Qeveria në Shqipëri ka zyrtarizuar të martën emërimin e ish-ministrit në qeverinë Kurti 2, Liburn Aliu, si drejtor të Portit të Durrësit. Ministrja e linjës, Belinda Balluku, e ka quajtur Aliun profesionist dhe si më të zotin nga të gjithë kosovarët që kanë shërbyer në Shqipëri. E vetë Aliu ka premtuar se do të punojë edhe për të mirën e Kosovës
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, ka prezantuar të martën ish-ministrin e Mjedisit të Kosovës, Liburn Aliu, si drejtues të ri të portit të Durrësit.
Balluku ka thënë se Aliu është profesionist dhe i gatshëm të punojë edhe për Kosovën, edhe për Shqipërinë.
Ajo ka theksuar se edhe në të kaluarën ka pasur zyrtarë nga Kosova që kanë shërbyer në pozita publike në Shqipëri, por për Aliun është shprehur se është “më i spikaturi nga ta”.
“Drejtimi duhet të jetë në duar të mira dhe profesionale. Kreshnik Bajraktari do të marrë një detyrë të re, stafetën do t’ia lerë një kolegu të mirë që e kam njohur në punë. Liburn Aliu drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës, arkitekt në profesion, por me karrierë të gjatë në politikë. Liburni një koleg i mirë që Kosovën dhe Shqipërinë i ka parë si një treg i përbashkët. Në shtator bëra një bisedë me Liburnin nëse do të kishte interes që të kontribuonte për Shqipërinë dhe ma ngrohu zemrën sepse iu duk një propozim interesant që i shkonte vendimit të tij për të jetuar në Tiranë”, ka thënë ajo, përcjell “A2CNN”.
E ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në qeverinë e Kosovës, Liburn Aliu, ka thënë se me rritjen e kapaciteteve të Portit të Durrësit, Kosova dhe Shqipëria e rrisin ndërvarësinë, çka, sipas tij, i bën të dyja vendet më të zhvilluara. Po ashtu ai ka thënë se e vlerëson nder nga Shqipëria emërimin e tij dhe se detyra e re është mision sfidues. Portin e Durrësit, Aliu e ka cilësuar gjithëshqiptar.
“Kosova ka nevojë të ketë lidhje të forta në portin e Durrësit në mënyrë që përmes tij të shpërndahen mallrat në të gjithë rajonin, kjo i krijon asaj mundësi të mira të zhvillimit ekonomik. Gjithashtu, kjo mundësi e përhapjes së mallrave edhe përmes Prishtinës dhe Shkupit do të bënte që Porti i Durrësit, të duhet t’i zgjerojë kapacitetet që kjo sasi e mallrave që janë të shumëfishohet”, ka thënë Aliu.
Të hënën mediat në Shqipëri kanë raportuar për këtë emërim, por lajmi nuk është konfirmuar nga Ministria e linjës e as nga vetë Aliu deri të martën.
Në mandatin qeverisës 2021-2025, Aliu ka mbajtur postin e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Ai ka dhënë dorëheqje në gusht të këtij viti, një ditë pas votimit të Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit. Në një postim në Facebook, Aliu ishte shprehur se pikërisht Basha ishte shkaku i dorëheqjes së tij.
E në propozimin për kabinetin e ri qeveritar, që nuk mori votat e deputetëve, Kurti e ka përfshirë edhe Bashën si ministër, pikërisht të dikasterit që e udhëhoqi Aliu.
Pos Aliut, edhe të tjerë zyrtarë nga Kosova kanë shërbyer në Shqipëri.
Vlora Hyseni, ish-zëvendëskryeshefe e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, në vitin 2023, ishte emëruar drejtoreshë e Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë. Ajo ishte shkarkuar në qershor të vitit 2021 nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Kryeministri Rama e pati angazhuar këshilltar edhe ish-shefin e Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna.
Për një periudhë, në kabinetin qeveritar të Shqipërisë ka shërbyer edhe ministri në detyrë i Kulturës, Hajrullah Çeku, që aktualisht është kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës. Në garë për Prishtinën ishte edhe Besa Shahini, që ka shërbyer si ministre e Arsimit në Qeverinë Rama.