TEMPUS

Kabashi: Pronat e Radoiçiqit ende nuk janë të shtetit, Sveçla e Haxhiu kanë gënjyer

Flamur Kabashi

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Flamur Kabashi, në emisionin “Tempus” në KTV, ka theksuar se pronat e ish-nënkryetarit të Listës Serbe dhe njëherësh organizatorit të sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, Milan Radoiçiq ende nuk janë në pronësi të shtetit.

“Forma se si ka dalë ministrja Haxhiu me Sveçlën se pronat janë të shtetit, realisht kanë gënjyer sepse ato ende nuk janë. Kosova disponon në mënyrë të përkohshme me ato prona”, ka deklaruar Kabashi.

Ai ka thënë se përveç Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Gjykatës, me këtë nuk kanë të bëjnë Qeveria dhe Ministria, andaj sipas tij është e pakuptueshme se si dalin të flasin për gjyqësorin kur kemi vendim të gjykatës lidhur me atë çështje.

“Pa marrë parasysh vullnetin e mirë politik që e kanë pasur dhe dëshirës për t’u sekuestruar apo konfiskuar pasuria, por nuk kanë të bëjnë në asnjë veprim përpos zinxhirit Polici-Prokurori dhe Gjykatë, falë tyre këto prona tani i disponojnë, disa të përhershme dhe disa të përkohshme institucionet tona”, është shprehur Kabashi.

Ai ka deklaruare se ekzekutivi nuk ka dorë në këtë punë.

“Vila ende nuk është pronë e Kosovës, me atë pronë është duke menaxhuar Agjencia”, është shprehur Kabashi, duke thënë se kjo e fundi mund të propozojë të përdoret por jo ta marrë në përdorim gjithmonë.


Kabashi: Banjska dosje voluminoze, të merret koha e duhur për një aktakuzë cilësore

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Flamur Kabashi, ka thënë se rasti i Banjskës është një dosje voluminoze, andaj duhet të ketë mjaftueshëm kohë në dispozicion në mënyrë që të ngrihet aktakuzë cilësore.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Kabashi ka theksuar se duhet të bëhet një aktakuzë, e cila është e provueshme në secilën pikë të saj.

Kabashi ka deklaruar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke e trajtuar rastin dhe është brenda afatit ligjor.

“Nga monitorimi kemi kuptuar që kemi të bëjmë me një numër të madh të provave materiale me një dosje që ndoshta nuk është ndeshur sistemi i drejtësisë më herët dhe për këtë arsye jemi këtu ku jemi në muajin e shtatë dhe nuk kemi aktakuzë të ngritur”,  ka deklaruar Kabashi.

Ai ka thënë se ka pasur edhe raste të tjera Prokuroria ka marrë kohë më shumë, por në momentin e ngritjes së aktakuzës, është parë që ka qenë aktakuzë efektive dhe ka qenë më lehtë e provueshme.

Sipas tij janë duke u kryer ekspertiza balistike të armëve, të cilat janë përdorur gjatë kryerjes së veprave penale.

“Gjithsesi që këto ekspertiza balistike që janë duke u bërë, sipas asaj qe kemi informata do të zgjasin dhe marrin kohë për përpilimin e të njëjtave”, është shprehur Kabashi.

Ai ka theksuar se rasti është i natyrës së rëndë dhe se organet e drejtësisë janë duke punuar në këtë drejtim.

“Kujtojmë që në këtë çështje penale kemi një numër të konsiderueshëm të DVR dhe të kamerave të cilave Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Gjykatën janë duke i analizuar dhe dita ditës gjithmonë dalin duke hapë pamje të reja dhe nga ajo që kemi informata dalin persona të dyshuar të rinj dhe të njëjtit duhet të analizohen”, ka deklaruar Kabashi.