Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Automobili - shërbëtor i mirë, por zotëri i keq

Automobili ka një rëndësi të jashtëzakonshme në jetën moderne, andaj sot është e pamundur të bëhet ndonjë veprim pa shfrytëzimin e tij, por ai mbart edhe rreziqe të konsiderueshme.

Sipas dispozitave të Ligjit mbi Rregullat e Trafikut Rrugor, “automjet është çdo mjet që lëviz në rrugë me fuqi të motorit të vet.” Por, a lëviz automobili me gjithë atë fuqi të motorit, i cili nuk mund të krahasohet me fuqinë e njeriut apo duhet drejtuar nga njeriu? 

Automobili lëviz në rrugë me komandën e njeriut, respektivisht shoferit. Për drejtimin e automobilit kërkohen aftësi fizike, psikike, edukative, njohuri ligjore e shumë karakteristika të tjera. Për aftësimin e një shoferi nuk mjafton vetëm edukimi në autoshkollë dhe marrja e patentës, por edhe përvoja gjatë ngasjes, andaj shoferi gjithmonë duhet ta mbajë nën kontroll automjetin. Të gjitha këto kushte janë të parapara me Ligjin mbi Rregullat e Trafikut Rrugor.

Çdo shkelje e rregullave të trafikut mund të jetë shkaktar i aksidentit në trafik, duke filluar nga hyrja në trafik, kthimi, përparësia e kalimit, përshtatja e shpejtësisë, trafiku në kryqëzim, distanca e sigurisë, tejkalimi, ndikimi i alkoolit dhe shumë rregulla të tjera.

Faktori kryesor i aksidenteve është mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes së mjetit. Me të lidhen edhe mbajtja e distancës, tejkalimi, anashkalimi e rregulla të tjera, andaj sot përdorim sloganin “shpejtësia vret.”  Tek shpejtësia nuk duhet kuptuar vetëm çështjen teknike që sa më e madhe është shpejtësia, aq më i madh është dëmi, por edhe anën psikologjike, ku gjatë marrjes se vendimit të shoferit për frenim, sa më e madhe të jetë shpejtësia, kalohet rrugë më e gjatë e lëvizjes, andaj rritet “sekonda psikike”. 

Edhe Problemet më të shpeshta në udhëtim? Nuk janë aksidentet Reklama Problemet më të shpeshta në udhëtim? Nuk janë aksidentet

Sa u përket aksidenteve në trafik, ky vit ka filluar keq. Zakonisht fillon keq edhe për shkak të sezonit dimëror. Në ketë stinë paraqiten edhe befasi në rrugë siç janë: pas një kthese befasisht hasim në mjegull, hasim në shtresë të rrëshqitshme nga bora apo akulli. 

Më i rrezikshmi është “akulli i zi”, i cili është një nga shkaktarët që rrezikon të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke filluar nga këmbësorët, automjetet, por edhe në transportin ajror ku ngrihen pistat dhe pengohen ngritja dhe aterrimi i aeroplanëve. 

Akulli i zi paraqitet kur sipërfaqja e lagët ngrihet pas shiut, pas shkrirjes së borës ose kur bie shi i ngrirë. 

“Akulli i zi” më së shumti paraqitet në vende nën hije, mbi ura, në vende ku ka derdhje, por edhe kur njerëzit e papërgjegjshëm lënë automjetet afër rrugës dhe kështu gomat bartin lagështinë me qindra metra. Preferohet që shoferi para se ta vazhdojë ngasjen ta provojë sipërfaqen e rrugës duke frenuar në një distancë të vogël. 

Është gabim, sidomos te shoferët fillestarë, që frenojnë mbi sipërfaqen e ngrirë. Kur gjatë drejtimit të mjetit vërejmë një sipërfaqe të ngrirë, duhet frenuar para se të hyjmë mbi atë sipërfaqe, pastaj lëshojmë komandën e frenimit dhe vazhdojmë frenimin pasi që ta kemi kaluar akullin.

Gjatë analizave dhe ekspertizave të aksidenteve në trafik, ekspertët përmendin ata tre faktorë të sigurisë: njeri, automjet dhe rrugë. Por, njeriu është faktori kryesor si subjekt. Automjeti dhe rruga janë objekte. Shpeshherë behën gabime në interpretime, siç janë “automjeti humbi kontrollin dhe doli nga rruga.” Kontrollin e humb shoferi ndaj automjetit, sidomos kur shoferi më nuk është “zotëri” i automjetit.

Sipas dispozitave ligjore, ndalohet ta drejtojë mjetin shoferi që është i lodhur, i sëmurë ose që ndodhet në gjendje të tillë psikike, saqë është i paaftë për ta drejtuar mjetin në mënyrë të sigurt, si dhe shoferi që është nën ndikim të narkotikëve, barnave dhe substancave në udhëzimin e të cilave është e shënuar se ndalohet përdorimi i tyre para ose gjatë kohës së drejtimit të mjetit. Njashtu shoferi mund të dërgohet në kontroll të jashtëzakonshëm shëndetësor.

Edhe 11 viktima në aksidente gjatë korrikut, ekspertët kërkojnë më shumë masa parandaluese Arbëri 11 viktima në aksidente gjatë korrikut, ekspertët kërkojnë më shumë masa parandaluese

Me ligjin më të ri u ashpëruan dënimet, por shihet se kjo nuk dha ndonjë efekt pozitiv. Nëse bëjmë një analizë të thjeshtë të dënimeve gjatë 24 orëve dhe i shumëzojmë për një vit, atëherë mesatarja del se çdo shofer është i dënuar gjatë vitit, bile ka edhe recidivist, andaj duhet përdorur sa më shumë mjete teknike, sidomos me “elementin e befasisë”, duke vendosur kamera e radarë statikë në rrugë, si dhe mjete të tjera që sot gjenden në dispozicion.
Autori është ekspert i trafikut rrugor