Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shpallja e aktgjykimit për rastin “Banjska” më 24 prill, të akuzuarit mohojnë akuzat

banjska

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shpallja e aktgjykimit për rastin Banjska është caktuar të mbahet të premten e 24 prillit.

Në seancën gjyqësore ku u mbajt fjala përfundimtare e të akuzuarve, Dushan Maksimoviq tha se është falënderues ndaj mbrojtjes që ja ka bërë avokatja e tij dhe se beson që herën e ardhshme do ta falënderojë trupin gjykues me rastin e lirimit të tij nga akuzat. 

Ndërsa dy të akuzuarit e tjerë, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq u deklaruan se nuk duan të marrin pjesë në shpalljen e aktgjykimit.

Ndryshe nga ta, Maksimoviqi ka thënë se dëshiron të jetë i pranishëm në sallë.

Prokuroria në fjalën përfundimtare të dhënë të mërkurën që shkoi ka kërkuar burgim të përjetshëm për Spasojeviqin, Toliqin e Maksimoviqin.

Ata janë në mesin e 42 personave të akuzuar për këtë rast.

Javën që shkoi Stefan Raduloviqi është arrestuar si i dyshuar për sulmin në Banjskë. Sipas Prokurorisë ai dyshohet për terrorizëm e për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.


Toliqi mohon përfshirjen në rastin "Banjska", kërkon gjykim vetëm mbi prova dhe jo dënim për të tjerët

I akuzuari për sulmin në Banjskë të Zveçanit, Vladimir Toliq, në fjalën përfundimtare që po mbahet këtë të hënë, ka kërkuar që të mos dënohet për, siç ka thënë, atë që nuk e ka bërë dhe të mos e mbajë barrën e atyre që janë arratisur. 

Toliq tha se nuk ishte i armatosur në momentin e arrestimit. 

"S'kërkoj gjë tjetër përveç asaj që e thotë ligji: që të gjykohem në bazë të provave...Në aktakuzë thuhet se jam plagosur rëndë dhe se kam qenë i armatosur rëndë...Zollën në bazë të raportit policor nuk e kam pasur në krah", ka thënë ai para trupit gjykues.

Toliqi i është drejtuar edhe familjes së tij me mesazhin që të jenë të fortë, duke e shfajësuar veten në lidhje me sulmin e para më shumë se dy vjetëve.

“I lutem Zotit çdo ditë që t'i japë forcë e qëndrueshmëri në këto ditë të rënda. Ju them që duhet të jini krenarë me mua, të flini të qetë pasi unë fle i qetë sepse këto duar nuk janë të përgjakura, askënd s'e kanë lënduar, në askënd nuk kanë shtënë, e Zot mos e bëj, nuk e kanë vrarë askënd”, ka theksuar ai.

Avokati i Toliqit, Milosh Deleviq, ka thënë se pa veprim të individualizuar nuk ka përgjegjësi penale.

“Në këtë procedurë nuk vlerësohet situata politike, por veprimet konkrete të një personi konkret. Gjykata duhet të përcaktojë se çfarë saktësisht ka ndërmarrë Vladimir Toliq. Pa veprim te individualizuar nuk ka përgjegjësi penale”, ka thënë ai. 

Deleviqi kërkoi që Toliqi të mos dënohet për kryerje të veprës terroriste. Ai tha se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale kryengritje e armatosur. 

"Nuk është vërtetuar se ka gjuajtur me armë zjarri, se është njeri familjar, se nuk është i dënuar, e kemi një shprehje në serbisht se ai ishte ‘vrima e fundit e kavallit’… fëmijët e tij po rriten pa të", ka shtuar ai.


I akuzuari në rastin “Banjska”: Më vjen keq që kam marrë pjesë, i kam shkrepur vetëm dy plumba

I akuzuari për sulmin në Banjskë të Zveçanit Blagoje Spasojeviq, në fjalën përfundimtare ka thënë se “i vjen keq që ka marrë pjesë në atë ngjarje”

Ai ka thënë se i ka shkrepur vetëm dy plumba.

“E kam shqyrtuar disa herë që ta pranoj fajësinë dhe po të ishte reale kjo aktakuzë edhe do ta bëja atë. Jam fajtor që atë ditë isha në fshatin Banjskë dhe ky ishte gabimi më i madh në jetën time”, ka deklaruar Spasojeviq.

Ai ka thënë se nuk mund t’i referohet vetës si terrorist.

“Jam fajtor për këtë, por i nderuar trup gjykues, veten nuk mund ta quaj terrorist meqë askënd s'e kam vrarë, askënd s'e kam lënduar dhe asnjë plumb nuk e kam gjuajtur ndaj policisë e as ndokujt tjetër. Nga pushka ime, që më është gjetur mua, ka mundur të vërtetohet se janë shkrepur dy plumba - të dy në reflektorin që ka qenë në manastir’, ka thënë Spasojeviq.

Prokuroria në fjalën përfundimtare të dhënë të mërkurën që shkoi ka kërkuar burgim të përjetshëm për Spasojeviqin, Vladimir Toliqin dhe Dushan Maksimoviq.

Ata janë në mesin e 42 personave të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë.

VIDEO:


Avokati: Nuk është vërtetuar se sa plumba i ka shkrepur Spasojeviqi

Lubomir Pantoviq, avokat i të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë, Blagoje Spasojeviq, në fjalën përfundimtare, në seacën që po mbahet të hënën, ka thënë se nuk është vërtetuar se sa pblumba i ka shkrepur i mbrojturi i tij.

“(Blagoje Spasojeviqi) ka qenë i gatshëm për pranimin e fajit… po të ishte ndryshe kjo aktakuzë. Po të ishte vetëm me një pikë (v.j një akuzë e jo dy) dhe të po mos ishte për shkëputja dhe bashkimi i territorit (pjesë e aktakuzës). Por prokuroria e ka futur në aktakuzë edhe pikën e dytë… unë nuk e kontestoj faktin se te i pandehuri im janë gjetur grimcat e baruti që ka ardhur te përfudnimi që ka gjuajtur me armë zjarri…Gjatë hetimit nuk është kryer ekspertiza e armës së tij… nuk është vërtetuar se a ka gjuajtur 1 plumb, 20 apo më shumë… nuk ka pasur asnjë pengesë që të bëhet ekspertiza e tillë”, ka theksuar Pantoviq.

Ai ka thënë se Spasojeviqi nuk ka qenë udhëheqës i grupit.

"Nuk ishte komandat, nuk ishte udhëheqës, nuk ishte anëtar i spikatur i grupit... Ka shprehur gatishmëri për zhdëmtimin e të dëmtuarve", është shprehur Pantoviq.

Ai ka thënë se përshkrimi i dispozitivit të aktakuzës përputhet me veprën penale “kryengritje e armatosur” e jo “kryerje të veprës terroriste” dhe se nuk është vërtetuar se qëllimi ka qenë që të shkëputen komunat në veri të Kosovës nga tërësia territoriale e vendit.


Mbrojtja kërkon sqarim nga Prokuroria për rolin e Spasojeviqit në rastin “Banjska”

Lubomir Pantoviq, avokat i të akuzuarit për sulmin terrorist në “Banjskë”, Blagoje Spasojeviq, në fjalën përfundimtare ka kërkuar nga Prokuroria që të tregojë se cili është roli i të mbrojturit të tij në rastin për të cilin akuzohet, pasi sipas tij, kjo nuk është shkruar në aktakuzë.  

“Cili ka qenë roli i të mbrojturit tim prokuror? Kjo nuk është e shkruar në aktakuzë, nuk është thënë në fjalë përfundimtare, se çka ka bërë Blagoje Spasojeviq ... Prokuroria speciale është dashur të shkruajë në aktakuzë, të tregojë e edhe ta vërtetojë se çka kanë bërë konkretisht individët në ditën kritike në Banjskë … pa konkretizim të veprimeve dhe pa përshkrim të saktë nuk është e mundur të flitet për përgjegjësi penale … Përgjegjësia penale para së gjithash është individuale, jo për atë që e kanë bërë njerëz të tjerë”, ka thënë Pantoviq.

Ai ka thënë se në tërë aktakuzën emri i Spasojeviqit përmendet vetëm tri herë.

Vetë arsyetimi i aktakuzës përmban 121 faqe tekst dhe emri i Blagoje Spasojeviqit përmendet 3 herë, në faqen 87 kur përmendet arrestimit të tij që nuk ka të bëjë me përgjegjësinë penale të tij… (v.j thuhet se ishte me pranga në duar), sikur mënyra e arrestimit të ishte me peshë për përgjegjësinë penale… Është përmendur 3 herë dhe në mënyrë krejt sipërfaqësore”, ka deklaruar Pantoviq.

Ai a thënë se i gjithë përshkrimi faktik është dhënë në shumës “’Kanë ikur në fund’ për të gjithë 43 të akuzuar. Nuk ka përshkrim për asnjë të akuzuar veç e veç. Nga ky përshkrim nuk është e mundur të sqarohet se çfarë ka bërë saktësisht i mbrojturi im Blagoje Spasojeviqi .....Prokuroria është dashur që ta precizojë se çka ka bërë Blagoje Spasojeviqi, dhe këtë nuk kemi”, ka deklaruar Pantoviq.

Prokuroria në fjalën përfundimtare të dhënë të mërkurën që shkoi ka kërkuar burgim të përjetshëm për Spasojeviqin, Vladimir Toliqin dhe Dushan Maksimoviq.

Ata janë në mesin e 42 personave të akuzuar për këtë rast.

Javën që shkoi Stefan Raduloviqi është arrestuar si i dyshuar për sulmin në Banjskë. Sipas Prokurorisë ai dyshohet për terrorizëm e për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Emri i Raduloviqit nuk figuron në listën e të akuzuarve në aktakuzën e ngritur për rastin “Banjska”.