Ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, është intervistuar për disa orë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Siç ka njoftuar për KOHËN zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, Aliu është intervistuar për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se i pandehuri L.A., është intervistuar në kuadër të veprimeve hetimore, lidhur me veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare’. Për shkak të fazës së procedurës nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, tha Arbnora Luta.
Aliu nuk u deklarua për arsyen e ftesës nga Prokuroria por theksoi se ndihet i lehtësuar që ka pasur mundësinë të sqarohet. Aliu ka thënë se deri tani është mbrojtur në heshtje për të gjitha akuzat për periudhën sa ka qenë ministër në Qeverinë Kurti.
“Është lehtësim që pas dy vitesh heshtje pata mundësinë ta sqaroj pak situatën para Prokurorisë për të gjithë atë sulm dhe pretendim të vazhdueshëm ndaj meje i cili ka degraduar aq shumë por që unë jam përgjigjur me heshtje. Për të gjithë periudhën sa kam qenë ministër kam vepruar në përputhje me ligjin, sipas rekomandimeve të ZKA-së. Nuk ka asnjë vendim i cili mundet të më ndërlidhë me këtë proces. Për pretendimin për mosveprim, i tërë rasti ka qenë i audituar nga ZKA-ja, ka pasur rekomandime dhe është vepruar në bazë të rekomandimeve. Ka qenë një rast i mirë që pata mundësinë ta sqaroj para Prokurorisë të gjithë këtë. Jam i lehtësuar”, ka deklaruar Aliu.
Para dy vjetësh, Aliu kishte thënë se është i gatshëm të bashkëpunoj me drejtësinë pas raportimeve për hetim në rastin e ambalazhuesve.
Siç raportohej, më 11 tetor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi një muaj paraburgim Naser Hafizit, i cili mbante pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Hafizi dyshohej se kundërligjshëm inicioi nxjerrjen e vendimeve për zvogëlimin e borxheve.
Edhe
Ish-ministri Aliu intervistohet nga Prokuroria Speciale
Borxhi që operatorët ekonomikë kishin ndaj Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ishte afër 20 milionë euro.
Paraburgimi iu zëvendësua me arrest shtëpiak Hafizit, ndërsa më vonë edhe kjo masë iu zëvendësua me masë të ndalimit “për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.”
Aliu ka qenë ministër deri në gusht të vitit 2025. Aktualisht, ai ushtron pozitën e drejtorit të portit të Durrësit në Shqipëri.