As në fazën në vijim të procesit gjyqësor për rastin “Banjska”, dy nga tre të akuzuarit nuk do të flasin për rolin në aktin terrorist. Ata kanë vendosur të mbrohen në heshtje. E, i akuzuari tjetër ka thënë se pasi ta shohë një video, të cilën prokuroria e ka si provë kundër tij, do ta japë versionin për akuzat.
Trupi gjykues ka miratuar provat në rastin e tre të akuzuarve për sulmin në Banjskë, listën e të cilave e ka paraqitur një ditë më parë prokurori special, Naim Abazi. Në mesin e tyre janë edhe raporte të dërguara nga Departamenti i Shtetit, që në bazë të gjurmimeve të telefonave dëshmojnë vendndodhjen e të pandehurve në kohën kur është kryer sulmi terrorist.
Në seancën e së premtes, trupi gjykues nuk i ka dhënë të drejtë mbrojtjes së të akuzuarve, që ka kontestuar ligjshmërinë e procesit të ekzaminimit të telefonave.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoI akuzuari Dushan Maksimoviq është i vetmi që ka pranuar të japë versionin e tij lidhur me akuzat. Por, avokati i tij ka kërkuar që paraprakisht ta shihet një video, e cila është në kuadër të provave inkriminuese për Maksimoviqin.
“Dushani do ta japë mbrojtjen e tij pranë gjykatës, mirëpo ne për sot këtë gjë nuk mund ta bëjmë, sepse Dushani nuk ka mund të njoftohet me shkresat e lëndës. Prandaj propozoj që me mundësi ta shohim videoincizimin në qendrën e paraburgimit, që seancën tjetër Dushani ta japë mbrojtjen e tij dhe të deklarohet”, ka thënë Jovana Filipoviq, avokate e të akuzuarit Maksimoviq.
Kërkesën e avokates e ka mbështetur i akuzuari Maksimoviq.
“E nderuara Gjykatë unë pajtohem me propozimin e mbrojtjes dhe është e nevojshme që të njoftohem me videoincizimet, ashtu që të deklarohem në një seancë tjetër”, ka deklaruar ai.
Ndryshe nga ai, të akuzuarit e tjerë kanë thënë se do të mbrohen në heshtje.
“Shfrytëzoj të drejtën time dhe do të mbrohem në heshtje”, kanë deklaruar Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq.
Gjatë seancës, avokati Naim Rudari, që mbron zyrtarin policor Alban Rashiti, i cili është plagosur gjatë sulmit, paraqiti prova materiale, përfshirë raporte mjekësore dhe fotografi të lëndimeve. Ato tregojnë plagët e Rashitit, por edhe të zyrtarit tjetër policor, Çlirim Shaqiri, të cilat u janë shkaktuar gjatë sulmit.
“Alban Rashiti këto plagë i ka pësuar, njëkohësisht kur heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku pësoi plagë vdekjeprurëse të cilat janë shkaktuar drejtpërdrejt nga grupi terrorist, pjesë e të cilin ishin edhe të akuzuarit që janë në sallë”, ka theksuar Rudari.
Krahas Toliqit, Spasojeviqit dhe Maksimoviqit, për sulmin terrorist në Banjskë akuzohen edhe 42 persona.
Prokuroria Speciale e Kosovës, përveç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave.
Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.
Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.
Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.
Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.
Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.
Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.
Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet.
Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës më 11 shtator, gati një vit pas sulmit në Banjskë.
Në këtë fshat në veri të Kosovës, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator, 2023, duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.