Në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd, në fondin e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, ruhet elaborati i akademik Aliu Aliut për sigurimin e ndihmës financiare rreth botimit të revistës – gazetë në gjuhën shqipe si organ i Shoqatës së Shqiptarëve “Përpjekja” në Beograd. Elaborati nuk mban datë, por akademik Aliu thotë se kjo ka qenë në pranverën e vitit 1958. Sipas dëshmisë së tij, elaborati i është dorëzuar Kryetarit të atëhershëm të Rinisë së Komitetit Qendror të Rinisë Popullore të Jugosllavisë, Miko Tripalo (1926 - 1995) në zyrën e tij në Beograd. Në vijim po e sjellim tekstin integral të elaboratit ashtu siç është arkivuar
Si rezultat i zhvillimit tonë të vrullshëm shoqëroro–ekonomik dhe zhvillimit kulturor të vendit tonë socialist, kohëve të fundit është rritur dhe vazhdon të rritet me një intensitet të përshpejtuar edhe numri i studentëve shqiptarë në universitete të ndryshme. Mundësitë e shumta që po na i siguron bashkësia shoqërore, e kanë kushtëzuar që një numër i madh i studentëve dhe i rinisë, krahas detyrave shkollore të merret me letërsi por edhe me veprimtari kulturore dhe artistike. Paralelisht me zhvillimet e tilla është formuar edhe një publik i lexuesve të rinj, te të cilët në mënyrë të pareshtur po rritet kërkesa për të renë dhe progresiven në letërsi, art dhe kulturë.
Për këtë qysh para disa vjetësh janë manifestuar shumë dëshira dhe midis studentëve dhe rinisë, prandaj edhe ka pasur përpjekje për plotësimin e kësaj nevoje me botimin e një reviste apo gazete në gjuhën shqipe. Krahas rritjes së numrit të studentëve shqiptarë në Universitetin e Beogradit, si fryt i aktiviteteve të tyre në fushën e letërsisë dhe të kulturës, në vitin 1957 u formua Shoqata Letrare “Përpjekja” e cila për një kohë relativisht të shkurtër e zhvilloi një aktivitet të madh dhe në mesin e saj tërhoqi shkrimtarët e rinj shqiptarë dhe punëtorët kulturor.
Me Shoqatën “Përpjekja” në mënyrë të vazhdueshme bashkëpunuan studentët shqiptarë të universiteteve tjera të Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë dhe të interesuarve të tjerë. Në mbrëmjet letrare dhe kulturore që i organizoi “Përpjekja” u lexuan shumë punime nga gjinia e novelës, satirës, poezisë, esesë, kritikës e të tjera. Por në mungesë të një reviste apo gazete të studentëve në gjuhën shqipe, përpjekjet e artdashësve përfunduan vetëm me aktivitetet e organizuara në ato mbrëmje.
Në veprimtarinë e Shoqatës “Përpjekja” morën pjesë emrat e njohur të fushës së letërsisë dhe të kulturës së pakicës kombëtare shqiptare në Republikën Popullore Federative të Jugosllavisë, si për shembull Mehmet Hoxha, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Serbisë, shkrimtari Sutki Imami, njëherësh autor i përmbledhjes së parë me novela, “Drejt ditëve të reja”, doktor Vojislav Dončetović, doktor Idriz Ajeti, Hasan Kaleshi, profesorët, docentët, asistentët sikurse edhe studentët, autorët, prozatorët dhe eseistët Latif Berisha, autor i përmbledhjes së parë të poezive në gjuhën shqipe “Tufa”, Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Muhamed Kërveshi, Agim Gjakova, Zekeria Cana, Mensur Raifi, Ali Aliu, Idriz Hyseni, Hysni Hoxha, Muslim Mulliqi e të tjerë.
Prandaj mendojmë se janë pjekur të gjitha kushtet për fillimin e daljes në dritë të revistës – gazetës, veçanërisht kur merret parasysh që kjo veprimtari krijuese për çdo ditë po bëhet më serioze dhe e pasur, saqë kjo shoqatë letrare në të ardhmen pritet të shndërrohet në Shoqëri Kulturore “Përpjekja” dhe të aprovohet Rregullorja e Punës në përvjetorin e Kuvendit Themelues, që u mbajt në nëntor të këtij viti dhe ku u rekomandua që të ndërmjetësohet për revistën, pasi kjo tani është dëshirë dhe nevojë e të gjithë studentëve shqiptarë që merren me krijimtari dhe me aktivitete letrare dhe kulturore.
Jemi të mendimit se me rëndësi të veçantë është edhe momenti ndërkombëtar që medoemos kërkon që të dëgjohet edhe zëri i intelektualit të ri shqiptar, që do të gjente hapësirë në një pjesë të mirë të revistës, veçmas në hedhjen poshtë të akuzave të pabaza dhe dashakeqëse që po vijnë nga vendet e Blloku Lindor dhe veçmas nga Shqipëria.
Ekzistencën e kësaj reviste, si kontribut të zhvillimit të përgjithshëm kulturor e justifikon edhe vetë qëllimi dhe karakteri i saj që mund të përfshihet në pikat vijuese:
a) revistën-gazetën do ta përcjellin edhe shkrimet dhe lëvizjet e ndryshme në art dhe kulturë, që me karakterin e saj specifik do të jetë e rëndësisë së përgjithshme.
b) do të jetë një tribunë e lirë që do t’iu afrojë mundësi studentëve dhe bashkëpunëtorëve tjerë, që të shkëmbejnë përvojat e tyre teorike dhe praktike në gjetjen e një drejtimit të përbashkët të përhapjes së ideve progresive dhe të botëkuptimeve të drejta materialiste në kulturë dhe art, dhe
c) me vendosjen e disa rubrikave që nuk ekzistojnë te revistat tjera, paraqitjes së figurave të njohura, të problemeve teorike dhe artistike, përkthimeve nga fusha e letërsisë, të artit dhe kulturës në gjuhë të ndryshme të Perëndimit dhe të Lindjes dhe rubrika tjera të zgjeruara sikurse edhe të paraqiturit të karakterit profesional të tyre, problemeve të gjuhës, estetikës, studimeve të letërsisë, pikturës, skulpturës, muzikës dhe filmit, kjo revistë do t’u afrojë material të begatshëm studentëve, nxënësve të klasave të larta të gjimnazeve, punëtorëve privatë dhe intelektualëve të tjerë, që thellësisht janë të interesuar për probleme të këtilla.
Kjo revistë, që do të jetë organ i studentëve shqiptarë të Jugosllavisë, do të afrojë mundësi të bashkëpunimit të gjithë punëtorëve të interesuar kulturor.
Botimin e revistës do ta marrin mbi vete studentët e Universitetit të Beogradit, veçmas ata që merren me këto çështje dhe të cilët kanë kualitete profesionale politiko – ideologjike.
E theksojmë se për drejtimin dhe redaktimin e kësaj reviste, përgjegjës do të jetë kolegjiumi redaktues, që do të emërohet dhe i cili në punën e vet do t’i përmbledhë dëshirat dhe kërkesat e shoqërisë së gjithmbarshme socialiste.
Sipas pritjeve tona, që mbështeten në nevojat imediate, vlerësojmë se revista – gazeta mund të dalë si dymujore. Në fillim do të dilte me tirazh 1800 deri 2000 ekzemplarë. Sipas përllogaritjeve të përafërta botimi i një numri do të kushtonte 200 000 dinarë, duke mos i llogaritur honoraret. Çështjen e shitjes së revistës tashmë e llogarisim si punë të kryer, duke e marrë parasysh se numri i lexuesve është tejet i madh.
Rrjedhimisht, nëse do të mund të siguroheshin mjetet materiale numri i parë i revistës - gazetës do ta shihte dritën në një të ardhme shumë të afërt.
Këtë elaborat po ua afrojmë në shqyrtim me shpresën që të na ndihmoni materialisht dhe moralisht.
Vdekje Fashizmit - Liri Popullit!
Sekretari i Shoqatës Letrare – Kulturore
Ali Aliu