Prokuroria Speciale dhe përfaqësuesit e palëve të dëmtuara në rastin e sulmit terrorist në Banjskë kanë kërkuar dënim maksimal për tre të akuzuarit. Prokurori i rastit, Naim Abazi, tha se provat dëshmojnë për sulm të organizuar, të planifikuar, me armatim të rëndë, me qëllim të destabilizimit të strukturave kushtetuese të Kosovës dhe që kishte për qëllim ndarjen e veriut. Abazi tha se dënimi me burgim të përjetshëm është i vetmi proporcional, në raport me aktin kundër integritetit kushtetues të Kosovës
Dënim me burgim të përjetshëm për sulmin terrorist në Banjskë ka kërkuar të mërkurën prokurori special, Naim Abazi, gjatë fjalës përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve Blagoje Spsojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Prokurori Abazi tha se ky është i vetmi dënim proporcional, në raport me aktin kundër integritetit kushtetues të Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Sulmet e organizuara dhe të armatosura kundër institucioneve shtetërore nuk tolerohen dhe ndëshkohen me ashpërsinë me të lartë të paraparë me ligj. Nëse në një rast me këto përmasa, me këtë shkallë organizimi dhe me këtë pasojë fatale nuk aplikohet dënimi maksimal, atëherë dobësohet ndjeshëm efekti parandalues i ligjit penal dhe krijohet perceptimi i rrezikshëm i relativizimit të cenimit të rendit kushtetues”, ka thënë prokurori Abazi. “Prokuroria vlerëson se dënimi i vetëm proporcional në përputhje me veprën penale është burgimi i përjetshëm”.
Prokurori Abazi ia ka rikujtuar gjykatës se Spasojeviqi në momentin e arrestimit ishte i unifromuar, me jelek antiplumb dhe mbante kallashnikov të mbushur me municion e Toliqi në momentin e arrestimit ishte i veshur me uniformë kamuflazh dhe i armatosur rëndë.
Ndërsa për Maksimoviqin theksoi se pati rol organizativ.
“Përfshirja direkte e të pandehurit Dushan Maksimoviq në këtë komunikim konfirmohet në mënyrë të pakontestueshme në orën 06:06:59, kur pyetet ‘Kur i mbushim shtyllat’, ndërsa ai përgjigjet, ‘rreth orës 11:30’. Kjo përgjigje përbën akt të drejtpërdrejtë koordinimi për vendosjen e barrikadave, duke e lidhur atë funksionalisht me realizimin e planit operativ”, ka thënë prokurori.
Gjatë sulmit terrorist në Bansjkë është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërkaq janë plagosur dy policë të tjerë. E, gjatë aksionit me të cilin policia është kundërpërgjigjur ka arritur t’i vrasë tre anëtarë të grupit prej më shumë se 40 personash që kryen sulmin. Ndërkaq, ka arritur t’i kapë dy, e më vonë edhe të tretin.
Avokati i familjes së Afrim Bunjakut, Arianit Koci, theksoi se sulmi në Banjskë e lëndoi familjen e rreshterit të policisë. Ai tha se të pandehurit nuk shprehën kurrfarë pendese, as distancim e as kërkimfalje.
“Familja e Afrim Bunjakut vazhdon të vuajë, asnjë nuk jemi në lëkurën e tyre. Ata po vazhdojnë me u vra çdo ditë. Ia kanë marrë anëtarin e familjes i cili ka qenë në krye të detyrës, një polic i respektuar, një njeri shumë i mirë, për shkak se e ka mbrojtur rendin juridik”, ka thënë avokati Koci. “Me këtë sulm nuk është vrarë vetëm Afrimi, por të gjithë ne jemi vrarë, andaj e kërkoj dënimin me burgim të përjetshëm në emër të familjes”.
E avokatët e policëve Çlirim Shaqiri dhe Alban Rashiti, që u plagosën gjatë sulmit, kërkuan kompensim dëmi dhe theksuan se të dëmtuarit vazhdojnë t’i ndiejnë pasojat e sulmit që e kryen të akuzuarit.
“Çlirim Shaqiri nga ky sulm terrorist, nga këta të pandehur dhe shokët e tyre u lëndua si nga aspekti fizik dhe psikik, ku i njëjti akoma nuk ka filluar punën dhe nuk është rehabilituar”, ka thënë Besjana Ismaili, avokate e Shaqirit.
Në linjë me të foli edhe avokati i Rashitit, Naim Rudari.
“Tentuan të vrasin edhe shumë persona të tjerë e të aneksojnë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Alban Rashiti, nga ky sulm terrorist, nga këta të pandehur dhe shokët e tyre pësoi plagë të rënda trupore, plagë në këmbë, plagë tjetër në gjoks afër zemrës e po ashtu edhe plagë të shumta psikike ku akoma nuk ka rifilluar punën dhe akoma nuk është shëruar e rehabilituar nga veprimet e tyre kriminale”, ka thënë ai.
Asnjëri nga tre serbët e arrestuar gjatë sulmit në Banjskë, e të cilët gjykohen për terrorizëm, nuk e kanë pranuar fajësinë. Dy nga ta, Blagoje Spsojeviq dhe Vladimir Toliq, janë mbrojtur në heshtje. E, fjala përfundimtare për të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre është paraparë për të hënën, pas së cilës ditë do të shpallet gjykimi.
Më 24 shtator 2023 një grup i armatosur serbësh me armatim të rëndë, sulmoi Policinë në fshatin Banjskë të Zveçanit. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, synimi i tyre ishte që ta ndanin veriun nga Kosova.
Për sulmin terrorist në Banjskë akuzohen edhe 42 persona, por të cilët ndodhen në Serbi. Në krye të grupit terrorist ka qenë Milan Radoiçiq, i cili atëkohë ishte nënkryetar i Listës Serbe dhe njëri nga bashkëpunëtorët e presidentit serb, Aleksander Vuçiq. Përgatitjet për këtë sulm dhe të tjera aktivitete terroriste në Kosovë, ky grup i ka kryer në Serbi, përfshirë edhe në ambientet e ushtrisë së Serbisë.