Tech

Steam tani i ka mbi 1 miliard përdorues të regjistruar

Shumëçka ka ndryshuar qëkur Steam u lëshua për herë të parë në përdorim në vitin 2003. Shërbimi nga një dyqan online, i cili ishte kontrovers në mesin e PC gamerëve, u bë gaming biblioteka kryesore kompjuterike, raporton Overclock3D.

Tani Steam i ka më shumë se 1 miliard përdorues të regjistruar, siç tregon Steam ID Finder, ndërsa përdoruesi i një miliard është PC lojtari me nofkën "amusedsilentdragonfly". Megjithëse nuk ka ndonjë avantazh apo shpërblim për faktin se është përdoruesi i një miliardi, sigurisht që bëhet fjalë për një arritje të rëndësishme për platformën e popullarizuar.

Duhet të theksohet se edhe pse Steam i ka një miliard përdorues të regjistruar, një numër i madh i tyre janë spam, llogari mashtruese ose llogari sekondare. Sikur të gjitha këto llogari të vinin nga përdorues legjitimë, pothuajse një e shtata e botës do të ishin PC gejmerë, gjë që sigurisht nuk qëndron, shkruan KOHA Ditore.

Aktualisht, Steam i ka 90 milionë llogari aktive çdo muaj, ndërsa numri maksimal i gamerëve çdo ditë është rreth 16 milionë. Për momentin, Steam e ka një numër të ngjashëm përdoruesish aktivë si Sony PlayStation Network, ndërsa kontribut të madh në këtë rritje ka popullariteti në rritje i platformës Steam në Kinë.