OpEd

Harmonia kurioze e Trumpit me Bidenin

Trump dhe Biden nuk mund të jenë individë më të ndryshëm. Por nëse e injorojmë zhurmën ditore dhe shikojmë pak nën sipërfaqe do të kuptojmë se në fakt ka shumë pak dallime thelbësore në politikën e jashtme të Trumpit dhe Bidenit

Ndonëse kanë kaluar vetëm dy javë duket sikur Trump është kthyer president që një vit. Intensiteti i zhvillimeve na ka mjegulluar orientimin kohor. Dhe nuk kemi faj. Brenda këtyre dy javëve Trump ka shpallur synimin për aneksimin e Grenlandes dhe Kanadasë, marrjen e Kanalit të Panamasë, ndryshimin e emrave të maleve dhe oqeaneve, vendosjen e tarifave Kinës, Meksikës dhe Kanadasë, mbylljen e USAID-it, spastrimin e Gazës nga Palestinezët, etj., etj. Një intensitet i këtillë i zhvillimeve do të mjaftonte për të mbushur mandatin e një presidence të tërë lërë më dy javë të para të saj.

Shumë kush ka tentuar të jap shpjegim ideologjik këtyre veprimeve të Trumpit duke e vendosur kështu presidencën Trump në kategorinë e presidencave jokonvencionale amerikane sikur ato të Presidentit Nixon dhe Reagan. Sidoqoftë, mendoj që shpjegimin më të mirë të sjelljes së presidencës së Trumpit e ka ofruar strategu i tij i vjetër, Steve Bannon. Kohë më parë Bannon ka këshilluar Trumpin se në ushtrimin e pushtetit presidencial armiqtë e vërtetë nuk janë demokratët, por media. E mënyra më e mirë për të luftuar mediat është që “të mbushim diskursin publik me mut”. Të krijohet sa më shumë konfuzion. Pra ideja është që të prodhohen aq shumë lajme sa që (1) mediat nuk do të kenë kohë të verifikojnë çdo gjë që thuhet dhe bëhet, dhe (2) intensiteti i zhvillimeve dhe lajmeve të krijojë përshtypjen te pjesa dërrmuese e qytetarëve amerikanë se diçka po ndodh dhe gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur. E çfarë me të vërtetë po ndodh nuk është me rëndësi sepse politika është show – është teatër. Çdo gjë mund të jetë e vërtetë dhe asgjë mund të mos jetë e vërtetë. Qëllimi është që të krijohet një mjedis hutues ku faktet humbin rëndësinë dhe e vërteta bëhet relative. Në këtë mjedis pastaj zëri më i fuqishëm shndërrohet në të vërteten absolute. E nuk ka zë më të fuqishëm se zëri i presidentit të SHBA-së.

Dhe kjo është pikërisht çfarë pamë këto dy javë të fundit. Trumpi përmbyti diskursin publik me një avalansh të vendimeve dhe deklaratave. Piktura që u krijua është që Trump ka vendosur Amerikën me një kurs radikalisht tjetër politik nga ai i Bidenit. Një Amerikë që vendos interesat e Amerikës në rend të parë. Por nëse e injorojmë zhurmën e Trumpit dhe shikojmë pak nën sipërfaqe do të kuptojmë se në fakt ka shumë pak dallime thelbësore në politikën e jashtme të Trumpit dhe Bidenit.

Të dy presidencat kanë trajtuar Kinën dhe Rusinë si “konkurrent strategjik” të SHBA-së. Bideni ka vazhduar (dhe në fakt ka ashpërsuar) tarifat e Trumpit të cilat iu vendosën Kinës gjatë presidencës së tij të parë. Ai shfrytëzoi pushtimin rus të Ukrainës për të avancuar politikat e Trumpit për rritje të shpenzimeve të NATO-s për mbrojtjen dhe pavarësinë ekonomike dhe energjetike të kontinentit evropian nga Rusia. Ai zbatoi marrëveshjen e Trumpit me talibanët për tërheqjen nga Afganistani. Dhe sikur Trumpi ai refuzoi të përtërijë marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe të shfrytëzojë konfliktin në Lindje të Mesme për të degraduar edhe më fort kapacitetet ushtarake të Iranit. Në Lindjen e Mesme Bideni përqafoi marrëveshjen e Abrahamit të Trumpit dhe vazhdoi marrëdhëniet e mira të Trumpit me MBS-in e Arabisë Sauditë – të cilin në fushatë e kishte shpallur diktator.

Dhe tani kur stafeta kalon te Trumpi gjasat janë të mëdha që Trumpi përkundër narracionit publik do të vazhdojë politikat kyçe të Bidenit. Në fakt disa tani më i ka konfirmuar. Trumpi vazhdoi të mbështes Ukrainën me armë duke vazhduar politikat e Bidenit karshi Rusisë. Njëkohësisht, sikur Bideni, Trumpi do të vazhdojë të insistojë në rritje të shpenzimeve të NATO-s për mbrojtjen dhe autonominë ekonomike dhe energjetike të BE-së nga Rusia. Po njëjtë, Trumpi po vazhdon të sigurojë Izraelit “carte blanche” të përkrahjes gjithëpërfshirëse politike dhe ushtarake. Është vetevidente që Trumpi do të thellojë edhe më tutje bashkëpunimin me Arabinë Saudite. Sikur Bideni, Trumpi do të vazhdojë të kundërshtojë ngritjen e Kinës si dhe do të vazhdojë të çimentojë prezencën e SHBA-së në Paqësor – qoftë në mënyrë direkte, qoftë përmes aleancave sikur ajo e QUAD-it. 

Po deshët shikoni edhe rajonin tonë. Politikat e Bidenit në rajonin tonë kanë qenë në thelb identike me politikat e administratës Trump. Të dy ato kanë projektuar politiken e tyre mbi rëndësinë e ruajtjes së aleancës dhe partneritetit me akterin kyç të rajonit tonë – Serbinë. Jo sepse e duan Serbinë, por sepse realisht është faktor më i rëndësishëm në rajonin tonë. Dhe kjo patjetër do të vazhdojë edhe gjatë presidencës së dytë të Trumpit.

“E pluribus unum” ka qenë moto e SHBA-së që nga themelimi i saj. Atë e gjeni në flamuj, logot zyrtare, ndërtesa publike, kartëmonedha – çdo kund. Dhe atë e gjeni edhe në politikë të jashtme. “Nga shumë, një” reflekton qasjen amerikane se përkundër mosmarrëveshjeve të tyre të brendshme në skenën ndërkombëtare ata çdo herë do të përfaqësohen të bashkuar. Kjo është edhe arsyeja përse konsistenca e politikes së jashtme amerikane nuk është risi. Minimalisht që nga lufta e dytë botërore ndryshimi i administratave nga demokratët tek republikanët dhe “vice versa” asnjëherë nuk ka ndryshuar vektorët kryesorë të politikës së jashtme amerikane. Ato nuk kanë ndryshuar sepse ato diktohen nga faktorët strukturorë sikur traditat historike, vlerat politike, aspiratat kulturore, burimet natyrore, gjeografia dhe ekonomia. E këto themelet e politikes amerikane në natyrën e tyre nuk ndryshohen shpejt. Kjo është edhe arsyeja përse asnjë presidencë e vetme deri më sot nuk ka arritur t’i ndryshojë ato. Këto nuk do t’i ndryshojë as Trumpi.