Aktorët britanikë Robert Pattinson dhe Nicholas Hoult thuhet se kanë marrë pjesë në audicione sekrete për rolin e agjentit të famshëm James Bond. Të dy janë emra surprizë në listën e kandidatëve që po shqyrtohen nga regjisori Denis Villeneuve për filmin e ardhshëm të sagës 007.
Sipas “The Hollywood Reporter”, Pattinson dhe Hoult iu bashkuan aktorëve Callum Turner, Jack Lowden dhe Josh O’Connor, të cilët muajin e kaluar morën pjesë në audicione në Londër. Pattinson ka bashkëpunuar më parë me Villeneuve në filmin e ardhshëm “Dune 3”. Ndërkohë, dy aktorët njihen edhe për rolet e tyre në universin e DC Studios, ku Pattinson ka interpretuar Batmanin, ndërsa Hoult personazhin Lex Luthor.
Pjesëmarrja e tyre në audicione vjen si surprizë, pasi së fundmi ishte raportuar se Josh O’Connor kishte siguruar rolin e James Bondit. Aktori 36-vjeçar, i njohur për interpretimin e Princit Charles në serialin “The Crown”, besohej se ishte në listën e ngushtë të kandidatëve dhe se kishte kaluar me sukses fazat përfundimtare të përzgjedhjes me studion Amazon MGM.
Madje, gazeta “The Sun” raportoi se lajmi për përzgjedhjen e O’Connorit ishte zbuluar nga një prej kolegëve të tij në shfaqjen teatrale “Golden Boy”, pas disa gotave birrë në një pub në Soho të Londrës. Sipas burimit, kolegu kishte deklaruar se aktori do të ishte James Bondi i ardhshëm dhe se O’Connor ua kishte konfirmuar këtë kolegëve gjatë një feste pas përfundimit të shfaqjes, në fund të tetorit.
Megjithatë, vetë O’Connor kishte reaguar më herët ndaj spekulimeve, duke e cilësuar si “shumë të çuditshme” faktin që emri i tij po përmendej për rolin e agjentit 007. Në një intervistë për BBC-në, ai kishte thënë se ishte e jashtëzakonshme të konsiderohej në të njëjtën kategori me aktorët që kanë interpretuar këtë personazh, por kishte refuzuar të komentonte më tej pretendimet.
Pavarësisht raportimeve për përzgjedhjen e O’Connorit, audicionet e Pattinsonit dhe Houltit tregojnë se gara për rolin e James Bondit mund të jetë ende e hapur. Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar nga Amazon MGM Studios apo ekipi i filmit se kush do të jetë pasardhësi i agjentit legjendar 007.