Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Arrestohet një i dyshuar për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë

Banjska

Foto-ilustrim: Banjska

Foto: Driton Paçarada

Prokuroria Speciale ka njoftuar se e ka ndaluar një person, nën dyshimin për përfshirje në sulmin terrorist të 24 shtatori 2023 në Banjskë të Zveçanit. Përderisa Prokuroria dha vetëm inicialet, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se bëhet fjalë për Stefan Raduloviqin, për të cilin tha se kërkohej.

Sipas njoftimit zyrtar nga Prokuroria Speciale, i dyshuari është arrestuar nga Policia në pikëkalimin kufitar në Merdar. Ai është ndaluar për 48 orë, me vendim të prokurorit. Sipas njoftimit, i arrestuari dyshohet  për kryerjen e veprave penale: “kryerja e veprës terroriste” dhe “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe Kodin e Procedurës Penale, duke garantuar njëkohësisht ruajtjen e integritetit të hetimeve në zhvillim”, thuhet në njoftim të Prokurorisë Speciale.
E ministri Sveçla ka thënë se “terroristët nuk kanë vend në vendin tonë e as nuk do të mund t’i ikin përgjegjësisë pafundësisht”. 

“Sot, u arrestua edhe një terrorist i dyshuar, në kërkim, Stefan Raduloviq në lidhje me rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit me qëllim aneksimin e veriut. Koha e tolerancës ka përfunduar. Ata do të kapën kudo që hasën. Vazhdojmë pa ndalur për kushtetushmëri e ligjshmëri”, ka shkruar ai në Facebook.

Arrestimi i tij ndodh kur në rastin ndaj tre të arrestuarve të tjerë ka mbetur vetëm shpallja e vendimit nga gjykata. Prokuroria Speciale ka kërkuar burgim të përjetshëm për Blagoje Spasojeviqin, Vladimir Toliqin dhe Dushan Maksimoviqin.

Asnjëri nga tre serbët e arrestuar gjatë sulmit në Banjskë, e të cilët gjykohen për terrorizëm, nuk e kanë pranuar fajësinë. Dy nga ta, Blagoje Spsojeviq dhe Vladimir Toliq, janë mbrojtur në heshtje. E, fjala përfundimtare për të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre është paraparë për të hënën, pas së cilës ditë do të shpallet gjykimi.

Gjatë sulmit terrorist në Bansjkë është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërkaq janë plagosur dy policë të tjerë. E, gjatë aksionit me të cilin policia është kundërpërgjigjur ka arritur t’i vrasë tre anëtarë të grupit prej më shumë se 40 personash që kryen sulmin. Ndërkaq, ka arritur t’i kapë dy, e më vonë edhe të tretin.

Më 24 shtator 2023 një grup i armatosur serbësh me armatim të rëndë, sulmoi Policinë në fshatin Banjskë të Zveçanit. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, synimi i tyre ishte që ta ndanin veriun nga Kosova. 

Për sulmin terrorist në Banjskë akuzohen edhe 42 persona, por të cilët ndodhen në Serbi. Në krye të grupit terrorist ka qenë Milan Radoiçiq, i cili atëkohë ishte nënkryetar i Listës Serbe dhe njëri nga bashkëpunëtorët e presidentit serb, Aleksander Vuçiq. Përgatitjet për këtë sulm dhe të tjera aktivitete terroriste në Kosovë, ky grup i ka kryer në Serbi, përfshirë edhe në ambientet e ushtrisë së Serbisë.

Emri i Raduloviqit nuk figuron në listën e të akuzuarve.