Deri më tani kemi parë mënyra të ndryshme kreative të prodhuesve të telefonave që përpiqen që të shmangin prerjen për kamerën e përparme. Mekanizmi pop-up është një prej zgjidhjeve më të popullarizuara në telefonat kinezë. Mirëpo, Oppo tani ka gjetur zgjidhjen që nuk është mekanike – kamerën selfie, e cila është e vendosur nën ekran, përcjell Engadget.
Brian Shen, nënkryetar i kompanisë Oppo, në faqen e tij Weibo ka publikuar një video të shkurtër e cila e paraqet prototipin e telefonit pa prerje. Pasi që starton aplikacioni i kamerës, ekrani paraqet video stream hapësirën si tavan. Për të dëshmuar kredibilitetin e videos, personi që e ka demonstruar funksionin e ka vendosur gishtin mbi ekran ku është e fshehur kamera.
Në publikimin përcjellës, pas demos, Shen ka theksuar që tani për tani është vështirë për kamerat under-display që të arrijnë rezultatet e njëjta me kamerat selfie normale, dhe se pritet rënie e kualitetit optik. Por, sipas tij, asnjë teknologji e re nuk është perfekte prej fillimi. Tani për tani nuk ka informata se kur do të mundë të implementohet kjo teknologji në telefona, shkruan KOHA Ditore.
Nuk u desh të kalojë shumë kohë që Xiaomi të përgjigjej me zgjidhjen e vet që është duke u përgatitur. Kryetari i kompanisë, Lin Bin, ka publikuar një klip i cili thuhet se është krijuar muajin e kaluar, dhe ku shihet kamera e vendosur nën ekran në prototipin Xiaomi Mi 9. Po ashtu nuk tregohet data e publikimit të kësaj zgjidhjeje në pajisje zyrtare.