Arbëri

Liburn Aliu prezantohet si drejtor i Portit të Durrësit

Liburn Aliu Durres

Luburn Aliu

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku, ka prezantuar ish-ministrin e Mjedisit në Kosovë, Liburn Aliu, si drejtuesin e ri të portit të Durrësit.

Balluku vlerësoi figurën e Aliut, duke e cilësuar atë profesionist të mirë, të gatshëm për të kontribuuar për Shqipërinë dhe Kosovën.

“Drejtimi duhet të jetë në duar të mira dhe profesionale. Kreshnik Bajraktari do të marrë një detyrë të re, stafetën do t’ia lerë një kolegu të mirë që e kam njohur në punë. Liburn Aliu drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës, arkitekt në profesion, por me karrierë të gjatë në politikë. Liburni një koleg i mirë që Kosovën dhe Shqipërinë i ka parë si një treg i përbashkët. Në shtator bëra një bisedë me Liburnin nëse do të kishte interes që të kontribuonte për Shqipërinë dhe ma ngrohu zemrën sepse iu duk një propozim interesant që i shkonte vendimit të tij për të jetuar në Tiranë”, ka thënë ajo, raportoi “A2CNN”.

Mes të tjerash, Balluku foli dhe për portin e ri që do të ndërtohet në Porto Romano, i cili sipas saj do të fillojë nga puna brenda vitit 2026.

“Portin e Durrësit, i cili ka kaluar periudha reformimi që konsistojnë nga ndërtimi i një porti të ri deri në tërheqjen e kapaciteteve të reja. Ky port do t’i shërbejë Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Prej kohësh, keni nisur një proces të gjatë që do të përfundojë përpara 2030 ashtu edhe siç parashikohet në strategjinë për zhvillimin e sektorit detar. Ne kemi nisur një plan zhvillimi të një porti të ri në afërsi të Durrësit, duke qenë se Durrësi është një vend strategjik. Jemi në fazën e fundit për ndërtimin e këtij porti. Pesë kompani kanë garuar dhe në 31 janar do të kemi fituesin. Do të vazhdohet me negocimin e kontratës me synimin për të nisur ndërtimin e portit të ri brenda 2026. Sipas llogaritjeve ky port duhet të jetë gati për 3 vite. Porti i ri i Durrësit parashikohet që të jetë dhe një bazë e NATO-s e vendosur në zemër të Mesdheut dhe në Shqipëri si një aleat”, u shpreh Balluku. 

E Aliu në fjalimin e tij ka thënë se e vlerëson nder nga Shqipëria emërimin e tij. Ka thënë se është mision sfidues, e Portin e Durrësit e ka cilësuar gjithëshqiptar.

“Kosova pjesën dërrmuese të mallrave e merr nga porti i Durrësit”, ka thënë ai. Ai ka thënë se Porti duhet të jetë konkurrent për të gjithë rajonin.

VIDEO:

Aliu në Qeverinë Kurti ka mbajtur postin e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nga viti 2021 deri në gusht të këtij viti, kur dha dorëheqje — një ditë pas votimit të Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit. Në një postim në Facebook, Aliu ishte shprehur se pikërisht ky ishte shkaku i dorëheqjes së tij, ani se është raportuar shumë kohë më herët për ftohje të raporteve mes tij dhe kryeministrit Kurti.

Rasti i Aliut nuk është i vetmi kur zyrtarë të lartë nga Kosova kanë kaluar për të shërbyer në Shqipëri. 
Vlora Hyseni, ish-zëvendëskryeshefe e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, në vitin 2023 u emërua drejtoreshë e Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë. Ajo ishte shkarkuar në qershor të vitit 2021 nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Kryeministri Rama e pati angazhuar këshilltar edhe ish-shefin e Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna.

Për një periudhë, në kabinetin qeveritar të Shqipërisë ka shërbyer edhe ministri në detyrë i Kulturës, Hajrullah Çeku, që aktualisht është kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës. Në garë për Prishtinën ishte edhe Besa Shahini, që shërbeu si ministre e Arsimit në Qeverinë Rama.