Viteve të fundit, bota e telefonave të mençur, është dominuar nga debate se si të rrisin madhësinë e ekranit në proporcion me trupin e telefonit, dhe ku të vendosen komponentë të telefonave të dominuar nga ekrani. Mënyra perfekte do të ishte që të integroheshin direkt në ekran, siç është vepruar me sensorët e shenjave të gishtave, dhe tani radhën e kanë kamerat e përparme.
Oppo, një kompani që ka bërë eksperimente për të zhdukur hapësirat e zeza në telefon, në anë të zvogëlimit të tyre apo edhe futjes së një mekanizmi që fsheh kamerën në trupin e telefonit dhe që e shfaqë atë vetëm kur ka nevojë, është po ashtu e para që ka demonstruar një kamerë të përparme nën ekran. Bashkangjitur me zbulimin e vet, Oppo ka treguar se si punon kjo teknologji, shkruan KOHA Ditore.

Kompania thotë se ekrani përdor një material transparent, që punon me një strukturë të pikselëve të ridizajnuar që drita të kaloj deri tek kamera. Sensori thuhet se është më i madh se sensorët në kamera të tjera për selfie dhe thjerrëza më e madhe. Oppo thotë se edhe pjesa e kamerës në ekran do të jetë e kontrollueshme me prekje dhe se kualiteti i ekranit nuk do të komprometohet, tek fotot e Engadget China, vërehet se në disa kënde kamera mund të vërehet.

Oppo e di se vendosja e kamerës prapa ekranit, ka disa probleme me kualitet, mjegullim e rrezatim por thotë se është duke krijuar algoritme apostafat për këto probleme, dhe se kualiteti do të jetë i krahasueshëm me pajisjet e tjera të tregut. Oppo ka në plan që të plasojë këtë pajisje në një “të ardhme të afërt.” Kompania shpesh zbulon një prototip para se të publikojë telefonin, sikur me telefonin Reno që është më i fundit i kompanisë. Kjo na bën të besojmë se një telefon me kamerë nën ekran, do të jetë në shitje së shpejti.