Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

“November 1963” rikthen misteret e vrasjes së John F. Kennedyt

Aktori John Travolta

Aktori John Travolta prezantoi në New York filmin e tij më të ri, “November 1963”, i cili trajton përfshirjen e dyshuar të mafias në vrasjen e presidentit amerikan John F. Kennedy.

Travolta interpreton rolin e mafiozit Johnny Roselli, personazh real i lidhur me krimin e organizuar, për të cilin filmi sugjeron se mund të ketë luajtur një rol shumë më të madh në atentatin ndaj presidentit sesa është bërë e ditur në dokumentet historike.

I bazuar në një libër të Nicholas Celozzit, nipit të kreut të krimit të organizuar në Chicago, Sam Giancana, filmi i çon shikuesit brenda një plani të dyshuar të mafias për eliminimin e presidentit.

Travolta thotë se nuk e konsideron filmin një teori konspirative, por një rrëfim të bazuar në fakte, të mbështetur në njohuritë e brendshme të Celozzit dhe në dokumentet historike.

“Natyra e këtij filmi nuk është më thjesht një teori konspirative, sepse bëhet fjalë për verifikimin e fakteve ndër vite, qofshin ato në dokumentet qeveritare apo në dokumentet e krimit të organizuar. Gjithçka është ndërtuar mbi këto fakte të verifikuara. Prandaj, nuk patëm aspak ndjesinë se po realizonim një film për teori konspirative. Përkundrazi, na dukej sikur po rindërtonim një ngjarje të caktuar në kohë dhe hapësirë. Po përpiqemi t’u tregojmë njerëzve se çfarë ndodhi atë ditë. Dhe pikërisht këtë po bëjmë. U larguam nga puna me një ndjenjë të rëndë, e dini, por ky është profesioni ynë dhe duhet ta bëjmë sa më mirë. Mendoj se ndërthurja e dokumenteve qeveritare me ato të familjes krijoi një përputhje interesante faktesh”, u shpreh Travolta.

Filmi është realizuar nga regjisori Roland Joffé, i nominuar për çmimin “Oscar”, ndërsa në kastin e aktorëve bëjnë pjesë edhe Robert Carlyle në rolin e Jack Ruby, Jefferson White në rolin e Lee Harvey Oswald dhe Thomas Fiscella në rolin e Sam Giancana.

“November 1963” do të shfaqet në kinematë amerikane më 4 dhjetor.