Stefan Raduloviqi që u arrestua një ditë më parë për sulmin në Banjskë, dyshohet për terrorizëm e për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Në kërkesën e prokurorisë për masë paraburgimi, të cilën e ka siguruar KOHA, thuhet se Raduloviqi vendosi të mbrohet në heshtje, kur e ballafaquan me provat.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për Stefan Raduloviq, i dyshuar për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, ka mësuar KOHA.
36-vjeçari, me vendbanim në Mitrovicë të Veriut, është arrestuar të premten nga Policia në pikëkalimin kufitar në Merdar dhe dyshohet për terrorizëm dhe për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBazuar në kërkesën për paraburgim të Prokurorisë Speciale, të cilën e ka siguruar KOHA, ai akuzohet se së bashku me Milan Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë synuan ta ndanin veriun nga Kosova.
“I pandehuri Stefan Raduloviq duke vepruar së bashku me të pandehurin Milan Radoiçiq e kishte cilësinë e kreut të grupit të strukturuar... sipas përgatitjeve dhe planit të mirorganizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Emri i Raduloviqit nuk figuron në listën e të akuzuarve në aktakuzën e ngritur për rastin “Banjska”. Në kërkesën e Prokurorisë theksohet se ndaj tij Policia ka paraqitur kallëzim penal shtesë më 5 mars të këtij viti, si dhe kallëzim penal plotësues këtë të shtunë.
Në kërkesë thuhet se kallëzimeve penale u janë bashkëngjitur të gjitha provat materiale nga vendi i ngjarjes, përfshirë pajisjet elektronike e komunikimet.
“Ndërmjet tyre janë zhvilluar biseda lidhur me sigurimin dhe përgatitjen e mjeteve shpërthyese (granata) si dhe për çështje logjistike, përfshirë sigurimin e çantave dhe pajisjeve të nevojshme për transportimin e tyre. Në një komunikim tjetër të datës 07.09.2023 zhvillohet biseda lidhur me përgatitjen e automjeteve dhe pajisjeve mbrojtëse (jelekë antiplumb) ku po ashtu përmendet edhe lëvizja drejt zonës së Kopanikut, çka dëshmon për përgatitje të koordinuara paraprake”, thuhet në kërkesë.
Sipas Prokurorisë, Raduloviqi ka shmangur në mënyrë aktive bashkëpunimin me organet e ndjekjes penale, duke dhënë edhe deklarime kontradiktore.
“Nga procesverbali i marrjes në pyetje të të pandehurit në Polici, i datës 17.04 2026 rezulton se i pandehuri ka tentuar të ndërtojë një alibi lidhur me vendndodhjen e tij për datat 23 dhe 24 shtator 2023. Megjithatë deklarimet e tij janë të paqëndrueshme dhe përmbajnë kundërthënie të theksuara. Në momentin kur është ballafaquar me prova materiale, i njëjti ka zgjedhur të mbrohet në heshtje. Këto rrethana të marra së bashku përforcojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprat penale që i vihen në barrë”, është thënë tutje në kërkesën për paraburgim nga Prokuroria Speciale.
Bazuar edhe në sjelljen e tij gjatë procedurës penale, prokurori special ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit dhe ka vlerësuar se ekziston rreziku real, konkret dhe i lartë i arratisjes së të pandehurit nëse lihet të mbrohet në liri.
Këtë të mërkurë Prokuroria Speciale ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për sulmin terrorist në Banjskë gjatë fjalës përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve Blagoje Spsojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.