Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Policia: “Vila e Radoiçiqit” vëzhgohet 24 orë nga kamerat, s’ka pasur asgjë të kundërligjshme

Vila e Radoiciqit

Policia e Kosovës nëpërmjet një sqarimi zyrtar ka thënë se vila e kryeterroristit të Banjskës, Milan Radoiçiq, vëzhgohet 24 orë nga kamerat e sigurisë dhe se aty gjatë mbikëqyrjes nuk ka pasur asnjë aktivitet të kundërligjshëm.

Në një paraqitje televizive ditë më parë, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, akuzoi ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla për “prostitucion në vilën e Radoiçiqit” në veri.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Policia e Kosovës në një reagim në Facebook ka thënë se njësitet e saj të profileve të ndryshme kujdesen për sigurinë e objektit të përfolur dhe hapësirës përreth.

“Objekti sigurohet nga zyrtarët policorë dhe i njëjti vëzhgohet 24 orë nga kamerat, të cilat mbikëqyren nga zyrtarët policorë dhe qendra operative. Çdo lëvizje apo hyrje-dalje në këtë objekt, monitorohet nga policia dhe se hyrja-dalja, bëhet vetëm nga personat e autorizuar që u lejohet qasja, siç janë zyrtarët policorë, zyrtarët e mbrojtjes së afërt, zyrtarët institucional dhe vetëm personat që marrin leje të caktuar dhe në asnjë rast nuk lejohen persona të tjerë apo civil. Bazuar në procedurat policore, mbikëqyrjen strikt të objektit dhe vëzhgimit të objektit nga kamerat, njoftojmë mediat dhe opinionin e gjerë se në këtë objekt nuk është zhvilluar asnjë aktivitet i kundërligjshëm apo çështje që pretendohet apo deklarohet nga individ të caktuar në media”, thuhet në reagim.

Vila e Radoiçiqit është nën menaxhim të autoriteteve të Kosovës që nga sulmi terrorist në Banjskë në shtator të 2023-s. Radoiçiqi, ish-nënkryetar i Listës Serbe, e pati pranuar se i ka prirë grupit terrorist në sulmin që ia mori jetën rreshterit Afrim Bunjaku.

45 persona të këtij grupi akuzohen për terrorizëm. Dy prej tyre janë dënuar me burgim të përjetshëm. Një tjetër me 30 vjet. Ndërkaq pjesa tjetër nuk janë kapur nga autoritetet e Kosovës.