Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Palokaj: Aplikimi i Kosovës për në BE është lënë në harresë

Korrespodenti i Kohës në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar se Kosova aktualisht i ka të mbyllura rrugët e integrimit në Bashkimin Evropian, nëse integrimi nënkupton procesin formal të negociatave për anëtarësim.

Duke folur në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ai tha se procesi nis me dorëzimin e aplikacionit, shqyrtimin e tij, dhënien e statusit të vendit kandidat dhe më pas me hapjen e mbylljen e kapitujve negociues. Sipas tij, asnjë nga këto hapa nuk ka ndodhur gjatë katër viteve të fundit.

"Po kalojnë radhazi presidencat e vendeve të ndryshme të BE-së dhe askush nuk po e vë në diskutim çështjen e dhënies së statusit të kandidatit për Kosovën. Pothuajse është harruar se Kosova ka aplikuar për anëtarësim. Dyert do të hapen vetëm kur shtetet anëtare ta mandatojnë Komisionin Evropian që ta shqyrtojë aplikimin e Kosovës", tha Palokaj.

Ai shtoi se përderisa ka shtete anëtare që nuk dëshirojnë të shqyrtohet aplikacioni i Kosovës, situata do të mbetet e pandryshuar.

Duke komentuar zhvillimet në rajon, Palokaj tha se Shqipëria është më përpara se Kosova dhe Serbia në procesin e integrimit evropian, por ende pas Malit të Zi. Sipas tij, Shqipëria pritet të mbyllë tre kapituj negociues, duke hyrë për herë të parë në fazën e mbylljes së kapitujve, një hap që ai e cilësoi historik. Ai shtoi se në Bruksel, Mali i Zi shihet si vendi me gjasat më të mëdha për t'u anëtarësuar së shpejti në Bashkimin Evropian.

Palokaj komentoi edhe emërimin e diplomatit gjerman Dirk Schubel si përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën. Ai tha se Schubel ka përvojë të gjatë në diplomacinë evropiane dhe atë gjermane, ndonëse nuk ka qenë shumë i angazhuar në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, emërimi i tij ka befasuar shumë diplomatë, ndërsa pritet që Schubel ta marrë detyrën në muajin shtator.

Edhe Kolumne 17 o. më parë Shqipëria e ka rrugën e gjatë, e Kosova të mbyllur drejt BE-së

“Pritet që ai ta marrë postin që nga muaji shtator dhe zyra e BE-së të ketë një ambasador fuqiplotë. Nuk besoj se njohja e tij me Rusinë  mund të ketë ndonjë mangësi apo përparësi. Unë nuk do t’i kisha dhënë ndonjë rëndësi njohjes që ai ka për Rusinë”, ka thënë ai.