Tech

Oppo do ta prezantojë javën e ardhshme telefonin me kamerë nën ekran

Kompania Oppo e ka demonstruar kohët e fundit teknologjinë e vet të kamerës e cila është e vendosur nën ekran (e njëjta zgjidhje është prezantuar edhe nga Xiaomi). Teknologjia u krijua për t’i eliminuar notchet dhe hapjet në ekran, si dhe slajderët mekanikë, ndërsa kompanive do t’u mundësojë që të prodhojnë telefona me ekran të plotë, raporton Indiashopps.

Oppo ka njoftuar zyrtarisht se do ta lansojë telefonin e vet të parë me kamerë nën ekran më 26 qershor gjatë ngjarjes MWC 2019 Shangai Exhibition.

Sipas posterit të publikuar nga Oppo, slogani "jo vetëm gjithëpërfshirës" sugjeron që telefoni jo vetëm që do të ketë dizajn “full-screen”, por edhe se priten edhe befasi. Pritet publikimi i disa teknologjive ekskluzive, si VOOC 4.0, GameBoost 3.0 etj, shkruan KOHA Ditore.

Inxhinierët Oppo, të cilët më parë e prezantuan teknologjinë e kamerës nën ekran, theksojnë se pjesa e kamerës nën ekran mund të preket normalisht. Teksa teknologjia në këtë sektor po përparon gjithnjë e më shumë, telefonat e ardhshëm mund të bazohen në një zgjidhje të tillë të kamerës së përparme.