë civilë, por edhe për armë bërthamore nëse pasurohet në një nivel prej rreth 90 për qind ose më shumë.
Kohët e fundit ishin shtuar spekulimet se SHBA-ja mund të rifillonte sulmet ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit, megjithëse Trumpi, para votimeve, u ka thënë gazetarëve se nuk po ngutej të ndërmerrte një hap të tillë.
Në një intervistë për Fox News, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit, presidenti amerikan ka thënë gjithashtu se SHBA-ja “mund të ketë nevojë të godasë malin Pickaxe”, një objekt nëntokësor i lidhur me programin bërthamor të Iranit.
Trumpi ka thënë se kjo “nuk ishte ndonjë punë e madhe” dhe se operacioni mund të kryhej brenda “një ore”.
Presidenti amerikan ka kërcënuar vazhdimisht edhe më parë se do ta bombardojë këtë objekt nëntokësor, për të cilin dyshohet se është i lidhur me programin bërthamor të Iranit.