Samsungu e ka prezantuar zyrtarisht SSD-në e vet të parë të konsumit PCIe Gen4, e cila e paraqet modelin M.2 NVMe, për të cilin kompania e Koresë së Jugut pretendon se do ta mposhtë konkurrencën në shumë segmente, raporton Overclock3D.
SSD-ja e re 980 Pro PCIe Gen4 premton shpejtësi sekuencionale të leximit të të dhënave prej 6.5 GB/s dhe shpejtësi sekuencionale të shkrimit prej 5 GB/s. Arritja e shpejtësive të përmendura do ta kërkojë një sistem kompatibil PCIe 4.0, gjë që e bën performancën e 980 PRO të disponueshme vetëm në sistemet AMD Ryzen 3rd Generation në këtë moment.

Për t’i arritur shpejtësitë e përmendura, Samsungu e ka krijuar një kontrollor të ri kompatibil SSD PCIe 4.0, e ka azhurnuar 3D V-NAND për të mundësuar efikasitet të përmirësuar, shpejtësi më të mira dhe një madhësi të V-NAND deri në 128 shtresa, shkruan KOHA Ditore.
Samsungu po planifikon t’i lansojë SSD-të 980 Pro PCIe Gen4 më 21 janar në SHBA dhe Korenë e Jugut, përkatësisht gjatë shkurtit në nivel global. SSD-të do të jenë në dispozicion në kapacitetet prej 250 GB, 500 GB dhe 1TB, ndërsa çmimet nuk dihen ende.