Tech

Red Bull organizon turneun “Solo Q” edhe në Kosovë

Turneu zyrtar “1v1” i lojës kompjuterike “League of Legends” (LOL) që mbahet për lojtarët anë e kënd botës dhe që njihet me emrin “Red Bull Solo Q” do të fillojë edhe në Kosovë, në bashkëpunim me Xportal Esports.

Vitin e kaluar, ky turne i njohur si “Red Bull Player One” ka pasur gjithsej 25 mijë lojtarë të regjistruar prej 29 shteteve të ndryshme të botës që garuan për titullin e kampionit. Ndërsa, këtë sezon numri i garuesve nga shtetet pjesëmarrëse pritet të rritet në 35, të cilët do të garojnë në kualifikimet dhe finalet nacionale për të fazuar me kualifikimet ndërkombëtare online dhe fazat tjera të turneut. Turneu “Red Bull Solo Q” edhe pak më ndryshe se duelet tipike të “League of Legends”, duke i vendosur një lojtar kundër tjetrit në duele “1v1”. Regjistrimi për kualifikimet online tashmë është hapur dhe në Kosovë do të mbahen katër faza kualifikuese gjatë këtij muaji dhe muajit tjetër: 23 e 30 maj dhe 6 e 13 qershor.

“Lojtari i parë që e fiton “First Blood”, e shkatërron kullën (Tower) të kundërshtarit apo i arrin 100 minion pikë, e fiton duelin. Lojtarët nacionalë do të vazhdojnë në Finalet Regjionale ose drejt në finalen botërore ‘Red Bull Solo Q World Finals’. Veç kësaj, do të mbahen edhe fazat ‘International Online Qualifiers’ dhe ‘Last-Chance Qualifiers’ për të dhuruar një eksperiencë të vërtetë të qasjes në sporte elektronike. Si pjesë e partneritetit me League of Legends Global Esports Events, fituesi i Red Bull Solo Q do ta përjetojë direkt 2020 League of Legends All-Star Event. Kampioni pra do të merr pjesë në festën e fundvitit të League, ku do të jetë përkrah atletëve më të mëdhenj të lojërave elektronike dhe personaliteteve të streamit, duke luajtur në lojëra speciale dhe duke marrë pjesë në evente ekskluzive! Top atletë dhe shumë fytyra të njohura tjera nga skena e ‘LoL’ do të dhurojnë shfaqje speciale përgjatë turneut”, thuhet në njoftimin e Red Bullit.

Në fakt, kjo do të jetë hera e tretë që ky turne mbahet në Kosovë dhe pjesëmarrja pritet të jetë masive, ka thënë përfaqësuesja e Red Bullit për vendin tonë, Laurenta Rexhepi.

“Ky është viti i tretë i këtij turneu, por këtë vit do të jetë pak më ndryshe. Në dy vitet e para, fituesit e Kosovës kanë shkuar në Brazil për finalen botërore. Këtë vit, fituesit nga regjioni i Evropës do të takohen në Danimarkë kurse fituesit do të shkojnë në Gjermani për finalen botërore. Fituesit e finales botërore do të jenë të pranishëm në ngjarjen e madhe ‘All-Star’. Edhe këtë vit sikurse në dy vitet e shkuara, presim që pjesëmarrja të jetë e madhe, pasi viteve të fundit lojërat e tilla po janë gjithnjë e më shumë atraktive dhe po tërheqin shumë garues”, tha Rexhepi për “Koha.net”.