Arbëri

Mbyllet për publikun seanca në rastin “Banjska”

Banjska

Foto: Driton Paçarada

(E përditësuar në 10:13) - Seanca gjyqësore në rastin “Banjska”, është mbyllur për publikun dhe mediat.

Kërkesën për mbyllje të seancës e ka bërë prokurori Naim Abazi. 

Ai ka thënë seanca duhet të mbyllet për t'ia mbrojtur identitetin dëshmitarit F1, për shkak se sipas tij mund të rrezikohet jeta e tij e po ashtu edhe ecuria e çështjes.

"Dëshmitari është nën masa të veçanta të sigurisë dhe ruajtja e anonimitetit të tij është kusht për paraqitjen dhe dhënien e dëshmisë së tij. Prandaj propozoj që kjo pjesë të zhvillohet pa praninë e medias dhe publikut", është shprehur Abazi. 

Kjo është kundërshtuar nga avokatët e të akuzuarave të cilët kanë thënë se ai mund të dëshmojë nga dhoma teknike me video-lidhje, ku mund t’i ndryshohet pamja dhe zëri.

Ndërkohë që është mbështetur nga Naim Rudari, avokat i palës së dëmtuar. 

Kryetari i trupit gjykues Arben Hoti, ka thënë se ndryshimi i fotografisë dhe zërit nuk përmbushin kërkesat për ruajtjen e anonimitetit të dëshmitarit. 


Sot mbahet seanca për rastin “Banjska”

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë në orën 9:30 pritet të vazhdojë seanca gjyqësore në rastin “Banjska” ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq. 

Seanca kishte dështuar të mbahet të premten e javës që shkoj pasi për shkak të mungesës së një dëshmitari të Prokurorisë, i cili është identifikuar si A2. 

Lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 të pandehurve - Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesa Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Smigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Dukiq, Danillo Virijeviq, Alleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedeljkoviq, Nikolla Illiq dhe Vladan Illiq.

Aktakuza i ngarkon ata me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. 

Në aktakuzë thuhet se ky grup, nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar që “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”. 

Si lider i këtij grupi është identifikuar Radoiçiqi, për të cilin thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiqi gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.
Në Kosovë, ai, gjithashtu, dyshohet se ka gisht ne vrasjen e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq, si dhe në frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnjë-Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Autoritetet në Kosovës e kanë kualifikuar sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe e kanë akuzuar Serbinë se qëndron prapa tij.